Prezantohet drejtuesi i ri i Autoritetit Portual Durrës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/10/2025

Prezantohet drejtuesi i ri i Autoritetit Portual Durrës

Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në prezantimin e drejtorit të ri të Autoritetit Portual Durrës:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Është shumë kënaqësi që të jem sot me stafin e portit të Durrësit,  i cili ka kaluar periudha reformimi të thella, që konsistojnë nga ndërtimi i një porti të ri dhe deri tek ngritja e kapaciteteve njerëzore, të cilat duhet të jenë kapacitete që përputhen plotësisht me kërkesat e një porti evropian, i cili nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por do t’i shërbejë më gjerë Kosovës edhe Maqedonisë së Veriut, ashtu siç ju e dini shumë mirë.

E thënë kjo, do ta nisja nga projekti madhor që prej kohësh të gjithë ju, me në krye drejtorin tuaj ose më saktë, fillimisht me Pirro Vëngun, që sot është Ministër i Mbrojtjes dhe më pas me Kreshnik Bajraktarin, keni nisur një proces të gjatë. Një proces të gjatë, i cili do të përfundojë para vitit 2030 nga çfarë janë të gjitha gjasat, ashtu dhe siç parashikohet në vizionin e Shqipërisë 2030, në strategjinë për zhvillimin e sektorit detar.

Ne kemi nisur prej kohësh do të thoja vitesh tashmë, një plan zhvillimi të një porti të ri në afërsi të Durrësit, duke qenë se lokacioni është strategjik, duke qenë se Durrësi është një pikë referimi për të gjithë rajonin, por sigurisht me rritjen e një qyteti turistik, me vlera të mëdha të mbartura nga kohët e antikitetit, pasi ka pak vende në Evropë, ku një amfiteatër tre mijëvjeçarë ndodhet kaq afër zemrës së qytetit, por edhe të portit. Për këtë arsye dhe për të gjitha ankesat që ne kemi marrë ndër vite, përsa i përket zhurmës, trafikut nga automjetet e rënda që aksesojnë portin, por nga ana tjetër edhe ndotjes mjedisore që vinte nga shkarkimet e anijeve të mallrave gjenerale apo dhe të kontenierëve, sigurisht me një punë shumë të detajuar dhe me mbështetjen e një nga kompanive më të mëdha në Evropë, Royal Haskoning, një kompani ekselence në sektorin detar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual i Durrësit ka arritur që të ketë një dokument të jashtëzakonshëm që parashikon dhe pararend, duke dizenjuar të gjitha hapat për ndërtimin e këtij porti të ri në Porto-Romano.

Tek ne prezantonim publikisht këtë projekt nga Maqedonia e Veriut dhe nga Kosova kërkuan që të ishin pjesë e këtij projekti, duke përfituar jo siç sot edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut e përdorë portin e Durrësit, por duke qenë e mundur krijimi i një lidhje me dy porte të thata, një i vendosur në Shkup, projektin fillimisht nga qeveria e mëparshme e Maqedonisë së Veriut, ka qenë për në Strugë, po më pas vetë qeveria maqedonase e ndryshoi duke e kërkuar në Shkup, në kryeqytet dhe një port tjetër i thatë në zonën e Prishtinës.

E thënë kjo, e gjithë procedura ndërkombëtare ka qenë transparente, ka pasur disa faza të saj, për përzgjedhjen e konsulencës edhe më pas për projektin dhe sot praktikisht kemi arritur në fazën e fundit të përfundimit të projektit për ndërtimin e këtij porti. Interesi ka qenë shumë i lartë. Pesë kompani të huaja, konsorciume kanë garuar dhe në 31 janar ne do të kemi fituesin e garës për ndërtimin e portit të Durrësit, i dalë nga një garë ndërkombëtare, e cila është udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Royal Haskoning. Sigurisht me pjesëmarrjen e të gjithë atyre departamenteve nga Autoriteti Portual i Durrësit që ligjërisht duhet të ishin pjesë e këtij procesi.

Në 31 janar, ne do të kemi një fitues, një konsorcium fitues që më pas duhet vazhduar me negocimin e kontratës dhe me synimin e madh për të nisur kantierin e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano, brenda këtij viti, pra vitit që do të vijë 2026-ës dhe sipas të gjithë llogaritjeve dhe sipas dokumentacionit, për tre vite ky port duhet të jetë i dorëzuar dhe operativ. Pra, Shqipëria në 2029 duhet të ketë të dorëzuar një port në zonën e Porto Romanos, porti më i madh në Ballkanin Perëndimor, i cili do t’i shërbejë Maqedonisë së Veriut edhe Kosovës gjithashtu.

Në këtë optikë, sigurisht që porti i Durrësit për ne ka qenë një prioritet, sigurisht që kemi kërkuar gjithmonë që të drejtohej nga profesionistë, të cilët jo vetëm njohin transportin, por nga ana tjetër, me aftësi negociuese me trupa ndërkombëtare, pasi porti i ri i Durrësit parashikohet dhe është në vullnetin politik të Qeverisë Shqiptare që të jetë edhe një bazë e NATO-s. Një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut dhe padyshim në Shqipëri, si aleati më besnik i kësaj force të jashtëzakonshme, bashkësie të jashtëzakonshme.

Për këtë arsye dhe për të gjitha arsyet e tjera të zhvillimit ekonomik të vendit, pasi porti i Durrësit, ai i riu që do jetë në Porto Romano, do të vazhdojë të jetë motori ekonomik i Shqipërisë, një motor ekonomik i cili nuk prodhon vetëm punësim, por prodhon një ekonomi zinxhir dhe për këtë arsye sigurisht drejtimi duhet të jetë gjithmonë në duar të mira, profesionale dhe mbi të gjitha në duar që garantojnë transparencën.

Për këtë arsye, duke qenë se Kreshnik Bajraktari duhet të marrë një detyrë të re, të cilën do ta bëjmë publike në ditët në vazhdim, pasi të kryhen të gjitha procedurat, stafetën do t’ia lë një tjetër kolegu të mirë që unë e kam njohur në punë dhe njerëzit njihen në punë, thuhet. E kam njohur vite më parë kur kemi qenë kolegë të dy qeverive, ai drejtonte Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dhe ky është Liburn Aliu. Liburn Aliu, arkitekt në profesion, por me një karrierë të gjatë në politikë, me dy mandate deputeti në Parlamentin e Kosovës. Me një karrierë të gjatë në ekzekutiv, katër vite ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe padyshim një koleg i mirë, i cili Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si një treg i përbashkët i zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor.

E thënë kjo, në fillim të muajit shtator unë bëra një bisedë me Liburnin dhe e pyeta, meqenëse më kishte njoftuar që po dilte nga politika, nëse do të kishte interes që të kontribuonte për Shqipërinë dhe si rrjedhojë padyshim edhe për Kosovën. E diskutuam me njëri-tjetrin dhe për të thënë të drejtën, ma ngrohu direkt zemrën sepse ju duk një propozim shumë interesant, një propozim që i shkonte përshtat vendimit që ai kishte marrë për të jetuar në Tiranë, kështu që me radhën time këtë propozim e çova te kryeministri.

Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe për Kosovën me të njëjtin pasion dhe dëshirë, për t’i parë shqiptarët në lartësinë që ata e meritojnë. Nuk është hera e parë që qytetarë të Kosovës janë përfshirë në ekzekutivin shqiptar. Kemi pasur ministra, kolegë të tjerë, drejtorë, por Liburn Aliu unë them, mendoj, për atë që unë e njoh, është më i spikaturi ndër të gjithë kolegët e tjerë kosovarë që na janë bashkuar në rrugëtimin tonë të kësaj dekade për ndërtimin e Shqipërisë. Kryeministri ma ka aprovuar propozimin tim, duke madje e mbështetur pasi Porti i Durrësit është porti i shqiptarëve dhe nuk është porti i Shqipërisë. Është porti që do t’i shërbejë shqiptarëve në të gjitha trevat e Ballkanit Perëndimor, është më shumë se një port, është porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor për komponentët më të rëndësishëm, që janë komponentët ekonomikë, por sigurisht dhe ata të sigurisë. Porti i Durrësit është porta hyrëse e Korridorit të VIII për të cilin ne kemi folur gjatë, por që tashmë nuk mbetet vetëm në fjalë, por janë projektet konkrete që flasin për një korridor ekonomik i bazuar mbi transportin dhe energjinë, por dhe një korridor sigurie i disponueshëm për të gjitha operacionet e NATO-s.

Porti i Durrësit ka nevojë për një drejtues profesionist, njohës të mirë të transportit, por nga ana tjetër edhe me një njohje të thellë politike dhe gjeopolitike të rajonit. Dhe Liburn Aliu padyshim i plotëson të gjitha këto kërkesa dhe kushte, duke na bërë besimplotë se detyra e cila po i ngarkohet atij sot në një moment shumë të rëndësishëm për zhvillimin detar, por edhe për sigurinë kombëtare, do të realizohet në mënyrën më të mirë.

Unë do t’i jap shkurt fjalën Kreshnikut, pasi i takon atij që t’ju thotë dy fjalë, ka bërë një copë rrugë me ju dhe ka qenë rrugë e suksesshme dhe më pas do t’ia kaloj fjalën Liburn Aliut, i cili sot merr stafetën dhe i shoh prej këtu e tutje atë rrugëtim, i cili do të na çojë drejt realizimit të një plani strategjik për transportin detar do të jetë në duart e tij.

 

***

Shumë faleminderit, Liburn! Ne pjesën formale e përfunduam, megjithatë, jemi në transmetim live, po s’ka asnjë lloj problemi, sepse pjesa njerëzore është shumë e rëndësishme. E preku pak, po Liburni është shumë i kujdesshëm dhe i kornizuar në gjërat që thotë. Që thoni ju, Liburnin e kanë njohur në Kosovë si i Shqipërisë, sepse Liburni një pjesë të shkollës së mesme e ka bërë në Elbasan. Madje, në klasë me Evis Kushin. Për më tepër, Liburn Aliu ka bërë plane para se t’i ofrohej ky pozicion, që të jetonte në Shqipëri, pavarësisht nëse do ta drejtonte portin e Durrësit, ai nuk e dinte. Pra, unë mora shkas për shkak se ai më tha që kam vendosur të dal nga politika e do vijë të jetojnë në Shqipëri, duhet që ta dini që do jetë dhëndër Shqipërie, kështu që më shumë anon këtej nga qytetari shqiptar tashmë sesa nga ai i Kosovës.

Megjithatë, ashtu siç thamë, porti është i Shqipërisë, i Kosovës, porti është i gjithë shqiptarëve dhe çka më lidh mua gjithashtu me Liburnin është një projekt i përbashkët që e kemi pasur të dy shumë përzemër. Do t’ju tregoj se si jemi njohur herën e parë. Në një nga këto aktivitetet ndërkombëtare, sigurisht na e do detyra të takojmë ministrat, prezantohemi, sidomos me ata të Kosovës jemi gjithmonë edhe më afër, diskutojmë ku kanë nevojë për mbështetje njëri apo tjetri në vota, në procese kur jemi ulur nëpër tryeza dhe Liburni më ka impresionuar, sepse kishte një hartë të vitit 1948 ndoshta, e cila ishte e bërë me atë lapsin me dy krah, i kuq dhe blu kush e mban mend, ju që jeni pak në moshë, si puna ime dhe ishte harta e korridoreve evropiane, imagjinoni në një letër të vitit 1948 nga e cila mungonte vetëm pjesa e shqiptarisë, për shkak të izolimit të regjimit komunist dhe për të thënë të drejtën aty e kemi nisur bisedën e parë, mes njëri-tjetrit duke thënë se si do t’ia bëjmë të dy si ministra Infrastrukture, që t’i fusim këto korridore dhe t’i zbresim deri në tokat shqiptare, pasi na takon dhe nëse kemi ngelë jashtë këtyre korridoreve evropiane, nuk ka qenë për faj as të Evropës dhe as të popullit shqiptar, po të një regjimi që kishte izoluar vendin.

Dhe kjo ka qenë sfida që na ka bashkuar të dyve. Dhe kështu nisëm punën dhe kemi luftuar fort në Bruksel për ta futur Shqipërinë, për ta integruar Shqipërinë brenda korridoreve, Korridorit Blu dhe Korridorit të VIII dhe kur kemi marrë lajmin nga Komisioni Evropian me të vërtetë ka qenë një nga arritjet më të mëdha politike që kemi bërë në Bruksel.

Nga ana tjetër, së bashku me Liburnin një nga projektet më të rëndësishme për ne të dy, por sigurisht me mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe patjetër edhe Kryeministrit të Kosovës, ka qenë hekurudha që do të lidhë Durrësin pikërisht me Kosovën. Një hekurudhë që është folur gjatë dhe ka mbetur gjithmonë nëpër letra, por që me dëshirën e madhe dhe me pasionin për ta ngritur Shqipërinë aty ku meriton për të realizuar ëndrra të mbetura në sirtar, së bashku me stafet tona të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë këtu në Shqipëri dhe të Ministrisë së Mjedisit dhe të Infrastrukturës në Kosovë, ne ia kemi dalë që të bënim një procedurë ndërkombëtare, transparente, me fonde të mbështetura në mënyrë të njëjtë nga të dyja qeveritë dhe në Shkodër kemi pasur prezantimin nga konsulentët e huaj të projektit me tre skenarë nga i cili është zgjedhur skenari i hekurudhës që shkon jo përmes Rrugës së Kombit, pasi e ka një akses pjesa e Prizrenit, por e hekurudhës që shkon drejt Shkodrës dhe më pas Gjakovës.

Një vepër infrastrukturore sfiduese, me më shumë se 100 ura dhe tunele, por që nga ana tjetër do ta bëjnë në të vërtetë portin e ri të Durrësit, port të shqiptarëve. Portet moderne me volumet që ne synojmë të kemi në dekadat e ardhshme, pasi po ndërtojmë një port, i cili do t’i përgjigjet nevojave të rajonit dhe jo vetëm të Shqipërisë për dekadat e ardhshme dhe jo për pak vite, padyshim kërkojnë lidhje hekurudhore. Nuk bëhet transporti i mallrave që vijnë nga deti me automjet, sepse janë kosto të larta, nuk ka efiçencë në kohë dhe nuk do ta shpikim ne rrotën e kanë bërë të tjerë para nesh, edhe brenda porteve ka hekurudha në ditët e sotme, siç do të ketë edhe porti i Porto Romanos.

Dhe një lajm tjetër i mirë, përveç faktit që Marina e Durrësit po ecën me ritme të mira, tashmë kantieri duket, duken ku janë ndërtesat, pjesa e detit ka përfunduar pjesa e parë e pastrimit dhe krijimit të plazhit, por për Marinën ka shumë informacion.

Do të desha të jap edhe një lajm tjetër, në këtë rast dhe t’ju falënderoj të gjithë ju që keni marrë pjesë në negociatën me një nga kompanitë më të mëdha të logjistikës evropiane, me Lidl-in gjerman.

Procedura praktikisht po shkon drejt mbylljes, ka qenë një negociatë e fortë për të ruajtur padyshim interesat e shtetit shqiptar. Është bërë një punë e shkëlqyer, e udhëhequr nga Kreshnik Bajraktari dhe gjithë stafi këtu dhe unë dua t’ju falënderoj dhe unë jam informuar se tashmë jemi në fazën e fundit dhe Zëvendësministri Kozeli, që e ka ndjekur gjithë procesin, më ka informuar që tashmë mbeten pak ditë nga firmosja e një kontrate me gjigantin e logjistikës, që do të kthejë zonën logjistike dhe ekonomike të Porto Romanos në hub-in më të madh rajonal, përsa i përket transportit dhe mbledhjes së mallrave që bën Lidl-i. Lidl-i gjerman i cili do të jetë një motor incentivues, jo vetëm për logjistikën dhe transportin, por edhe për bujqësinë shqiptare. Ata që e njohin pak historikun e Lidl-it e dinë shumë mirë se aty ku ai vendoset e gjithë bujqësia që ndodh përreth, pra i gjithë sektori bujqësor fillon dhe lulëzon, pasi kontratat janë të parashikuara me vite më parë dhe të planifikuara se cilat janë produktet që duhen për vitin pasardhës.

Keni bërë një punë shumë të mirë nën drejtimin e Kreshnikut dhe jam shumë e sigurt që do bëni një punë akoma më të mirë nën drejtimin e Liburn Aliut dhe mos harroni që ajo çfarë ju bëni nuk është një punë e thjeshtë 8 me 4, është një mision për Shqipërinë, është një mision për shqiptarët.

Shumë faleminderit dhe punë të mbarë të gjithëve!