Në qytetin e Korçës ka nisur puna për ndërtimin e godinës së re të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor. Godina e vjetër është ndërtuar në vitet ’60-të duke qenë kështu jashtë kushteve normale për të ofruar një shërbim cilësor për qytetarët.
Me investimin e DPSHTRR synohet që t’i jepet fund kësaj situate duke krijuar të gjitha kushtet, jo vetëm për një shërbim sa më cilësor dhe të shpejt, por edhe në mjedise optimale për qytetarët dhe punonjësit e kësaj drejtorie. Godina e re do të mundësojë një infrastrukturë tërësisht të re, në standarde europiane për arkivat, sistemin e monitorimit si dhe gjithë proceset e tjera.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja dhe kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo ndoqën nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e godinës së re të DRSHTRR.
Ministrja Balluku, në një prononcim për mediat, u shpreh se gjatë këtyre tri viteve është ndërhyrë në pothuajse të gjitha Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor ku janë evidentuar problematika, të cilat lidhen me amortizimin e godinave. Njësoj si Tirana, Fieri, Shkodra apo dhe Laçi edhe drejtoria e Korçës do të ketë një ambient të denjë për ofrimin e shërbimit.
“Në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor ne kemi një plan për zhvillimin e të gjitha kapaciteteve për shërbim në çdo qytetet të Shqipërisë. Këto kapacitete përveç investimit në kapacitetet njerëzore që ne kemi bërë ka të bëjë padyshim edhe me ndërtesat ku ofrohet ky shërbim. I kemi nisur këto punë pasi kemi identifikuar të gjithë problematikën. Kështu që edhe Korça, e cila është një nga qytetet më të rëndësishme për turizmin shqiptar, meriton që të ketë padyshim një ndërtesë dhe një vend ku të gjithë drejtuesit e automjeteve, të gjithë ata që kanë lidhje me transportin rrugor t’i marrin shërbimet në mënyrë moderne dhe të edukuar. Pse jo edhe punonjësit të cilët kalojnë ditët e tyre në një mision të vështirë, pse mos ti ofrojmë këto shërbime në ambiente që e meritojnë”, u shpreh Balluku.
DRSHTRR Korçë ofron mesatarisht rreth 120 mijë shërbime në vit për drejtuesit e mjeteve. Në të janë të regjistruar rreth 60 mijë drejtues mjetesh si dhe 32 mijë mjete në nivel qarku.
“Për ne ka qenë një sfidë e madhe rritja e cilësisë së shërbimeve në Transportin Rrugor. I gjithë procesi dhe sigurisht nuk konsiston vetëm tek godinat, por tek të gjitha proceset, nga ulja e ndjeshme e dorëzimit të një shërbimi, pra siç është rasti i lejes së drejtimit që tashmë e marrin brenda ditës në shumë drejtori në të gjithë Shqipërinë apo edhe noterizimi që dikur vinin vërdallë nëpër noterë me çmime shumë të larta dhe sot nuk është e nevojshme pasi e kryen vetë drejtoria, duke e ulur çmimin nën 50% për qytetarët. Kjo ka qenë një politikë e ndjekur ditë pas dite, hap pas hapi e bazuar sigurisht në eksperiencën që ne kemi pasur, në ankesat që qytetarët na kanë drejtuar dhe kemi akomoduar gjithçka që ata kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe padyshim nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor”, shtoi më tej Balluku.
Projekti për DRSHTRR Korçë parashikon ngritjen e dy godinave, njëra prej tyre, me tre kate, do të jetë godina administrative e DRSHTRR Korçë së bashku me ambientet e shërbimit dhe arkivat, ndërsa në godinën numër dy do të vendoset kapanoni për kryerjen e identifikimit teknik dhe fizik të mjeteve.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë