Analiza ekonomike për sektorin e ujit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 17/11/2020

Analiza ekonomike për sektorin e ujit

Sektori i ujit, si një nga pesë shtyllat kryesore të programit qeverisës ka pasur një vëmendje të shtuar nga ana e Qeverisë Shqiptare, ku investimet e realizuara kanë garantuar një transformim rrënjësor të këtij sektori. Gjatë një konference për mediat, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtori AKUM, Alqi Bllako prezantuan analizën ekonomike për sektorin e ujit, duke bërë një pasqyrim të situatës ku ndodhej ky sektor 7 vite më parë, projektet të cilat janë zbatuar dhe ato që priten të nisin shumë shpejt nga puna.

Në të gjithë vendin, aktualisht janë të hapur 128 kantiere, të cilët  përfundojnë brenda pranverës së vitit të ardhshëm, duke qenë gati përpara sezonit turistik, ndërkohë që 70 kantiere të tjera pritet të hapen po në këtë periudhë.

“Është e rëndësishme të theksohet që këto kantiere janë të përhapura në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke nisur nga Malësia e Madhe dhe duke përfunduar në Konispol, me fokus kryesor në zonat turistike në zhvillim, por sigurisht duke i dhënë një fokus të madh jugut të vendit duke qenë se tashmë fluksi i vizitorëve çdo vit gjatë sezonit veror është gjithmonë dhe më i rritur, kështu që edhe kapacitetet në ato zona janë të nevojshme që të rriten”, bëri të ditur ministrja Belinda Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se nga viti në vit ka pasur një rritje të buxhetit për sektorin e ujit të pijshëm, duke bërë që sot të kemi një situatë krejt të ndryshme nga ajo e para 7 viteve. “Do doja të ndalesha në një shifër shumë domethënëse që është ajo e vitit 2013 ku në atë kohë vetëm 117.354 banorë furnizoheshin 24 orë ujë. Ndërkohë, në përfundim të vitit 2021 ne synojmë që të furnizojmë më ujë të pijshëm 2 milionë e 840 mijë banorë në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, theksoi Balluku.

Investimet do të bëjnë të mundur, që brenda vitit të ardhshëm 52 zona urbane në vend të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, ndërkohë që këto ndërhyrje jo vetëm kanë përmirësuar shërbimin, por vendosin në ligjshmëri këtë sektor, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në performancën e ndërmarrjeve të ujësjellësit.

“Gjatë vitit 2013 mbulimi me ujë të pijshëm mesatarisht në rang kombëtar ishte 11 orë, ndërkohë që në fund të vitit 2021 me përfundimin e të gjitha kantiereve, që ne sot kemi të hapura, kjo shifër do të arrijë mesatarisht në 21.5 orë për banorë. Pra, krahasimi midis vitit 2013 dhe vitit 2021 është i dukshëm. Ne kemi dyfishuar kohën e furnizimit me ujë për të gjithë abonentët dhe synimin kryesor që ne kemi është për t’i ofruar çdo qytetari 150 litra ujë të pijshëm në ditë, ashtu siç janë edhe parametrat e Komunitetit Europian”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Drejtori i AKUM, Alqi Bllako bëri një prezantim të investimeve dhe ecurisë së tyre në secilën prej bashkive apo njësive administrative të vendit duke theksuar se 70 kantieret e reja që do hapen duke nisur nga pranvera e ardhshme pritet të përfundojnë brenda gjysmës së parë të vitit 2020. “Përfundimi i këtyre kantiereve, jo vetëm do të garantojë furnizim 24 orë me ujë për mbi 59 zona urbane në nivel kombëtar, por gjithashtu do garantojë furnizim me ujë edhe përmbi 200 zona rurale apo njësi administrative më të populluara sa i përket bashkive respektive”, tha Bllako.