Balluku inspekton punimet në tunelin e Llogarasë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/01/2022

Balluku inspekton punimet në tunelin e Llogarasë

Dy muaj nga hapja e kantierit, tuneli i Llogarasë ka marrë tashmë formë, teksa po punohet paralelisht nga të dyja drejtimet, si nga ana e fshatit Dukat ashtu edhe nga drejtimi i Palasës. Punimet në kanë ecur me ritme të shpejta dhe tashmë ka përfunduar gërmimi dhe përforcimi i dy portaleve, hyrës dhe dalës.

Gjatë një inspektimi që ka zhvilluar në këtë vepër, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është njohur nga afër me ecurinë e deritanishme të punimeve si dhe me problematikat, që lidhen kryesisht me formacionet gjeologjike të ndeshura gjatë hapjes së tunelit.

Drejtori i ARRSH, Evis Berberi e informoi ministren se krahas punimeve për ndërtimin e tunelit është punuar edhe për devijimin e rrugës nacionale për të mos krijuar pengesa gjatë punimeve në kantier, por njëkohësisht edhe për të mos rënduar qarkullimin e automjeteve të qytetarëve.

“Sot jemi në 5% të punimeve. Janë hapur të dyja portalet në krahun e Vlorës. Është bërë betonimi i tyre. Kemi ecur në portalin kryesor me 70 metra gërmim dhe në portalin sekondar me 30 metra gërmim. Nga krahu i Palasës janë hapur të dyja portalet, është hapur traseja në 500 metra për rrugën dhe po vijohet me gërmimin e tuneleve. Jemi duke ecur me ritme të mira. Duke parë dhe që gjeologjia sa vjen dhe përmirësohet, shpresojmë që me këtë gjeologji të mbajë deri në fund, në mënyrë që të ecim sa më shumë”, deklaroi Berberi.

Tuneli i Llogarasë do të ketë dy korsi, një vajtje dhe një ardhje, ndërsa do të ketë një lartësi prej afro 4 metrash duke krijuar akses për të gjitha llojet e automjeteve.

Ministrja Balluku tha se në dy muaj ka një ecuri të dukshme të punimeve, me gjithë vështirësitë e hasura në fillim, ndërsa bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat për kushtet e sigurisë. Me përmirësimin e kushteve të motit parashikohet që ritmi i punimeve të rritet më shpejt deri në përfundimin e plot të veprës.

“Nga fundi nëntorit deri në fund të janarit, që supozohen se janë muajt më të vështirë, ne kemi pasur këtë ecuri. Unë jam e sigurtë dhe besimplotë që do të ecim akoma edhe më mirë në ditët në vazhdim, tani që edhe gjeologjia na jep shpresa, por dhe sipas studimit që ne kemi, që do të kemi formacione të qëndrueshme dhe formacione që do t’i japin mundësi kompanive, që operojnë në këtë kantier për të ecur sa më shpejt përpara”, u shpreh Balluku.

Referuar projektit, Balluku theksoi se krahas ndërtimit të tunelit kryesor dhe atij të emergjencës, pjesë e tij është edhe ndërtimi i një ure të varur, një vepër e veçantë infrastrukturore e cila, do të shërbejë edhe si porta hyrëse në bregdetin e jugut.

“Nuk është thjesht një urë që është zgjedhur për shkak të funksionit, që do të ketë në lidhje të tunelit me majën tjetër të malit, duke krijuar kështu një prerje dhe një shkurtim të rrugës, por nga ana tjetër është zgjedhur edhe për dizajnin e veçantë, pasi do të jetë hyrja për në bregdet. Domethënë, duke dalë nga tuneli, menjëherë të gjithë automjetet, drejtuesit, vizitorët, turistët, do të hasen me atë urë të varur, të vetme në Shqipëri, e cila do jetë hyrja zyrtare e rivierës së jugut”, nënvizoi Balluku.

Tuneli i Llogarasë nis në pikën e njohur si Ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit dhe përfundon në Urën e Palasës. Ndërtimi i kësaj vepre eviton kalimin përmes Qafës së Llogarasë duke shkurtuar në pak minuta distancës mes Orikumit dhe Palasës, por mbi të gjitha rrit elementët e sigurisë rrugore për të gjithë drejtuesit e automjeteve.