Shqipëri-Gjermani, nënshkruhet marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 12/04/2022

Shqipëri-Gjermani, nënshkruhet marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit

Finalizohet puna për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të automjeteve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Sekretarin Parlamentar të Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, Oliver Luksic, nënshkruan në Tiranë marrëveshjen që i hap rrugë njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve.

Në fjalën e saj, Balluku e cilësoi këtë marrëveshje si finalizimin e një procesi të gjatë e të shumë pritur, por njëkohësisht edhe një vlerësim dhe certifikim të standardeve që Shqipëria aplikon për pajisjen me leje drejtimi. Balluku u shpreh gjithashtu se kjo është një marrëveshje e rëndësishme për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Gjermani, por edhe për shtetasit shqiptarë që vizitojnë Gjermaninë.

“Arritja deri në ditën e sotme, përveçse është kulmim i një pune këmbëngulëse dhe reformash të vazhdueshme në sektorin e shërbimeve të transportit rrugor, nga ana tjetër ka një domethënie të veçantë për ne si drejtues të këtij sektori. Është certifikim i një standardi, që ne tashmë e kemi arritur dhe që është në përputhje të plotë më standardet e Bashkimit Europian. Për një vend që prej kohësh aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe hap pas hapi po rrit masat dhe përpjekjet për t’ja arritur këtij qëllimi, ky certifikim i sotëm është kuptimplotë dhe shumë shpresëdhënës për të ardhmen e Shqipërisë si pjesëtare e unionit”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se për të arritur deri tek nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje janë kryer një sërë ndryshimesh rrënjësore në legjislacion, duke e sjellë atë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Europian. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar modelit dhe prodhimit të lejes së drejtimit shqiptare me elementë të lartë sigurie, përmirësimit të infrastrukturës  së mësimdhënies për pajisjen e kandidatëve me leje drejtimi,  kualifikimin e instruktorëve, si dhe një sërë reformash të tjera.

“Ishin këto reforma që krijuan edhe besueshmërinë e duhur për autoritetet gjermane, për të arritur deri në këtë pikë të procesit, që është nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve. Por Gjermania sigurisht që nuk është vendi i vetëm që e ka njohur dhe vlerësuar progresin e dukshëm të Shqipërisë në këtë sektor. Aktualisht Shqipëria ka lidhur marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjelltë dhe konvertimin e lejeve të drejtimit me: Italinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë dhe Emiratet e Bashkuara”, deklaroi Balluku duke bërë të ditur se aktualisht është në proces njohja e ndërsjelltë e lejeve të drejtimit edhe me një sërë vendesh të tjera.

Kush përfiton nga nënshkrimi i kësaj Marrëveshje

Titullarët e një lejeje drejtimi të vlefshme të kategorive A1 (përjashtuar makinat bujqësore dhe komplekset e automjeteve bujqësore), A2, A, B (përjashtuar makinat bujqësore dhe makinat teknologjike), BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, me formatin e ri në fuqi që prej datës 24.01.2017, mund ta konvertojnë lejen e vlefshme shqiptare të drejtimit në një leje drejtimi gjermane të kategorive A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, në çdo kohë pas mbërritjes së tyre në Republikën Federale të Gjermanisë pa qenë nevoja e dhënies së provimit teorik dhe praktik të lejes së drejtimit apo t’i nënshtrohen testit të shikimit, nëse e kanë apo do të kenë rezidencën e tyre zakonshme në Republikën Federale të Gjermanisë për të paktën 185 ditë në vit.

Titullarët e një leje drejtimi të vlefshme të kategorisë AM, të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, me formatin e ri në fuqi që prej datës 24.01.2017, mund ta konvertojnë lejen e vlefshme shqiptare të drejtimit, të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë në një leje drejtimi gjermane të kategorisë AM në çdo kohë pas mbërritjes së tyre në Republikën Federale të Gjermanisë, nëse e kanë apo do të kenë rezidencën e tyre zakonshme në Republikën Federale të Gjermanisë për të paktën 185 ditë në vit,  pa qenë nevoja e dhënies së provimit teorik.

Të gjithë titullarët e një leje drejtimi të vlefshme, të modeleve të kartonit të lëshuar përpara datës 24.01.2017 duhet ta rinovojnë kartonin e tyre me modelin aktual dhe të vijojnë aplikimin për konvertimin e leje drejtimit në Republikën Federale të Gjermanisë, me të njëjtat klauzola përfitimi si të dy kategorive të sipërpërmendura.

Nëse në momentin e lëshimit të lejes së drejtimit shqiptare mbajtësi ka pasur vendbanimin e tij të zakonshëm në Gjermani, kjo leje drejtimi nuk konvertohet.

Ato leje drejtimi të cilat janë rezultat i një konvertimi të mëparshëm nga një shtet i tretë, nuk njihen për konvertim.

Me dorëzimin e lejes së drejtimit të tij ose të saj të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe paraqitjen e dokumenteve të identifikimit të kërkuara nga autoritetet gjermane, ai ose ajo do të marrë një leje drejtimi gjermane vetëm pasi të ketë paguar tarifat dhe shpenzimet e përcaktuara ligjërisht.

DPSHTRR ka nisur menjëherë punën me Automotorizimin Gjerman (KBA) për zbatimin e marrëveshjes, sipas aplikimeve që vijnë nga gjithë Landet (rajonet) e Republikës Federale Gjermane!