Analiza ekonomike për sektorin e infrastrukturës rrugore - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 21/10/2020

Analiza ekonomike për sektorin e infrastrukturës rrugore

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku,  gjatë një konference për mediat, prezantuan analizën ekonomike të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, duke ju referuar shifrave buxhetore dhe indikatorëve të tjerë të këtij sektori, që prej vitit 2008 në mënyrë krahasimore.

Ministrja Balluku tha se Qeveria trashëgoi një shifër të lartë detyrimesh të papaguara sa i takon investimeve në infrastrukturën rrugore, të cilat tashmë janë shlyer. “Projektet e nisura në vitin 2008 deri në vitin 2013, më shumë se gjysma e tyre financiarisht janë paguar gjatë viteve nga 2013 deri më sot. Duke aplikuar strategjinë për parandalimin e krijimit të detyrimeve të pashlyera, qeveria Rama ka arritur që në 31 dhjetor të vitit 2019 të shënojë zero detyrime të prapambetura për atë vit dhe ashtu vazhdojmë dhe për vitin 2020, bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një element shumë i rëndësishëm financiar të cilit duhet t’i referohemi është mirëmbajtja e rrugëve, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke shtuar se ka pasur një rritje të fondit që ka shkuar për mirëmbajtjen e akseve rrugore krahasuar me 7 vite më parë.

Në vijim, Ministrja Balluku listoi akset rrugore të cilët kanë përfunduar dhe që tashmë janë plotësisht në funksion teksa renditi edhe veprat infrastrukturore të cilat parashikohet të përfundojnë brenda vitit 2021 ku ndër të tjera përfshihen Rruga e Arbrit, Bypass i Vlorës dhe i Shkodrës. Në këtë pikë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se është e rëndësishme që për të gjitha këto vepra Qeveria Shqiptare nuk ka detyrime të pashlyera duke i dhënë fund një praktike të hasur jo shumë vite më parë.

Korridori Blu, theksoi ministrja Balluku, është një ndër veprat madhore sa i takon infrastrukturës rrugore ku pjesë e tij është edhe segmenti Milot-Fierit për të cilin është hapur gara ndërkombëtare dhe përfundon në datën 28 tetor. Ky aks strategjik është pjesë e paketës së konektivitetit të Ballkanit Perëndimor.

“Gara për segmentin Milot-Fier, 115 km të Korridorit Blu përfundon në datë 28 tetor, me shpresën që do kemi pjesëmarrje të plotë, që do ketë interes dhe që pas vlerësimit që do të bëhet nga komisioni të kemi një fitues për të lidhur sa më parë kontratën dhe për të nisur kantieret pasi nuk bëhet fjalë për një kantier, por minimalisht 4, duke qenë se përfshihen edhe pjesë të rëndësishëm të infrastrukturës siç është nyja e Tiranës apo hyrja e Rinasit, të cilat do nisin menjëherë nga puna për të dorëzuar këtë vepër kaq të rëndësishme brenda 36 muajsh”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ju referuar edhe studimit të bërë nga ËBIF, tha se ndikimi që do të ketë kjo vepër në ekonominë kombëtare do të jetë i ndjeshëm pasi parashikohet të hapen 21 mijë vende pune dhe 1.2 miliardë euro ndikim ekonomik. Ministrja Balluku njoftoi  gjithashtu se pjesë e Korridorit Blu janë edhe dy projekte të tjera që përfshijnë segmentet Milot-Murriqan dhe Memaliaj-Kakavijë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe tek ndërtimi i tunelit të Llogarasë, një tjetër vepër madhore, ku tashmë kompania fituese për projektin ka nisur punën në terren duke parashikuar që në muajin dhjetor të hapet gara ndërkombëtare për të zgjedhur kompaninë e cila do ta ndërtojë atë.

Sa i takon investimeve auroportuale, ministrja Balluku bëri të ditur se tashmë punimet për aeroportin e Kukësit kanë avancuar ndërsa së shpejti do të rihapet gara për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës e cila u ndërpre për shkak të pandemisë së Covid-19. “Ne synojmë që aeroportin e Vlorës ta kthejmë në aeroportin e shqiptarëve, pra të jetë aeroporti kryesor i Shqipërisë dhe për më tepër të jetë aeroporti shtëpi i Air Albania,  kompanisë flamurmbajtëse”, theksoi Balluku teksa shtoi se sa i takon aeroportit të Sarandës bëhet fjalë për ndërtimin e një aeroporti sezonal në funksion të sezonit turistik.

Investimet në Porte, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë renditi projektet që janë parashikuar për Portin e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit të cilat do të transformojnë rrënjësisht këtë sektor.

Së bashku me BERZH, bëri të ditur Balluku, është përmbyllur edhe procesi për përzgjedhjen e kompanisë fituese për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës dhe shumë shpejt do të firmoset kontrata. “Jemi në fazën finale, pra të elementëve për lidhjen e kontratës dhe nis menjëherë puna. Ndërkohë që kemi nisur aplikimin pranë BERZH-it për fazën e dytë të kësaj hekurudhe që lidhet me stacionin e madh të Tiranës. Ministria e Financave ka bërë kërkesën pranë BERZH-it dhe besojmë që do të na aprovohet shumë shpejt”.

Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve për rrugën Qukës-Qafë Plloç, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se problematikat e kësaj vepre janë tashmë të njohura dhe që kanë ndikuar në ecurinë e punimeve teksa bëri të ditur edhe projektet që Qeveria Shqiptare ka së bashku me Qeverinë Amerikane për termocentralin e Vlorës dhe ndërtimin e një porti në Vlorë për shpërndarjen e gazit të lëngshëm, e cila do ta kthente Shqipërinë në një pikë të rëndësishme të shpërndarjes së gazit në rajon.