Mbi procedurën e dhënies me koncension të Termocentralit të Vlorës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/03/2019

Mbi procedurën e dhënies me koncension të Termocentralit të Vlorës

Deklaratë për media

Lidhur me lajmet e publikuara në media për procedurën e dhënies me koncension të Termocentralit të Vlorës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se:

Në Dokumentet e Procedurës Konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të Termocentralit të Vlorës, ka qenë parashikuar një vizitë në terren, me datë 15 Janar 2019, në të cilën morën pjesë 27 përfaqësues nga shoqëri të interesuara. Shumicës së këtyre shoqërive (23) pasi kanë plotësuar dhe dorëzuar Formularin e Konfidencialitetit i është dhënë aksesi në Bazën e të Dhënave (Data Room), administruar nga Konsulenti i angazhuar në këtë procedure – Roland Berger, në të cilat ndodhen të dhëna teknike dhe financiare rreth termocentralit ekzistues të Vlorës.

Pas vizitës në terren, nga ana e operatorëve ekonomikë të interesuar janë bërë tashmë 48 kërkesa për sqarime, kryesisht të karakterit teknik, duke kërkuar informacione shtesë por dhe të karakterit ligjor, që kanë të bëjnë me formën e Kontratës Koncesionare (ROT) për termocentralin dhe ndërtim, forma (BOT) për tubacionin e gazit, që ndikon në hartimin e “Business Plan” të shoqërive.

Procedura e dhënies së Koncesionit/PPP, nisur nga këto kërkesa, është pezulluar përkohësisht dhe Komisioni është duke vlerësuar të gjitha kërkesat e paraqitura.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, nisur nga qëllimi dhe parimet e Ligjit, për nxitjen e pjesëmarrjes dhe rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në këtë procedurë konkurruese, ka pezulluar procedurën me qëllim  shqyrtimin dhe sqarimin e palëve të interesuara në lidhje me kërkesat e paraqitura prej tyre në AK, me synim mundësimin e pjesëmarrjes të sa më shumë ofertuesve në këtë objekt procedurë koncesionare, i cili është mjaft i rëndësishëm për sistemin elektro-energjetik Shqiptar dhe zhvillimin e sektorit të Gazit në Shqipëri.