Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për kredinë dhe grantin e financimit të projektit për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Belshit:
I nderuar Ambasador,
I dashur Silvio,
Të nderuar përfaqësues të BERZH, të pranishëm, përfaqësues të ambasadës austriake, si partner gjithashtu i këtij projekti. Duhet thënë se ndryshimet e thella klimaterike, sigurisht kanë vënë botën para një fakti, por edhe Shqipërinë se duhet patjetër që të punojmë sa më shumë, përsa i përket energjisë, përsa i përket pavarësisë së saj dhe mbi të gjitha burimeve të gjelbërta.
Shqipëria nuk bën asnjë përjashtim, përkundrazi, është shembull sesi një vend i vogël, por me potencial të jashtëzakonshëm natyror, mund të transformojë një sfidë në mundësi. Sot më shumë se kurrë jemi të vetëdijshëm se e ardhmja nuk mund të mbështetet më mbi modele të vjetra, por mbi një vizion të ri të bazuar në qëndrueshmëri, inovacion, partneritet dhe mbi të gjitha në pavarësinë energjetike.
Në sektorin energjetik Shqipëria ka zgjedhur të ecë përpara me hapa të matshëm dhe ambiciozë, duke synuar jo vetëm të rrisë sigurinë e furnizimit dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë, por dhe të bëhet një pikë referimi për investimet e gjelbra në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor. Qeveria Shqiptare, nën vizionin e Kryeministrit Rama, e ka treguar qartë se diversifikimi i burimeve energjetike është prioritet strategjik dhe këtë nuk e kemi lënë thjesht në letër. Sot Shqipëria ka rritur kapacitetet e saj prodhuese nga burime të tjera të rinovueshme, jo vetëm ato hidrike që kemi pasur, me 500 megavat. Dhe kjo, patjetër ka shtuar qëndrueshmërinë e sistemit tonë energjetik duke krijuar dhe duke garantuar kështu që ky zhvillim të mbështetet në burime të gjelbërta, por nga ana tjetër, në burime të ndryshme nga ato tradicionalet.
Shqipëria sot është një nga vendet më tërheqëse për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kjo, jo vetëm falë ankandeve transparente dhe të certifikuara që kemi 5 vitet e fundit që organizojmë, por nga ana tjetër, edhe për shkak të një kuadri ligjor për zhvillimin e kapaciteteve gjeneruese privatisht, qoftë për qëllime komerciale apo për vetëprodhim. Por përtej sektorit privat, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, si prodhues publik më i madh në vend, ka marrë rolin që i takon dhe ka nisur një sërë projektesh konkrete që do të transformojnë realisht mishelën energjetike të vendit tonë. Pas impiantit diellor në digën e Qyrsaqit me kapacitet 5 megavat, janë në zhvillim dy impiantet e tjera të cilat mund t’i konsiderojmë patjetër inovatore. Një impiant diellor lundrues në Vaun e Dejës prej 13 megavatorësh dhe një tjetër në digën e Zadejës me kapacitet 8 megavat. Këto nuk janë vetëm panele lundruese, por janë shembuj të përdorimit inteligjent të hapësirës dhe teknologjisë në shërbim të qëllimeve kombëtare pa dëmtuar mjedisin dhe pa prekur komunitetet. Por jo vetëm kaq, partneriteti që ka nisur në nëntor të vitit të shkuar me gjigandin e Emirateve të Bashkuara, Masdar, parashikon ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme prej 3 gigavat, të cilat janë një sinjal i qartë i ambicies tonë.
Për më tepër, projektet për rritjen e kapaciteteve eksportuese të vendit përmes linjave të interkonjeksionit, si ajo me Maqedoninë e Veriut, që shpresojmë të marr rrugë sa më parë nga ana maqedonase, duke qenë se i gjithë ndërtimi në territorin shqiptar duhet të përfundojë sipas kontratës në simestrin e parë të 2026-ës, por shpresojmë që pala maqedonase të angazhohet me të njëjtin ritëm, duke qenë se kjo linjë interkonjeksioni është një nga plotet më të rëndësishme të Korridorit të VIII- të Energjetik. Nga ana tjetër, ne jemi duke punuar ngushtësisht me qeverinë greke, përsa i përket dyfishimit të kapaciteteve deri në trefishim të tyre krahasuar me linjat e sotme të transmetimit.
Por, ajo çka duhet shënuar dhe për të cilën jemi krenarë është negociata që ne kemi nisur me shtetin italian për ndërtimin e linjës së transmetimit nënujore, që do ta kthejë Shqipërinë në një nga habet më të rëndësishme të transmetimit të energjisë dhe jo vetëm të prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Dhe pikërisht në këtë kuadër vjen dhe një tjetër projekt, një projekt për të cilin jemi mbledhur sot këtu në sallën e COD e cila tashmë është bërë tradicionalisht një sallë, ku japim lajme të mira për ankandet dhe për zhvillimet energjetike në vendin tonë.
Sot ndodhemi këtu në prani edhe të ambasadorit Gonzato, i cili besoj që është i kënaqur për këtë projekt, ashtu siç jemi dhe ne në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, pasi sot na do të firmosim një marrëveshje për grantin dhe për financimin nga BERZH të një projekti, i cili synon ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Belshit, në bregun verior të liqenit të Thanës, prej 50 megavatorësh. Një park, i cili do të ofrojë energji për 16 mijë e 100 abonentë, ose e thënë ndryshe rreth 50 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Në ndërkohë që kapacitetet e tij vjetore do të jenë 79 gigavat dhe do të reduktojnë me 50 mijë tonë CO2 në çdo vit.
Ky park diellor, jo vetëm që shton kapacitetin prodhues të KESH, jo vetëm krijon qëndrueshmëri, por edhe decentralizim të prodhimit të rinovueshëm. Nga ana tjetër shënon një hap të rëndësishëm të integrimit të zonave të reja në rrjetin energjetik. E kemi thënë shpesh që tashmë asnjë projekt nuk është i rastësishëm. Tashmë të gjitha projektet janë të studiuara, ashtu siç janë të studiuara edhe zonat ku duhet të ngrihen këto projekte, qofshin ato eolike, sipas korridoreve të përcaktuara, apo qofshin këto fotovoltaike, të cilat kanë të bëjnë jo thjesht me rrezatimin dhe fizibilitetin e projektit, por edhe me kapacitetet e transmetimit dhe të shpërndarjes në Republikën tonë.
I gjithë ky proces, procesi i studimeve, procesi i bashkërendimeve që ndodhin sot midis sektorit privat dhe sektorit publik, por, nga ana tjetër, edhe bashkërendimi që ndodh midis tre kompanive shtetërore, OSHEE Group-it, OST-së dhe KESH ka sjellë një përmirësim të dukshëm financiar, ka sjellë një përmirësim të dukshëm të shërbimit, i cili do të vijë duke u rritur në vitet e ardhshme pikërisht nga planifikimi që tashmë ne bëjmë në sektorin energjetik.
Duke ju kthyer projektit, do të thoja që ky është një projekt shumë i dashur për ne në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, sidomos për KESH, që e ka ndjekur nga momenti i parë gjithë këtë rrugëtim, duke qenë se është ngjizur në një periudhë shumë të vështirë. Është ngjizur në periudhën e krizës energjetike, kur Bashkimi Europian dhe përfaqësuesit e delegacionit këtu në Shqipëri, përmes kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor, hapi një thirrje të dedikuar për projekte energjetike, me qëllim ngritjen e kapaciteteve të reja nga burimet e rinovueshme. Dhe sigurisht u përdorën një sërë incentivash për masa e projekteve që kontribuojnë në rritjen e efiçiencës energjetike. Kjo thirrje rezultoi e suksesshme për ne, pasi arritëm të përfitojmë një mbështetje financiare për zhvillimin e këtij projekti në Parkun Fotovoltaik të Belshit, një mbështetje që vjen nga Bashkimi Europian në formën e grantit me 9.58 milionë euro, që është rreth 23% e vlerës së investimit, ndërkohë e shoqëruar me një hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që ekuivalon në 30 milionë euro. BERZH-i, që tashmë është një partner i yni i konsoliduar në sektorin energjetik.
Projekti ka afate të mirëcaktuara. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ne do të përgatitemi për thirrjen ndërkombëtare të ndërtimit të këtij parku, dhe në një periudhë gjashtëmujore kompania fituese duhet të dorëzojë projektin e detajuar dhe më pas 12 muaj janë të mjaftueshëm për ndërtimin e kësaj vepre. Për tu ndalur vetëm për një çast, ne ashtu siç e thashë dhe më lart, tashmë kemi krijuar një traditë dhe kemi krijuar padyshim edhe një emër të mirë në tregun ndërkombëtar përsa i përket ankandeve të energjisë së rinovueshme këtu në vendin tonë.
Për këtë arsye gjatë gjithë analizave që kemi bërë dhe gjatë gjithë studimit të territorit kemi arritur në përfundimin se të gjitha ato toka të pafrytshme të ndodhura në bashkitë e ndryshme të vendit, duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike, duke u bërë pjesë kështu edhe vetë bashkitë në këto ankande. E them këtë, pasi shpeshherë na vijnë kërkesa për tokat të cilat merren me qera disavjeçare nga privatët në bashkitë e ndryshme të vendit, ndërkohë që bashkitë nuk kanë kapacitete për të ngritur ankande apo as kuadër mbi të cilin duhet të funksionojnë. Për këtë arsye, në një bashkëpunim të plotë me të gjitha bashkitë e vendit, ne kemi nisur një proces për të identifikuar ato prona, të cilat janë në regjistrat dhe inventarët e bashkive, të cilat nënvizoj janë të pafrytshme dhe nuk mund të kontribuojnë në sektorin bujqësor shqiptar, apo për arsye të tjera zhvillimore, të cilat duhet të vendosen në dispozicion të Ministrisë Infrastrukturës dhe të Energjisë e cila me të gjithë kapacitetet teknike që ka, të gjithë eksperiencën e mirë dhe partneritetin që kemi me trupat ndërkombëtare në vend, ne mund të arrijmë që të gjitha këto sipërfaqe të disponohen për ankandet ndërkombëtare, me të gjithë certifikimin dhe transparencën që tashmë kemi krijuar, por duke bërë bashkitë e vendit partnerë në këtë proces dhe duke i dhënë atyre përfitimin që i takon dhe qytetarëve të bashkive përkatëse.
Po i kthehem edhe një herë procesit të sotëm, kësaj dite të shënuar për sektorin tonë energjetik dhe gjej rastin të falënderoj partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Europian dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, veçanërisht ambasadorin Gonzato, gjithashtu përfaqësuesit e BERZH-it. Katia shumë faleminderit edhe për këtë rrugëtim, kemi bërë shumë procese të tilla bashkë dhe të cilat na kanë rezultuar të suksesshme.
Sigurisht falënderojmë qeverinë austriake, e cila na mbështeti gjatë përgatitjes së procesit të aplikimit për përfitimin e financimit të këtij projekti dhe ky përfitim nuk është vetëm për një projekt, sepse e gjithë mbështetja që ju na dhatë gjatë procesit ka ngritur tek ne kapacitete njerëzore që do të përdoren edhe në aplikime të ardhshme dhe padyshim ajo që na gëzon dhe na motivon është se besimi i partnerëve ndërkombëtarë është një tjetër dëshmi për rolin dhe kapacitetin e Shqipërisë për të udhëhequr tranzicionin e gjelbër në rajon. Me projekte të tilla ne jo vetëm ndërtojmë një të ardhme më të qëndrueshme, por forcojmë rolin strategjik të Shqipërisë në arkitekturën energjetike të Ballkanit Perëndimor.
Shumë faleminderit dhe do ftoja për fjalën e rastit ambasadorin Gonzato!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë