Balluku inspekton punimet në rrugën Orikum-Dukat: Plotësojmë infrastrukturën, lidhim bypass-in e Vlorës me tunelin e Llogarasë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 11/04/2021

Balluku inspekton punimet në rrugën Orikum-Dukat: Plotësojmë infrastrukturën, lidhim bypass-in e Vlorës me tunelin e Llogarasë

Në segmentin e rrugës Orikum-Dukat po punohet intensivisht në të treja lotet e kësaj vepre duke arritur në 13% të realizmit fizik. 36 muaj është afati i parashikuar për përfundimin e plot të veprës, 14.7 kilometra, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së saj në funksion.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho ndoqën nga afër punimet e realizuara deri më tani ku u informuan lidhur me ecurinë e tyre.

“Segmenti i parë është nga Porti i Jahteve deri në lidhje me bypassin e Vlorës, ku vlen për t’u përmendur ura e parë e cila është një urë në standardin e projektimit 12 metra e gjerë asfaltike me trotuaret e saj. Në këtë segment kemi edhe bypassin e Orikumit i cili shërben për të mos prekur zonën urbane të Orikumit, si dhe rrethrrotullimin e madh. Segmenti dytë është në gjurmën aktuale, zgjerimi i gjurmës aktuale nga rrethrrotullimi i bypass-it deri në varrezat e fshatit Dukat. Më pas, segmenti tretë, është segment komplet i ri në gjurmën e vet të re i cili ka katër urat e veta që kalon lumin e Dukatit, dhe del në urën e madhe për në urën e Shën Elizës”, sqaroi Verdho.

Ministrja Belinda Balluku e cilësoi ndërtimin e këtij segmenti rrugor si tepër të rëndësishëm pasi shërben për të lidhur dy vepra të tjera infrastrukturore, njëra në përfundim dhe tjera nis së shpejti, siç është bypass-i i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë. Përmes plotësimit të gjithë kësaj infrastrukture qytetarët do të kenë mundësi të aksesojnë në një kohë shumë më të shpejt bregdetin e jugut.

“Vlora është kthyer në një kantier ndërtimi pasi është porta hyrëse në bregdetin e jugut shqiptar në rivierën shqiptare, ku vitet e fundit ka mjaft interes jo vetëm nga turistët vendas, jo vetëm nga turistët që vijnë shqiptarët e Kosovës apo shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe nga e gjithë bota. Ne kemi pritur shumë turistë në këtë zonë, por sigurisht me problematikat që ka pasur infrastruktura e trashëguar, e cila duhet zëvendësuar me infrastrukturën e re që ne po ndërtojmë për t’i dhënë mundësi kështu jo vetëm vizitorëve, por edhe investitorëve të cilët e kanë të pazëvendësueshme çështjen e infrastrukturës”, u shpreh Balluku.

Me përmirësimin e kushteve të motit, do të përshpejtohet edhe ritmi i punimeve në kantier, ndërkohë që ministrja Balluku kërkoi nga ARRSH dhe kompania e cila po realizon punimet që të marrin të gjitha masat për të mos krijuar pengesa në qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit të verës, ku edhe fluksi i lëvizjes është më i madh.

“Duhet menaxhuar shumë mirë trafiku. Ne kemi kantiere kudo, është e kuptueshme që ku ka kantiere krijohet edhe trafik megjithatë qytetarët meritojnë që gjatë kësaj vere që shpresojmë për shkak edhe të vaksinimit masiv që po bëhet tani, do jetë një verë më normale se ajo e shkuara, kështu që qytetarët duhet të qarkullojnë të qetë në të gjitha akset dhe të sigurt, pasi ne tregojmë kujdes të veçantë për sigurinë rrugore,  “ nënvizoi Balluku.

Në projektin e këtij aksi janë parashikuar ndërtimi i 5 urave, një gjysmë tunel si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat.