Prezantohet “OSHEE Charge” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/11/2025

Prezantohet “OSHEE Charge”

Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku gjatë prezantimit të “OSHEE Charge”:

 

I nderuar Kryeministër,

Kolegë,

Drejtues të sektorit energjetik,

Unë do ta nisja pak ndryshe. Do ta nisja nga progres raporti i fundit, i cili u shpall vetëm javën e kaluar, ku bazuar mbi 40 masa të vlerësuara, energjia ka marrë vlerësimin, progres i mirë. Progres i mirë i dhënë për vitin e dytë radhazi, që padyshim na bënë krenar dhe pasqyron të gjitha përpjekjet e bëra nga secili prej jush në këtë sektor, nga elektricisti dhe deri tek drejtuesit e sektorit, apo edhe renti që ne kemi ndjekur gjatë gjithë periudhës përsa i përket kuadrit ligjor dhe gjithçka tjetër, ka sjellë këtë rezultat.

Raporti thekson si kontributor për këtë vlerësim, përafrimin me kuadrin ligjor, me acquis e Bashkimit Evropian, avancimin në liberalizimin e tregut, ndarjen funksionale të operatorëve, unbundling ka qenë një proces i gjatë që kemi bërë sëbashku në vitin 2019, me shumë pikëpyetje sesi do t’ia dilnim me kompanitë e ndara, por sot OSHEE funksionon si kompania mëmë e cila merret me gjithë pjesën administrative të mbarëvajtjes të sektorit, sektorit të shpërndarjes në këtë rast, por nga ana tjetër kemi krijimin e kompanive, të cilat sot po forcohen dhe pritjen për të krijuar edhe kompani tjera, siç është Operatori i Energjisë së Rinovueshme.

Gjithashtu është vlerësuar integrimi rajonal, përsa i përket funksionalitetit të bursës me energji, pra bursa Alpex dhe bashkëpunimi në tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Si dhe një tjetër element i cili është vlerësuar është zhvillimi i burimeve të rinovueshme përmes ankandeve transparente dhe rritjes së pjesëmarrjes private në kontributin e prodhimit të energjisë së rinovueshme në vendin tënd. Sipas raportit, progres është shënuar dhe në efiçencën e energjisë, me forcimin e kuadrit ligjor dhe përditësimin e planit kombëtar për energjinë dhe klimën dhe diversifikimin e furnizimit të cilët kanë përmirësuar ndjeshëm sigurinë energjitike në vendin tonë.

Prioritetet për periudhën në vijim përfshijnë miratimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, liberalizimin e plotë të tregut, bashkimin e tregut të ditës në avanc me vendet fqinje, si dhe përgatitjen e një tranzicioni të gjelbër, gjithëpërfshirës në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian për dekarbonizimin dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Ky progres është fryt i një pune të përbashkët, është fryt i forcimit të institucioneve tona, investimeve në infrastrukturë, rritjes së transparencës dhe digjitalizimit të shërbimeve. Janë këto veprime që kanë bërë të mundur që energjia shqiptare të renditet mes sektorëve me performancën më të mirë në këtë raport të Bashkimit Evropian. Por, përveç vlerësimit që na bënë krenarë, ky është edhe një moment për të bërë një bilanc tjetër të rëndësishëm. Atë të kontributit real të sektorit energjitik në zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe për më saktë, unë do t’i referohesha një raporti të Bankës së Shqipërisë në mesin e vitit 2025, përsa i përket kontributit të energjisë në investimet e huaja. Sot investimet e huaja në Shqipëri kanë arritur 16 miliardë euro, këto të llogaritura sipas metodologjisë tradicionale, duke marrë kursin e këmbimit ditor. Por, energjia është në vend të parë si kontributor kryesor në investimet e huaja në vendin tonë dhe në vend të dytë është sektori i nxjerrjes. Të dy sektor të portofolit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Për t’u futur më thellë në shifra sot 16 miliardë euro investime të huaja në vendin tonë janë mbi 250%, krahasuar me një dekadë më parë. Ndërsa përsa i përket energjisë, kontributi në valutë i sektorit energjetik, si investim i huaj ka arritur rreth 3.72 miliardë euro, por për të mos lënë asnjë derë të hapur për retorikë dhe pretendime, vetëm në pesëvjeçarin e fundit, pra krahasuar me mesvitin me 2020, jemi rritur me 52% në investime të huaja vetëm në sektorin energjitik. Ndërkohë që përsa i përket sektorit të nxjerrjes, sot në sektorin e nxjerrjes kemi një kontribut i cili shkon rreth 2.60 miliardë euro ose e thënë ndryshe, 162% më shumë krahasuar me vitin 2020, pra vetëm pesë vite më parë.

Ky është një tregues i qartë i besimit që investitorët ndërkombëtarë kanë tek potenciali, serioziteti dhe qëndrueshmëria e këtij sektori. Tashmë kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit, ku inovacioni është busulla e mandatit tonë qeverisës. Për këtë arsye OSHEE Group, një kompani tashmë e konsoliduar në tregun shqiptar, po hyn në një fazë të re transformimi. Duke kaluar përtej modelit klasik të shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë, që janë shërbimet bazë të OSHEE-së. Sot, synimi ynë është të zhvillojmë kompaninë, duke ofruar zgjidhje inovative dhe produkte të reja, që modernizojnë shërbimet dhe sjellin përfitime reale për qytetarët tanë, në një treg energjetik që po ndryshon me shpejtësi, teknologjitë e reja janë garancia e jonë për qëndrueshmëri dhe zhvillim.

Matësit inteligjentë, platforma digjitale, automatizimi i proceseve, integrimi i burimeve të rinovueshme janë elementët që po e bëjnë sistemin tonë më efikas, më transparent dhe më afër standardeve evropiane, por asnjë teknologji nuk mund të japë frytet e plota pa njerëzit që e drejtojnë atë. Paralelisht me zhvillimin e kapaciteteve teknike të shoqërisë, paralelisht me inovacionin që kemi filluar të ngremë brenda strukturave të kompanisë, pra të OSHEE-së, ngritja e kapaciteteve njerëzore është thelbësore, jo vetëm për OSHEE-në, por për të gjithë sektorin energjetik.

Ne kemi identifikuar vitet e fundit një mungesë të theksuar të kuadrove të rinj të specializuar në fushën energjetike, pasi mosha mesatare e teknikëve, e inxhinierëve dhe të gjithë kontributorëve të teknologjisë, ka arritur në 50 vjeç. Megjithatë, kemi ndërmarrë gjatë vitit 2024 dhe vitit 2025 dy nisma shumë të rëndësishme për sjelljen e gjakut të ri brenda në ndërmarrjen e madhe të OSHEE-së prej 6800 punonjësish. Dhe ia kemi dalë në thirrjen e parë, duke mbajtur moshën mesatare shumë të ulët dhe në thirrjen e dytë, duke e rritur atë, do të kemi 280 elektricist të rinj që i janë shtuar radhëve të gjithë kësaj ushtrie të madhe të energjisë shqiptare.

Megjithatë sot ka ardhur momenti që vetë struktura e OSHEE-së të ofrojë një akademi, e cila do të kontribuojë në rritjen e profesionistëve të rinj, në rritjen e kuadrove të reja që parashikohet të kontribuojnë jo vetëm brenda OSHEE-së, pavarësisht se OSHEE-ja është ajo që po ngjiz akademinë, por të kontribuojnë dhe për Operatorin e Transmetimit, apo edhe gjeneruesin kombëtar KESH. Përballë sfidës së qëndrueshmërisë energjetike dhe nevojës për diversifikim të burimeve të prodhimit, akademia do të krijojë një brez të ri ekspertësh, të aftë të përballen me teknologjitë e reja, me inovacionin që ndryshon çdo ditë, ashtu siç është vizioni i kryeministrit Rama, ashtu dhe siç është boshti i Qeverisë Shqiptare për këtë mandat të sapofilluar.

Ashtu sikur kam bërë me dije dhe sekretarët Amerikanë të Energjisë javën e kaluar në takimin e P-TEC në Athinë, Shqipëria synon që jo thjesht të jetë një konsumator i energjisë edhe në nivelet e inovacionit, por synon të kthehet në një eksportues neto brenda vitit 2030. Kemi parë shembullin e vendit fqinj të Greqisë, kemi një miks energjie shumë të ngjashme midis dy vendeve tona dhe Greqia ka arritur vetëm në vitin 2024, mbas dekadash e dekadash investimesh dhe inovacioni, në prill të vitit 2024, Greqia për herë të parë kthehet në vend eksportues të energjisë, pasi ka qenë gjithmonë një vend importues. Nga prilli i vitit 2024 për 18 muaj ndryshimi që ka pësuar sistemi energjetik përsa i përket financave nga një vend që kishte humbje deri në 1 miliard euro në vit, pra për energjinë që blinte, sot ka mbyllur bilancet me rreth 100 milionë euro për herë të parë si eksportues.

Ky është vizioni i Shqipërisë, sigurisht hapat tonë kanë qenë shumë më të mëdhenj dhe më të shpejtë se ato që ka bërë Greqia për shkak se koha që ne kemi pasur përpara ka qenë shumë më e kufizuar. Kujtojmë këtu vetëm vitin 2013, kur humbjet në rrjet kanë qenë 45% dhe ka pasur qytete që kanë pasur dhe më shumë se 50% humbje. Ndërkohë që vitin e kaluar ne e kemi mbyllur me pak më shumë se 17% dhe nga të gjitha të dhënat që vijnë nga Operatori i Shpërndarjes rezulton që do të arrijmë objektivin në 31 dhjetor për ta mbyllur këtë vit me 16% humbje, nuk po i referohem saktë pikë sa, pasi mundet edhe ta thyejmë rekordin që kemi vendosur.

Në ndërkohë, do të ndaloja për një moment tek ky produkt i ri, i cili është dhe shkaku i takimit sot. Duke ndjekur filozofinë e inovacionit, duke ndjekur frymën e Qeverisë Shqiptare, që gjithçka duhet të bazohet me inovacionin, pikërisht për të rikuperuar këtë kohë, këtë gap kohe që ne kemi me vendet e tjera evropiane, sot jemi këtu për të lançuar një produkt të ri, një produkt të ri OSHEE Charge, shërbimi i karikimit të mjeteve elektrike. Në një kohë kur transporti po evoluon drejt teknologjive të pastra, ky është një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm. Analizat tregojnë se rrjeti aktual i pikave të karikimit në Shqipëri është ende i kufizuar dhe i përqendruar në Tiranë, duke lënë boshllëqe të mëdha në qytete tjera, korridoret kombëtare, pikat hyrëse kufitare, por për më shumë në zonat turistike.

Sikurse prezantoi Administratori i OSHEE-së, aktualisht kuadri ligjor nuk e rregullon në mënyrë eksplicite aktivitetin e karikimit të mjeteve elektrike, duke krijuar ambiguitet që ka lejuar zhvillimin e një tregu në mënyrë spontane dhe pa standarde të unifikuara. Megjithatë, është shumë e qartë se legjislacioni ekzistues nuk lejon rishitjen e energjisë elektrike të furnizuar me çmime të rregulluara nga ERE, për asnjë tipologji biznesi.

Ndërkohë, mungesa e procedurave administrative edhe në nivel vendor ka prodhuar një treg të parregulluar, ku energjia e blerë me 14 lekë rishitet nga tregtarët privatë nga 40 deri në 60 lekë. Sot në vend qarkullojnë rreth 16 mijë mjete elektrike dhe ekzistojnë 254 pika karikimi. Dhe sigurisht, këtu kemi një tendencë rritje nga e gjithë analiza që ne kemi bërë gjatë këtyre ditëve, pasi pritet që të ketë një konsum 14 milionë kilovat orë në vitet e ardhshme. Kjo rritje ka krijuar vështirësi në menaxhimin e ngarkesës së rrjetit dhe kosto të larta disbalancash, që vetëm në 10-mujorin e parë të vitit 2025 kanë arritur në 1.2 milionë euro. Për të siguruar qëndrueshmëri dhe konkurrencë të ndershme, me kërkesë të OSHEE-së është miratuar nga Enti Rregullatori i Energjisë një çmim i veçantë për furnizimin e flotës elektrike prej 22 lekë për kilovatorë.

Të gjitha këto janë të vlefshme për subjektet që ofrojnë shërbimin e karikimit për efekt ekonomik. Kjo është diçka që duhet sqaruar dhe duhet të jenë të gjithë të qartë. Ky çmim, pra çmimi 22 lekë, është çmimi që do të blihet energjia nga tregtarët privatë të cilët vendosin që të bëjnë këtë aktivitet ekonomik dhe do ta blejnë nga OSHEE-ja.

Ndërkohë që ne nxisim rritjen e flotës elektrike, duke nënvizuar dhe një herë atë që tha administratori, se konsumatorët familjarë do të vazhdojnë të karikojnë automjetet e tyre pranë banesave me të njëjtin çmim që ata paguajnë për energjinë, 9.5 lekë në rastet kur ata harxhojnë më shumë se 800 kilovatorë, apo edhe 8.5 lekë në rastet kur ata harxhojnë më pak. Ky rregullim synon të vendos në treg një barazi, të ulë kostot për rrjetin, të garantojë zhvillim të qëndrueshëm të lëvizshmërisë së mjeteve elektrike në vendin tonë.

Nga ana tjetër, OSHEE është pozicionuar më mirë se kushdo përsa i përket kapaciteteve të shpërndarjes të pikave të karikimit. Përmes OSHEE Charge, rrjetit kombëtar të pikave të karikimit të mjeteve elektrike, ne do të sigurojmë çmime konkurruese, shërbim të qëndrueshëm dhe padyshim, energjia që do të përdoret në pikat e OSHEE Charge do të vijë nga burimet e rinovueshme. Për ndërtimin e stacionit të parë të OSHEE Charge është përzgjedhur një pikë strategjike në hyrje të Tiranës, është pjesë e Unazës së Re nga TEG-u në drejtim të Farkës dhe është dizenjuar në një mënyrë shumë inovative. Do të ketë 10 kulla karikimi ‘fast charger’, në të cilat në të njëjtin moment mund të karikohen për pak minuta 20 automjete.

Tashmë kjo që shikoni nuk është thjesht një projekt në letër, por është një projekt që ka marrë lejen e zhvillimit dhe lejen e ndërtimit. OSHEE është duke punuar për të plotësuar të gjithë pjesën tjetër të dokumentacionit, e për të nisur menjëherë nga puna për ndërtimin e kësaj pike inovative, ku energjia, siç e shikoni, prodhohet nga panelet diellore, të cilat shërbejnë edhe si vendqëndrime, por nga ana tjetër edhe 10 kulla ndodhen pikërisht poshtë këtyre paneleve.

E gjithë korpusi i ndërtuar rreth kësaj pike inovatore karikimi është një vend rekreacioni inovator, ku nga lojërat e fëmijëve që do të jenë sëbashku me prindërit e tyre gjatë asaj kohe duke karrikuar automjetet dhe deri tek një bibliotekë digjitale që do të shërbej për të kaluar kohën në një mënyrë sa më të kulturuar. Gjithashtu ka edhe pjesë të tjera që janë të parashikuara për familjet apo edhe për moshat e reja për të mos humbur asnjë moment ndërkohë që presin karikimin e automjeteve, por që nënvizoj, janë vetëm disa minuta pasi i gjithë projekti është bazuar mbi ‘fast chargers’.

Ky projekt nuk është vetëm infrastrukturë, është model i qëndrueshmërisë energjitike, por dhe i qëndrueshmërisë ekonomike. Është vetëm pilotimi i parë, pasi ne synojmë që menjëherë vetëm në Tiranë të ngremë dhe tre pika të tjera dhe ashtu siç përmenda më parë në fjalën time, duhet të keni parasysh që synimi ynë kryesor, janë zonat turistike, janë korridoret qendrore të ndërlidhjes dhe mbi të gjitha pikat kufitare. Ky projekt është shembulli më i mirë, se si një kompani shtetërore mund të veprojë edhe me përgjegjësi sociale, duke kontribuar jo vetëm në sektorin ku përket, por edhe në mirëqenien sociale përgjithësisht.

Gjithashtu, ne synojmë që të kthejmë OSHEE në një shembull të mirë, se si një kompani e zhytur në borxhe në vitin 2013 arrin të dalë në sipërfaqe, arrin të nxjerrë bilance pozitive, të cilat përkthehen në uljet e çmimit të energjisë elektrike, për 1 milion konsumatorët shqiptarë, por nga ana tjetër arrin të nxjerrë në treg produkte të reja, të cilat përveç aspektit dhe forcimit ekonomik dhe financave të kompanisë, kontribuojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sektori energjetik shqiptar është sot një histori suksesi, por dhe një premtim për të ardhmen. Nga investimet e huaja tek inovacioni, nga zhvillimi i burimeve njerëzore tek përfshira e teknologjive të pastra, ne po ndërtojmë një sistem energjetik që i shërben ekonomisë, qytetarëve dhe mjedisit. Krenar për atë që kemi arritur, të motivuar për atë që na pret, ne ecim përpara me bindjen se energji e qëndrueshme, do të thotë zhvillim ekonomik i qëndrueshëm.

Shumë faleminderit!