Balluku dhe ambasadorja Kim diskutojnë me zyrtarë të lartë të administratës amerikane - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/09/2022

Balluku dhe ambasadorja Kim diskutojnë me zyrtarë të lartë të administratës amerikane

Gjatë Forumit Energjetik për vendet e Europës Juglindore, të mbajtur në Selanik të Greqisë, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm me përfaqësues të administratës së Qeverisë Amerikane.

Hidrocentrali i Skavicës dhe Projekti i LNG në Vlorë, dy projekte të rëndësishme në sektorin energjetik jo vetëm për Shqipërinë, por të gjithë rajonin, ishin në fokus të këtij takimi.

“Diskutuam rreth ecurisë së dy projekteve të mëdha që kemi iniciuar me SHBA, Skavica dhe Projekti i LNG në Vlorë, si dhe për vijueshmërinë e këtij bashkëpunimi. Zv. Asistent Sekretari i Departamentit Amerikan të Energjisë, Joshua Volz, theksoi mbështetjen e SHBA për projekte që përforcojnë sigurinë energjetike në vend e më gjerë, duke ofruar dhe mundësi për financimin e tyre. Ndërkohë, Drejtori i Zhvillimit të Korporatës Financiare për Zhvillim të SHBA, Andrew Herscowitz, parashtroi mundësinë konkrete të financimit të dy projekteve strategjike Skavica dhe TEC Vlorë”, u shpreh Balluku.

Zëvendëskryeministrja e mbyll reagimin e saj duke thënë se në kohë të vështira vlerësojmë akoma më shumë vëmendjen e partnerëve tanë strategjik.