Punimet në Unazën e Madhe të Tiranës po vijojnë me ritëm të lartë në të gjitha lotet. Në lotin II, i cili përfshin segmentin Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – sheshi “Shqiponja”, punimet kanë avancuar në 50% të tyre, ndërsa janë angazhuar 300 punonjës, nga kompania kontraktore.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi inspektuan ecurinë e punimeve në këtë lot, ku po punohet 24 orë në ditë për të bërë të mundur përfundimin e tij në një kohë sa më të shpejtë.
Drejtori i ARRSH e informoi ministren se fillimisht synohet të hapet për qarkullimin e automjeteve segmenti kryesor i këtij loti, për t’u përqendruar më pas puna tek ndërtimi i rrugëve dytësore. “Puna ka ecur mjaft mirë, brenda parashikimit, madje mund te themi që edhe e kemi tejkaluar. Shpresojmë që brenda muajit shtator ne ta bëjmë të kalueshëm aksin kryesor të Unazës dhe të fokusohemi tek punimet e vogla që na mbeten në rrugët dytësore. Rruga që kemi bërë nga krahu i Lanës është gati e përfunduar dhe e kemi vetëm për shtresa, ndërkohë po vazhdojmë dhe nga krahu i Astirit”, u shpreh Berberi.
Ministrja Belinda Balluku, duke vlerësuar ecurinë e punimeve tha se projekti i Unazës së Madhe të Tiranës i ka dhënë zgjidhje edhe kërkesave të banorëve, duke përfshirë edhe ndërtimin e elementëve urbanë për këmbësorët.
“Ashtu si në të gjitha projektet që janë nisur tashmë në segmentet e ndryshme në Unazën e Tiranës edhe në këtë rast na është dashur që të rishikohet projekti. Kemi bërë akomodimin e duhur përsa i përket kërkesave të zonave urbane, qofshin këto trotuarë, korsi biçikletash dhe ndriçim. Ky është një projekt që ka marrë vëmendje të madhe edhe për anën estetike, duke qenë se përshkon një zonë urbane e cila është zhvilluar mjaftueshëm, por që do të zhvillohet dhe më shumë në të ardhmen. Të gjitha projektet infrastrukturore brenda zonave urbane, pavarësisht se janë projekte të hartuara nga ARRSH, e cila ka në inventarët e saj vetëm akset nacionale, sërish në këto projekte ne kemi pasqyruar të gjitha kërkesat dhe kriteret që infrastruktura kërkon në zonat urbane”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se po punohet me intensitet edhe në lotet e tjera të këtij projekti, duke theksuar se së shpejti do të nisë puna edhe për pjesën tjetër të Unazës së Madhe që nis nga sheshi “Shqiponja” deri në zonën e Shkozës.
“Hap pas hapi Unaza e Madhe e Tiranës do marrë formë, duke na dhënë ne mundësi që të nisim shumë shpejt procedurat, përsa i përket pjesës së re, që do jetë nga sheshi “Shqiponja” në Bulevardin e Ri, më pas në Paskuqan dhe tek Materniteti i Ri. Është shumë e rëndësishme që të mbajmë afatet, shumë e rëndësishme që të dorëzojmë veprat që kemi nisur për t’i dhënë mundësi dhe ecuri veprave të tjera, të cilat tashmë i kemi bërë publike dhe që jemi në fazë projektimi apo fazë tenderimi”, nënvizoi Balluku.
Projekti i Lotit II të Unazës së Madhe parashikon ndërtimin e një segmenti rrugor kategoria A-urbane, ndërtimin e rrugëve të shërbimit dhe rrugëve sekondare. Gjithashtu parashikohen punime të rrjetit inxhinierik nëntokësor, punime të gjelbërimit, ndriçimit rrugor, punime të sinjalistikës dhe të sigurisë rrugore si dhe ndërtimin e një nënkalimi për këmbësorët.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë