Zona e Fushë-Krujës dhe fshatrat përreth do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm në saj të investimit të Qeverisë Shqiptare, i cili përfshinë rehabilitimin e puseve ekzistuese si dhe ndërtimin e linjës së transmetimit dhe rrjetit shpërndarës.
Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe kreun e AKUM, Alqi Bllako, inspektuan punimet që po bëhen për ndërtimin e depos së re të ujit, pjesë e këtij projekti me një kapacitet prej 4 mijë metër kub.
“Depo e re e Fushë-Krujës që po ndërtohet për të furnizuar Fushë-Krujën dhe fshatrat përreth është një ndër depot më të mëdha në nivel kombëtar dhe do të garantojë sasinë e nevojshme të ujit për të furnizuar me ujë 24 orë të gjitha këto zona. Investimet e fundit në këtë zonë datojë prej viteve ’80-të. Rrjeti ka qenë tërësisht i amortizuar dhe kosto e energjisë shumë e lartë për shkak të humbjeve në rrjet”, bëri të ditur Bllako.
Ministrja Belinda Balluku njoftoi se janë më shumë 27 mijë banorë të cilët përfitojnë nga ky investim, i cili do të përmirësojë jo vetëm sasinë e ujit, por edhe cilësinë e tij.
“Punimet janë duke ecur me ritme të kënaqshme. Kjo është një kontratë që ka filluar në maj të 2020-ës, por edhe në këtë kantier ne synojmë që të përfundojmë gjithçka para fillimit të pranverës të vitit 2021. Kjo është një vepër e cila do t’ju shërbejë mbi 27 mijë banorëve të zonës së Fushë-Krujës dhe është një investim i Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Investimi parashikon gjithashtu prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe abuzive në rrjet, pajisjen e abonentëve familjarë dhe entet publike e private me ujëmatësa duke ulur koston e energjisë çka do të mundësojë rritjen e treguesve financiare të UK Krujë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë