Punimet në lotin 3 të rrugës Porto Romano-Durrës kanë avancuar në 50% të tyre dhe tashmë kjo vepër e rëndësishme ka marrë formë. Po punohet me ritme të larta për të bërë të mundur që ky lot, me gjatësi 3.3 kilometra, të jetë në funksion të përdoruesve të rrugës në fund të muajit shtator të këtij viti.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho ndoqën nga afër ecurinë e deritanishme të punimeve si dhe ritmin me të cilën ata po avancojnë.
“Efekti pozitiv që ka kjo rrugë është që trafikun e rëndë nuk e kalon më në qytetin e Durrësit. Kjo rrugë lidhet si nga Durrësi me anë të Porto Romanos ose me anë të Spitallës me mbikalimin, si nga ana e autostradës Tiranë – Durrës në mbikalimin e Shkozetit”, bëri të ditur drejtori i ARRSH, Verdho.
Ministrja Balluku theksoi se investimi që po bëhet në infrastrukturës i përgjigjet zhvillimit të zonës si nga ana industriale përmes projekteve që janë parashikuar të zhvillohen, ashtu edhe nga ana urbane.
“E gjithë zona ka një plan zhvillimi i cili është plan industrial. Në zonën e Spitallës ne kemi përfunduar procedurën, është firmosur edhe kontrata, përsa i përket ndërtimit të parkut të dytë fotovoltaik më të madh në vend atë të Spitallës i fituar nga kompania franceze Voltalia me 100 megavat, ku shteti do të përfitojë 70 megvat nga e gjithë sasia. Ndërkohë janë 60 hektarë të cilat janë të destinuara për të kryer funksionet e përpunimit të të gjitha mallrave që do të vijnë nga porti i ri i cili do të lidhet me anë të kësaj rruge por edhe me anë të një linje të dedikuar hekurudhore. Nga ana tjetër, pjesa e Eco Parkut tani duke mbyllur të gjithë landfillin që ka qenë jashtë kontrollit për vite të tëra edhe duke krijuar edhe mundësinë e përmirësimit të mjedisit këtu do t’i japë mundësinë qytetit të Durrësit të zhvillohet edhe nga ana urbane në këtë zonë”, u shpreh Balluku.
Rruga do të jetë e kategorisë A duke krijuar kështu mundësinë për të përballuar trafikun e automjeteve të cilat parashikohet të kalojnë në të, ndërsa është bërë e mundur edhe ndërhyrja në kanalet kulluese për të evituar përmbytjet në zonë.
“Ajo që për ne është shumë e rëndësishme është që të ruhen afatet kontraktuale dhe në fund të shtatorit ne të kemi këtë vepër të dorëzuar në funksion të automjeteve dhe të qytetarëve që kërkojnë ta aksesojnë”, shtoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Aksi rrugor Porto Romano-Durrës ka një gjatësi totale prej 8.16 kilometrash. Dy lotet e para të kësaj vepre kanë përfunduar.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë