Mbahet në Tiranë Forumi i Kartës Ndërkombëtare të Energjisë, Balluku: Prioritet diversifikimi i burimeve për prodhimin e energjisë në vend - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 13/06/2019

Mbahet në Tiranë Forumi i Kartës Ndërkombëtare të Energjisë, Balluku: Prioritet diversifikimi i burimeve për prodhimin e energjisë në vend

Fjala e plotë e ministres Belinda Balluku në Forumin e Kartës Ndërkombëtare të Energjisë

 

Të nderuar pjesëmarrës!

Të nderuar ministra!

Faleminderit që ndodheni të gjithë këtu sot dhe faleminderit për vëmendjen.

Zhvillimi i Forumit të Konferencës së Kartës së Energjisë 2019 nën presidencën shqiptare është një nga ngjarjet më të rëndësishme për sektorin e energjisë në Shqipëri dhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë veçanërisht.

Prioritetet e presidencës shqiptare, që reflektojnë dhe parimet dhe objektivat e Kartës së Energjisë, janë ndërlidhja me rrjetet rajonale të energjisë, krijimi i një tregu energjetik konkurrues, inkurajimi i procesit të tranzicionit të energjisë mbështetur në rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të saj nga burime të rinovueshme si dhe modernizmi i traktatit të Kartës.

Për më tepër, në fokus të këtij mandati mbetet zgjerimi i vazhdueshëm i Kartës nëpërmjet anëtarësimit të vendeve të reja, përgëzoj Jordaninë dhe Jemenin për anëtarësimin dhe përfshirjen e tyre të menjëhershme në mbledhjet e organeve ndihmëse të Konferencës së kartës. Nxit dhe i uroj suksesshme të mëtejshme Kinës dhe Ugandës të cilët kanë nisur procedurën e anëtarësimit.

Ky Forum do të adresojë sot tema shumë të rëndësishme lidhur me sektorin e energjisë me treguesit e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit në nivel kombëtar, rajonal dhe global.

Pjesëmarrësit sot në këtë Forum do të ndajmë mes tyre eksperienca për procese, studime, ide, shqetësime dhe sugjerime me vlerë të madhe për  zhvillimin e sektorit energjetik duke i konsideruar dimensionet e mësipërme, të pashkëputura nga realitete respektive të vendeve nga vijnë dhe në një kontekst bashkëpunimi për zgjidhjen e tyre.

Kur flasim për sigurinë e furnizimit me energji, jam e bindur dhe e theksoj se vendet të cilat e kanë bazuar këtë tregues në një apo pak burime të prodhimit të energjisë, siç është dhe rasti i Shqipërisë, janë të ndjeshëm dhe të varur nga specifikat e këtyre burimeve. Si pasojë, vështirësohet gjithashtu dhe sigurimi i eficencës dhe kostot e ulëta të energjisë duke kompromentuar krijimin e ekonomive të shkallës në energji por dhe zhvillimin e sektorit në mjedise konkurrencë të lirë.

Në këtë kushte, Shqipëria ka vendosur si prioritet të parë të saj diversifikimin e burimeve për prodhimin e energjisë në vend duke u bazuar në potencialet kombëtare por dhe ato rajonale e më gjerë. Në prodhimin e energjisë elektrike Shqipëria vazhdon të mbetet një vend 100% prodhues nga burime të rinovueshme dhe ndoshta është i vetmi i tillë në Europë.

Nxitja dhe mbështetja e qeverisë shqiptare si nga ana ligjore dhe ajo ekonomike i investimeve në energjinë e rinovueshme do të rrisë treguesit e diversifikimt dhe do të përmirësojë sigurinë energjetike në vend, shoqëruar kjo me pritshmërinë e lartë mbi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon.

Investime të qenësishme në këtë kuadër janë me rëndësi jetike për sektorin prandaj dhe karta e Energjisë prej vitit 2018 ka nisur hartimin dhe publikimin e përvitshëm të raportit mbi vlerësimin e riskut të investimeve në energji. Ky raport është një instrument i vyer i cili i shërben politik bërësve dhe investitorëve për vlerësimin e politikave, identifikimin e barrierave penguese dhe forcimin e kuadrit rregullator me qëllim përthithjen e investimeve në energji dhe reduktimin e pengesave për realizmin e tyre.

Zhvillimi mëtejshëm i dokumentit vlerësimi i riskut për investimet në energji është një prioritet i presidencës shqiptare. Ne kemi kënaqësinë të njoftojmë se 90% e vendeve pjesëmarrëse në raportin e vitit 2018 marrin pjesë dhe në raportimin vjetor 2019. Kjo do të thotë se ky dokument ka arritur qëllimin e tij për të qenë një raport objektiv dhe udhërrëfyes që mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

Për më tepër, këtë vit, vlerësimi i riskut të investimeve në energji ka parë një zgjerim gjeografik duke u shtrirë nga Europa në Lindjen e Mesme, Afrikë, Azi, Amerikën Qendrore dhe atë Latine. Inkurajoj Sekretariatin të vazhdojë diskutimet me palët në mënyrë që të arrijë te një version i miratuar i raportit të vlerësimit të riskut për investimet në energji që do të kombinojë, vullnetin e palëve me nevojën për të përmirësuar dhe modernizuar raportin.

Gjithashtu shfrytëzoj rastin për të ftuar më shumë vende ti bashkohen këtij forumi për të zhvilluar më tej këtë metodologji si një instrument i vlefshëm në hartimin e politikave.

Falënderoj anëtarët e Kartës së Energjisë për kontributin e dhënë përmes diskutimeve të vazhdueshme lidhur me procesin e modernizimit të konferencës i cili pritet të finalizohet në tetor.

Të nderuar pjesëmarrës, si vendi që drejton Kartën e Energjisë për vitin 2019, Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar për të forcuar akoma më tej këtë organizatë dhe për të nxitur atë drejt hapësirave të reja lidhur me zgjerimin dhe arritjen e objektivave të vendosura nga të gjitha vendet anëtare.

Uroj që ky forum të japë kontribut shumë të rëndësishëm në këtë aspekt dhe Presidenca Shqiptare të shënojë një vit të suksesshëm.

Ju ftoj dhe ju mirëpres në dhjetor sërish këtu në Tiranë në konferencën e Kartës së Energjisë për të ndarë e festuar arritjet dhe sukseset tona gjatë këtij mandati të Presidencës shqiptare.

Ju falënderoj.