Balluku viziton familjet e dëmtuara nga tërmeti në fshatin Kuç të Vorës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 24/09/2019

Balluku viziton familjet e dëmtuara nga tërmeti në fshatin Kuç të Vorës

Familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar nga lëkundjet e tërmetit, janë sistemuar provizorisht në zona të sigurta ndërsa në terren tashmë ndodhen inxhinierët e Institutit të Ndërtimit të cilët po bëjnë aktkonstatimet për çdo banesë për të vijuar më pas me procesin e aktvlerësimit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në fshatin Kuç, në Bashkinë e Vorës, ku vizitoi disa prej familjeve banesat e të cilave kanë marrë dëmtime të shumta duke u bërë të pabanueshme. Për të gjitha këto familje krahas çadrave akomoduese janë shpërndarë edhe ushqime.

Në bisedën e zhvilluar me anëtarë të familjes Duka, ministrja Belinda Balluku u kërkoi që për arsye sigurie të qëndrojë larg banesës së dëmtuar. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë siguroi se puna për rindërtimin shtëpive të reja do të nis menjëherë pas përfundimit të procesit të vlerësimit ndërsa theksoi se gjatë kohës që do të duhet për ndërtimin e banesave të reja anëtarët e familjeve do të sistemohen përkohësisht në ambiente të sigurta.

“Ne i dalim për zot të gjithë njerëzve, të gjithë qytetarëve kudo që i kanë hallet ata, kështu që ne bëjmë punën tonë. Ne kemi kryeministrin i cili na ka lënë porosi të gjithë ministrave dhe po shkojmë shtëpi më shtëpi dhe nuk po lëmë askënd pa i kontrolluar shtëpinë pa qenë të sigurt që dëmtimet nuk janë në rrezikshme. Ne e kemi porosi të veçantë, sidomos për të sistemuar familjet të cilat kanë të moshuar edhe fëmijë të vegjël.  Kështu që ju jeni prioritet dhe ne do ta nisim menjëherë punën”, u shpreh ministrja Belinda Balluku.

Nga grupet e inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit, të cilët janë në terren, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi gjithashtu që krahas punës verifikuese që të sqarojnë njerëzit sa i takon gjendjes qëndrueshmërisë së ndërtesës së tyre në mënyrë që të mos qëndrojnë gjatë gjithë kohës në panik.