Znj.Belinda Balluku emërohet Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 17/01/2019

Znj.Belinda Balluku emërohet Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Sot, më datë 17 Janar 2019, znj. Belinda Balluku mori zyrtarisht funksionin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e betimit e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar u zhvillua në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prani të Nënkryetares së Kuvendit znj. Vasilika Hysi dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit.  Emërimi i znj. Belinda Balluku në postin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, u miratua në seancën plenare të Kuvendit të Republikës, ditën e mërkurë, më 16 Janar 2019.

Kalimi i detyrës u krye në takimin që u organizua në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me stafin dhe drejtuesit e kësaj ministrie. Z. Gjiknuri i uroi suksese ministres për detyrën e rëndësishme dhe sfiduese, duke shprehur bindjen se ministrja Balluku ka të gjitha mundësitë dhe vullnetin dhe për të çuar  përpara reformat e ndërmarra dhe falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij për punën e bërë gjatë kryerjes së detyrës.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku shprehu se ndjehet e nderuar për përgjegjësinë e lartë që ka në drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm dhe vlerësoi maksimalisht punën e specialistëve gjatë këtyre viteve. Ministrja Balluku theksoi se do të vazhdojë  më tej projektet e nisura në fusha kyçe e sektorë strategjikë dhe uroi që suksesi të jetë shoqëruesi më i mirë i rrugëtimit të përbashkët.