Kontrolli Teknik i Automjeteve tashmë është rikthyer në normalitet, pasi periudhës tranzitore ku ky shërbim kaloi nga koncensionari tek Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Krahas risive ku tashmë mjetet e reja me 0 km, 3 vitet e para nuk do të kryejnë shërbimin e kontrollit teknik, mjetet e përdorura, nga 1 herë në vit, do e kryejnë kontrollit teknik 1 herë në 2 vjet dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga çdo 6 muaj do ta kryejnë vetëm 1 herë në vit kontrollin teknik, po investohet edhe për rehabilitimin e godinave për të garantuar ambiente pritëse më të mira për qytetarët dhe punonjësit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me Drejtorin e DPSHTRR, Blendi Gonxhja, ndoqën nga afër investimin e nisur për rehabilitimin e Qendrës së Kontrollit Teknik të Automjeteve Tirana 1.
Drejtori Gonxhja sqaroi se përmes implementimit të sistemeve teknologjike bëhet e mundur rritja e sigurinë së kontrollit duke garantuar më tepër transparencë. “Sistemi është integral për të gjithë vendin, është i monitoruar në kohë reale. Defektet filmohen, ato arkivohen në dosjen dixhitale të mjetit. Sistemi është një investim i ri i vitit 2020, pra tërësisht pajisje, servera të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm pasi më parë kanë qenë të gjitha stacionare dhe kanë qenë të gjitha nëpër rajonale, fshiheshin, humbisnin”, tha Gonxhja.
Investimet që janë realizuar, kanë në fokus rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarit duke ju përgjigjur në një kohë sa më të shpejt dhe me cilësi më të lartë, pa ndryshuar tarifën duke mos rënduar xhepin e qytetarëve. Ministrja Balluku tha se nuk do të ketë asnjë tolerim dhe rregullat do jenë strikte sa i takon kontrolleve dhe ky fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e fundit të muajit Qershor.
“Sot me të gjitha ndryshimet që kemi bërë të bazuar në eksperiencat më të mira në shtetet e tjera europiane dhe i aplikojmë në Shqipëri. Kemi arritur që të zgjasin kohën e certifikimit duke përgjysmuar çmimin e këtij procesi për çdo qytetar. Por, nga ana tjetër insistoj dhe e nënvizoj që jemi shumë serioz në punën që bëjmë. Vetë numri i automjeteve të ngelura, pra 24% e shumës së automjeteve që kanë kaluar gjatë qershorit, tregon se ne po afrojmë kushte, ne po mundohemi që ky shërbim të jetë me çmime sa më të ulëta, me kohë sa më të gjatë, por ama duhet të qytetarët të jenë konform të gjitha kërkesave për të marrë cerfitikimin e kolaudimit”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se “investimi që ne bëjmë në të gjitha qendrat ku operojmë, qofshin këto qendrat e pritjes dhe të përpunimit të kërkesave të qytetarëve apo edhe pikat e kolaudimit, padyshim do të plotësojë të gjitha kushtet që tashmë janë kritere bazike në Drejtorinë e Transportit Rrugor. Ne nuk tolerojmë më që të kemi ato vende ku arkivat ishin të përmbytura nën ujë apo ku qytetarët prisnin në diell apo në shi”.
Punimet në dy Qendrat e Kontrollit Teknik të Automjeteve në Tiranë konsistojnë në rikonstruksion të objekteve, si dhe do të kryhen punime për rregullimin dhe sistemimin e hapësirave të jashtme.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë