Në kuadër të Paktit për Universitetin, si dhe me qëllim njohjen e studentëve me ecurinë e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me Universitetin Politeknik të Tiranës, ministrja Belinda Balluku zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Fakultetit të Gjeologjisë.
Ministrja Balluku i njohu të rinjtë me nismat që Ministria ka hartuar në mbështetje të studentëve ndërsa këta të fundit bënë të ditur disa prej shqetësimeve të tyre.
Ministrja garantoi studentët sa tashmë çështja e godinës së Fakultetit të tyre është zgjidhur dhe ajo tashmë është në pronësi të Fakultetit dhe se Ministria ka parashikuar rikonstruksionin e saj me qëllim krijimin e kushteve më të mira si për zhvillimin e studimit ashtu edhe për praktikat të cilat bëhen brenda ambienteve të Fakultetit.
Punësimi çdo vit i pesë studentëve ekselentë, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë apo institucioneve nën varësi, është një tjetër angazhim të cilin Balluku u’a përcolli studentëve teksa garantoi edhe mbështetje për zhvillimin e praktikave mësimore apo hartimin e projekteve të përbashkëta.
“Është detyrë e jona që t’ju zgjidhim problematikën sa më parë me ndërtesën që tashmë është pronësi e Fakultetit tuaj por rikonstruksioni i saj është një nga prioritetet që ministria e Arsimit në mbështetje dhe nga Ministria e Infrastrukturës ka. Praktikat tuaja të akomodohen në mënyrën sa më të mirë të mundshme sipas specifikave që kërkuat gjatë këtij takimi për ti bërë ato efikase dhe të kenë dobi në ecurinë tuaj në të ardhmen kudo që do të vendosni të punoni”, nënvizoi Balluku.
Ministrja u shpreh gjithashtu se prezenca e kompanive të huaja, të cilat veprojnë në vendin tonë në sektorin e hidrokarbureve, janë një mundësi më shumë për studentët sa i takon punësimit të tyre.
“Të gjitha këto do bëjnë që në të ardhmen mundësitë tuaja për punësim të jenë gjithmonë e më të larta dhe ju duhet të keni zgjedhje, të vendosni nëse do të punoni në administratën publike si ekspertë apo nëse të punoni në entitete private kaq të shquara dhe kaq të mëdhaja në fushën e hidrokarbureve apo dhe të minierave”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi më tej se studentët janë gjithmonë të mirëpritur për të shfaqur idetë, sugjerimet dhe kërkesat e tyre sa i takon bashkëpunimit dhe mbështetjes nga ana e institucioneve shtetërore.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë