Balluku inspekton punimet në lotin dy të Unazës Lindore të Tiranës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/04/2021

Balluku inspekton punimet në lotin dy të Unazës Lindore të Tiranës

Në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës punimet po avancojnë me ritëm të shpejtë për të bërë të mundur që ky segment të jetë në dispozicion të drejtuesve të automjeteve në fund të muajit gusht. Punimet janë përqendruar në disa drejtime si për ndërtimin e trarëve të viaduktit me gjatësi 210 metra, betonimin e mureve të tunelit, por edhe ndërtimi pilotave për mbrojtjen e skarpatëve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, ishin në terren ku inspektuan ecurinë e deritanishme të punimeve.

“Kjo është një vepër shumë e rëndësishme dhe me një volum të jashtëzakonshëm. Puna që është bërë këtu është një punë për t’u vlerësuar. Ka pasur një ecuri të mirë nga inspektimi i fundit që ne kemi bërë. Tashmë është totalisht e dukshme. Afati i kësaj vepre është fundi i gushtit, 31 gusht, i këtij viti. Edhe pak muaj kemi në dispozicion, por nga sa duket puna këtu po ecën. Janë zgjidhur të gjitha vështirësitë që kemi pasur”, u shpreh ministrja Balluku.

Ndërtimi i këtij segmenti pritet të çlirojë një pjesë të trafikut në kryeqytet, ndërsa me përmirësimin e kushteve të motit punimet do të intensifikohen për të garantuar përfundimin e veprës në afatin e parashikuar. Përfundimi i këtij loti do të bëj të mundur gjithashtu lidhjen edhe të segmenteve të tjera të cilat kanë përfunduar tashmë.

“Me përfundimin e këtij loti ku ne ndodhemi sot, kemi lidhjen e të tre lotëve duke qenë se lotin e  parë ne e kemi hapur për akses, nga TEG deri në Farkë, edhe pjesën tjetër nga Brryli deri në Shkozë, kështu që na ngelet ky lot i cili bën të gjithë integrimin e pjesës Lindore të Unazës duke krijuar kështu dhe mundësinë për të vazhduar me kantieret e reja të cilat do  të hapen nga Shkoza për në Bulevardin e Ri dhe nga Bulevardi i Ri për tek sheshi “Shqiponja””, nënvizoi Balluku.

Drejtori Verdho sqaroi se “loti dy, është pjesë e Unazës Lindore që fillon nga TEG deri në Shkozë dhe më pas përfshinë rikualifikimin e Lanës, deri në zonën e Maternitetit të Ri. Pjesa e parë e këtij segmenti ka përfunduar. Është ndërtuar dhe nyja e Farkës e cila është vendosur në përdorim. Ky është loti dy i cili tashmë gjurmën e ka të hapur. Pjesë e veprave të artit është edhe viadukti 210 metra”.

Ndërkohë, në sheshin “Shqiponja” dhe kantieret e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës po vijojnë punimet me intensitet për të garantuar përfundimin sa më shpejt të kësaj vepre të rëndësishme për kryeqytetin.