Ujësjellës i ri për 5800 banorë në bashkinë Cërrik - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 08/02/2022

Ujësjellës i ri për 5800 banorë në bashkinë Cërrik

Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm katër fshatrat e njësisë administrative Mollas në Bashkinë e Cërrikut janë drejt përfundimit. Në këto fshatra, me një popullsi prej afro 5800 banorësh, nuk ka pasur rrjet të furnizimit me ujë dhe investimet e fundit janë kryer disa dekada më parë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i AKUM, Klevis Jahaj dhe kryebashkiaku i Cërrikut, Andis Salla, inspektuan punimet që po kryhen për këtë projekt.

Për kryebashkiakun Salla ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit është një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të këtyre zonave dhe që tashmë po bëhet realitet. “Në emër të banorëve ju falënderoj për këtë investim, i cili ka qenë shumë i domosdoshëm për të gjithë këta banorë dhe brenda pak ditësh do të përfundojë. Banorët faktikisht mezi po e presin këtë investim”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Cërrikut.

Drejtori i AKUM bëri të ditur detaje të këtij projekti ku deri më tani janë realizuar afro 95 përqind e punimeve.  “Janë fshatrat të cilët nuk kanë pasur rrjet ujësjellës fare dhe është për herë të parë që ata do të kenë një rrjet ujësjellësis të financuar nga buxheti i shtetit. Përfshihen katër fshatra, ku janë 19 kilometër rrjet shpërndarës. Janë tre depo, një 500 metër kub për fshatin Mollas dhe dy të tjetër për fshatin Linas edhe Dasar, të cilët do të bëjnë edhe furnizimin 24 orë të këtyre zonave. Për të gjitha këto janë parashikuar puseta të komandimit dhe sistemi i matjes për secilin nga shtëpitë individuale”, tha Jahja.

Ministrja Belinda Balluku tha se gjatë viteve të fundit Qeveria Shqiptare ka investuar në vijimësi në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve teksa theksoi se me reformën e nisur tashmë në këtë sektor bëhet e mundur që drejtoritë e ujësjellësave në të gjithë vendin të jenë më të forta financiarisht duke bërë të mundur edhe një menaxhim më të mirë të tyre.

Duke folur për problematikat me të cilat ndeshen sot ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë vendin, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal tek çështja e konsumit të lartë të energjisë. Ajo theksoi se ky problem duhet zgjidhur përmes projekteve të efiçencës së energjisë, duke sjellë në vëmendje rastin e Bashkive Memaliaj e Belsh, ku prodhimi i energjisë për depot e ujësjellësave bëhet përmes paneleve diellore, duke i bërë kështu sisteme të cilat kanë autonomi energjetike nga pjesa tjetër e rrjetit dhe duke ulur kostot.

Sa i takon reformës në sektorin e ujit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se përmes saj synohet përmirësimi i cilësisë së shërbimit që ju ofrohet qytetarëve.

“Kërkohet bashkëpunimi i të gjithë kryetarëve të bashkive, këshillave bashkiakë, për rëndësinë e këtij agregimi dhe çfarë të mirash sjell dhe pse jemi të detyruar të shkojmë në këtë zgjidhje të re menaxheriale. Mbi të gjitha ne kemi gjithmonë si synim që t’u ofrojmë qytetarëve tanë shërbim ashtu siç duhet, pra cilësi e mirë e ujit në kushte sanitare, 150 litra sipas normës standarde dhe 24 orë në ditë. Sigurisht të gjitha këto të matshme përmes sistemeve. Midis të gjithë punëve që ne po bëjmë matësat janë shumë të rëndësishëm, pasi çdo shërbim duhet paguar dhe si rrjedhojë ai shërbim më pas ka mirëmbajtjen e duhur, investimin e duhur dhe qytetarët do ta kenë këtë shërbim përgjithmonë, jo vetëm dy vitet e para kur ne investojmë”, deklaroi Balluku.

Projekti për Ujësjellësin në njësinë administrative Mollas parashikon hapjen e 3 pus shpimeve, ndërtimin e tre depove dhe rrjetit shpërndarëse si dhe pajisjen e të gjithë abonentëve me matësa. Gjithashtu ujësjellësi i ri do të jetë i pajisur edhe me sistemin SCADA.