Fjala e Ministres Balluku gjatë firmosjes së marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, një hap për mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës
I nderuar Kryeministër,
I nderuar Rektor,
Kolegë,
Studentë,
Pata së gjithash një muaj të mbarë se ky është muaji juaj, tetori. Fillimi i një viti të ri shkollor për ju me plotë shpresa dhe plane për të ardhmen, por që këtë vit përkon edhe më një iniciativë të re pjesë e paktit për universitetin. Pakti për universitetin filloi në fund të vitit 2018 dhe nga ajo kohë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës kanë bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë, duke përfituar në mënyrë të anasjelltë nga projektet dhe nga suporti që ne kemi marrë, përsa i përket angazhimit të profesorëve dhe studentëve, por nga ana tjetër edhe nga praktikat që janë zhvilluar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke akomoduar mjaft studentë të këtij universiteti.
Megjithatë sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që Shqipëria të punojë për ngritjen e një kapitali njerëzor, i cili do ti përgjigjet kërkesave të integrimit në Bashkimin Europian dhe jo thjesht kërkesave të tregut tonë. Industria e rëndë, ajo që përfshin transportin, që përfshin minierat, ajo që mbulon shumë sektorë jetik të vendit, sot më shumë se kurrë ka një kërkesë të jashtëzakonshme për burime njerëzore, të cilat duhet të jenë jo thjesht të afta dhe të gatshme për të përballuar të gjitha sfidat, por duhet të jenë të trajnuara dhe të kenë kaluar të gjitha fazat e edukimit, sipas kritereve që Bashkimi Evropian sot ka vendosur.
Pa njerëz të formuar, pa të rinj të arsimuar dhe të trajnuar çdo reformë, çdo investim, çdo vizion mbetet i mangët. Prandaj sot më shumë se kurrë duhet të investojmë tek të rinjtë, tek ata që do të jenë nesër inxhinierët, mjekët, që do të jenë ekonomistët dhe juristët, që do të jenë specialistët e transportit dhe të aviacionit. Ata që do të udhëheqin Shqipërinë drejt një zhvillimi të vrullshëm dhe mbi të gjitha të qëndrueshëm.
Për këtë arsye qeveria Rama ka hartuar një program qeverisës që vendosë njeriun në qendër, duke ofruar paga dinjitoze, kushte pune konkurruese, mundësi reale për zhvillimin profesional. Brenda këtij mandati paga mesatare kombëtare do të arrijë 1000 euro, por siç thamë nuk mjafton vetëm paga. Më thelbësor, patjetër është krijimi i mundësive të arsimit dhe trajnimit profesional. Shkollat do të transformohen në qendra multifunksionale, me konvikte dhe kurse, duke i pajisur të rinjtë tanë me certifikime ndërkombëtare që do të njihen kudo dhe veçanërisht në Evropë. Ky është një investim i drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor. Formimi i brezit të ri është prioritet i posaçëm dhe i Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, e cila ashtu siç thashë mbulon sektor jetik të vendit dhe të ekonomisë. Ne synojmë të rekrutojmë profesionistë të rinj, jo vetëm për t’i trajnuar, por për t’i përgatitur dhe ofruar punësim afatgjatë, në projekte konkrete të infrastrukturës, që tashmë janë të shumta, duke nisur nga aviacioni, tek industria detare dhe padyshim tek energjia.
Një pjesë e mirë e ekspertëve që punojnë në këtë sektor janë në vitet e fundit të karrierës së tyre dhe do t’i duhet t’i lënë stafetën një gjenerate të re profesionistësh për të garantuar zhvillimin e vazhdueshëm të vendit tonë. Vetëm gjatë vitit 2024 dhe 2025, OSHEE Group ka nisur një nga praktikat më të mira, duke hapur një thirrje për të rekrutuar sa më shumë inxhinierë dhe teknikë të rinj, duke ndryshuar kështu formatin e një ndërmarrjeje që ka më shumë se 6 mijë punonjës dhe duke krijuar një traditë të kalimit të stafetës nga brezi në brez. Kemi pasur 245 aplikime për 60 vende inxhinierësh dhe elektricistësh dhe nga ana tjetër sot janë hapur sërish aplikimet 223 të tilla, të cilat synojnë që të kenë edhe një grup të dytë, pra në vazhdimësi, të atyre që u rekrutuan në vitin 2024.
Të njëjtën praktikë kemi ndjekur edhe në Albpetrol, ku vetëm pak muaj më parë në një thirrje ku morën pjesë 90 inxhinierë dhe gjeologë, 20 prej tyre kanë nisur një praktikë të paguar për një vit, duke pasur mundësinë që të ndjekim dhe traditat e mëparshme dhe ata të cilët vijnë si praktikantë dhe që performojnë më mirë të qëndrojnë në ndërmarrje, pra në Albpetrol me një kontratë definitive. Këto nuk janë thjesht statistika, janë histori suksesi që tregojnë se kur u jepet mundësia të rinjtë shqiptarë dinë të shkëlqejnë.
Jam shumë e lumtur që sot çelim një tjetër dritare për të rinjtë dhe që vazhdojmë bashkëpunimin e qenësishëm me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe siç e thashë, kjo është në kuadër të Paktit me Universitetin dhe do të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Marrëveshja që nënshkruajmë sot mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës shënon fillimin e një nisme të re, që këtë radhë lidhet me një tjetër ndërmarrje, institucion të rëndësishëm në Republikën e Shqipërisë, që është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Siç e tha dhe rektori, ka edhe një element tjetër ky bashkëpunim, barazinë gjinore. Banka Botërore e cila është financuese e këtij programi e ka një nga komponentët më të rëndësishëm barazi gjinore, por tek flisnim me rektorin dhe tek komunikonim edhe me zyrtarët e Bankës Botërore këtu, ne i shpjeguam që në industrinë e rëndë në transport apo energji në Shqipëri ka shumë gra dhe vajza që kontribuojnë dhe për të thënë të drejtën ne nuk e kemi këtë barazi të munguar gjinore. Unë që drejtoj sektorin, jam një grua. Drejtoresha e Përgjithshme e Infrastrukturës, Erjola Muka, që ka vite që e drejton këtë sektor është gjithashtu një grua. Disa nga zëvendësministrat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë janë gra dhe nga ana tjetër edhe në Autoritetin Rrugor Shqiptar ne kemi inxhiniere, juriste, ekonomiste që punojnë prej vitesh, megjithatë padyshim është i mirëpritur ky program dhe ne do të nisim me këtë komponent të rëndësishëm.
Nga ana tjetër, unë do desha që të sqaroja pak sesi do të funksionojë, pasi edhe teknikalitetet janë të rëndësishme dhe besoj që të gjitha studentet janë të interesuara që të dëgjojnë. Programi i praktikës së paguar parashikon vendosjen para ARRSH-së në fazën e parë të 10 praktikanteve me kohë të plotë. Kjo do të jetë faza e parë e programit, pasi do të ketë dhe një fazë të dytë e cila do të adresohet me 15 praktikante, studente të tjera. Në varësi të ecurisë së programit ne do të jemi në koordinim të vazhdueshëm me Bankën Botërore për ta shtyrë në kohë dhe për të rritur numrat e praktikantëve që do ti atashohen Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Kohëzgjatja e programit do të jetë 6 muaj për studentet e diplomuara, ndërkohë që për studentet që janë në vitin e fundit, kohëzgjatja do të jetë 3 muaj, duke u përputhur kështu plotësisht me kurrikulën tuaj, siç kemi dakordësuar edhe me universitetin. Pra në rastin e parë fillon në muajin nëntor dhe përfundon në muajin prill dhe në rastin e dytë fillon në muajin mars dhe përfundon në muajin maj. Gjatë kohëzgjatjes së programit, praktikantët do të atashohen në sektorë të ndryshëm të strukturës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, si sektori i projekteve, mirëmbajtjes, preventivimit, sektori i mjedisit dhe impaktit social. Pjesë integrale e kurrikulës do të jenë gjithashtu vizitat e përjavshme në terren, ose thënë ndryshe do të jeni të detyruar që të shkoni një herë në javë në kantiere. Këtë jua them nga eksperienca ime. Mund të uleni në tryeza, mund të lexoni shumë projekte, mund të lexoni libra, por vendi ku ju mësoni më shumë është kantieri. Në kantier do keni mundësi të shikoni sesi zhvillohet infrastruktura e vërtetë dhe kini parasysh që ndoshta në një vend tjetër nuk është kaq e mundur që të ketë kantiere të ndryshme me tipologji të ndryshme, por në Shqipëri këtu e kemi këtë mundësi. Pasi ndërtohet nga veriu deri në jug dhe mund të shikoni sesi ndërtohen infrastrukturat e rënda, siç është rasti i urave apo tuneleve që edhe sot që flasim, pavarësisht se kemi dorëzuar shumë prej tyre, kemi të tjera që janë në proces apo të dalloni llojet e ndryshme të gjeologjisë që i keni parë në aulat dhe auditorët e universitetit, por është komplet ndryshe që ti shikoni në terren. Kjo do jetë pjesa më e bukur në mendimin tim e kësaj praktike.
Nga ana tjetër, kini parasysh që me fillimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, e cila duhet të nisë operimet brenda vitit 2026, do të nevojiten punonjës të trajnuar në mënyrë të ngjashme me stafin e kontrollit të trafikut ajror. Jemi duke kaluar në një nivel tjetër. Më kujtohet kur unë fillova të drejtoja trafikun ajror, ishte një nga punët më të kërkuara, pasi me të vërtetë bëhej fjalë për një trup të zgjedhur, elit, prej 70 personash, ndërkohë që sot ne do të zhvillohemi në mënyrë paralele dhe në dy sektorë të tjerë modern që është ai i kontrollit detar, duke pasur parasysh të gjithë projektet që Republika e Shqipërisë ka dhe masterplanin që jemi duke dizajnuar për të pasur në 476 kilometrat e bregdetit tonë, disa marina moderne dhe të qëndrueshme të bazuara mbi inovacionin dhe nga ana tjetër të gjithë rrjetin hekurudhor, i cili do të kontrollohet me dispeçeri të ngjashme me ato të aviacionit.
Të gjithë këta specialistë duhet të dalin nga radhët tuaja dhe sot do të përfitoja nga rasti për t’ju thënë edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm. Në javën e ardhshme, pra duke nisur diku nga data 10 tetor një nga kompanitë më të mira përsa i përket mirëmbajtjes së avionëve, do të vijë në Shqipëri për të nisur intervistat e para dhe për të rekrutuar 40 punonjësit e parë, të cilët hyjnë në një industri të re. Industria e mirëmbajtjes së avionëve, diçka që nuk e kemi pasur deri më sot. Kjo është një kompani italiane ekselence e cila ka hyrë në marrëveshje me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, për të ngritur atje hangarët e parë dhe për të punësuar vetëm punonjës shqiptarë. Djem dhe vajza, të cilët kanë studiuar apo janë duke studiuar në fusha të ndryshme të inxhinierisë dhe duke i dhënë një formim që ne sot nuk e kemi në kurrikulat tona, por që sigurisht po të kemi një treg në të ardhmen, në bashkëpunim edhe me Universitetin Politeknik, ne do të diskutojmë sesi ta kthejmë pjesën e aviacionit, avioniks më saktë, por edhe pjesën e navigimit në një kurrikul permanente të këtij fakulteti.
Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh që sot shumë fusha po bazohen mbi inovacionin, ose do të thoja më saktë gjithçka po bazohet mbi inovacionin dhe Qeveria Shqiptare e ka një prioritet tashmë. Ne kemi edhe një ministre e cila vjen si një produkt i inteligjencës artificiale. Trafiku rrugor, duke nisur nga viti 2026, do të jetë gjithashtu një nga sektorët ku inovacioni do të lulëzojë përmes një qendre të monitorimit të trafikut apo përmes kamerave inteligjente, që do të ndihmojnë të gjithë procesin në të gjitha akset kombëtare, duke nisur me 200 kilometrat e para. Aviacioni ka qenë gjithmonë inovator, por do të shkojë edhe më tej. Tashmë me numrin e fluturimeve dhe me numrin e pasagjerëve që ne përpunojmë në një nga aeroportet tona, siç është rasti i Rinasit ku ka arritur në 53 mijë pasagjerë në një ditë, që dikur ne mbanim si ditë të shënuar një rekord me 20 mijë pasagjerë, sigurisht inovacioni duhet të jetë prezent, por inovacioni nuk zëvendëson në asnjë rast kapitalin njerëzor. Janë dy komponentë që ecin në mënyrë paralele dhe që janë po aq të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndaj ne jemi këtu sot dhe unë mendoj se ky është një moment i shkëlqyer për një bashkëpunim akoma më të ngushtë mes nesh.
Megjithatë, unë dua të përfitoj nga rasti që të bëj një thirrje dhe mos bëjmë diskriminim gjinor. I bëj thirrje të gjithë djemve, të cilët janë në vitin e fundit duke studiuar në këtë universitet. Edhe ata që kanë përfunduar studimet, që të aplikojnë në të gjitha ato pozicione pune që janë të shpallura pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, pranë Albpetrolit, pranë OSHEE-së, OST-së dhe të gjitha ndërmarrjeve të tjera, që operojnë nën ombrellën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë. Ne e kemi synim që të përthithim sa më shumë djem dhe vajza të reja në këto sektorë kaq të rëndësishëm, ndaj ky memorandum sot, kjo iniciativë sot nuk duhet të pengojë asnjërin nga ju, që të na bashkoheni.
Rritja dhe forcimi i kapitalit njerëzor nuk është vetëm një objektiv i programit tonë qeverisës, por një domosdoshmëri kombëtare. E ardhmja e Shqipërisë është padyshim në duart e brezit të ri dhe ne jemi këtu për t’i dhënë atij brezi mjetet, mundësinë dhe besimin që i nevojitet për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë, më moderne në rrugën evropiane.
Shumë faleminderit për vëmendjen dhe suksese të gjithëve!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë