Ministrja Balluku takon përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Ndërqytetas - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 21/10/2021

Ministrja Balluku takon përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Ndërqytetas

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, si dhe drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja pritën në një takim përfaqësues të Shoqatave të Transportit Publik Ndërqytetas, me kërkesën e këtyre të fundit.

Përfaqësuesit e Shoqatave të transportit ngritën shqetësimet e tyre sa i takon situatës në këtë sektor dhe problematikat me të cilët ata ndeshjen, duke nisur me konkurrencën e pandershme, kushtet në terminale, por edhe mungesën e tyre.

Në nisje të fjalës së saj, ministrja Balluku garantoi se Qeveria Shqiptare është në mbështetje të operatorëve, të cilët ndodhen në vështirësi si pasojë e efekteve të pandemisë, pavarësisht mbështetjes së ofruar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

“Vëmendja do të jetë maksimale ndaj të gjithë operatorëve të transportit, qofshin këto që operojnë në zonën qytetase apo ndërqytetase. Ju duhet të kuptoni që Qeveria Shqiptare e ka prioritet që t’ju mbështes në këtë moment të vështirë dhe kjo jo thjesht për sektorin, por sepse ju ofroni një shërbim esencial që është transporti i qytetarëve. Kështu që ne e kuptojmë shumë mirë situatën. Edhe ju duhet të kuptoni nga ana tjetër mundësitë e Qeverisë, duhet të kuptoni që dëshira e mirë ekziston”, u shpreh Balluku.

Duke u ndalur tek kërkesat e adresuara nga operatorët, Balluku siguroi se procesi i dhënies së licencave do të jetë transparent dhe i bazuar mbi pikëzimin, i cili do të bëhet i mundur përmes platformës e-transport.

“Licencat që do të duhen të jepen në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër padyshim do të ketë një proces që askush nuk do të mundet ta kontestojë pasi do të jetë i pikëzuar, do të jetë në kuadër të plotësimit të kritereve, por edhe të meritokracisë. Por, edhe unë shpresoj shumë dhe kjo është një gjë që ju duhet ta bëni si shoqatë, shpresoj shumë që të gjithë ato operatorë të cilët nuk do të arrijnë të kualifikohen të jenë të qartë për mënyrën e funksionimit të kësaj platforme dhe të mos ndihen të penalizuar pa arsye”, nënvizoi Balluku.

Për t’i dhënë fund paligjshmërisë në këtë sektor si dhe konkurrencës së pandershme, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi nisjen e një aksioni, së bashku me policinë, për të ndëshkuar këdo që abuzon dhe që dëmton operatorët e ligjshëm.

“Unë po e bëj me dije sot që të mos kemi nesër nga këto thëniet çfarë qe kjo fushatë që nisi, pse po goditemi, që të gjitha ato automjete të cilët në rrugët e Shqipërisë lëvizin, automjete private të cilat kryejnë funksionet e transportit publik në mënyrë të paligjshme, duke nisur që nesër Policia e Shtetit do të ketë një aksion për të zhbërë njëherë e mirë të gjithë këtë situatë. Siç shumë drejtë përfaqësuesit e shoqatave të transportit thanë një nga arsyet kryesore të të gjitha problematikave financiare që ata hasin është edhe konkurrenca e padrejtë që vjen nga subjektet e palicencuara ose nga automjetet private”, theksoi Ministrja Balluku.

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, duke ju referuar kërkesave të operatorëve tha se Bashkia do të ndërmarrë të gjitha masat për ndërhyrjen dhe realizimin e kërkesave që lidhen me kushtet e terminalit, teksa njoftoi se është gati edhe projekti për ndërtimin e një terminali të ri modern dhe që do të përmbushë të gjitha kushtet. “Në terminalin e përkohshëm ne do të ndërmarrim menjëherë masa që ato gjera që mund të rregullohen shpejt, të rregullohen, por ndërkohë lajm i mirë është që është mbaruar faza e projektimit të terminalit, është dorëzuar në Bashki, është duke kaluar ose ka kaluar mbikëqyrjen teknike nga ana e Institutit të Ndërtimit. Ne do jemi gati për të filluar garën për ndërtimin e terminalit të ri i cili do jetë një terminal supermodern dhe i cili do të sigurojë të gjitha ato gjërat që ju përmendët këtu”, u shpreh Manziku.

Për drejtorin e DPSHTRR, Blendi Gonxhja “mision primar është qytetari, në kuptimin që duhet të gjithë ta pranojmë dhe ta kuptojmë, ne funksionarët publik këtë e kemi primar dhe kuptohet është interesi publik. Në qoftë se ne do të shkojmë drejt të shkuarës ku ne të kemi gjëra subjektive, ku të jenë të bazuara mbi shtesa rrjetesh, mbi shtesa licencash të cilat bëhen mbi baza tifozerie, do jemi aty ku jemi sot”.

Mbështetja e këtij sektori ka në fokus përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve duke ofruar një udhëtim sa më të sigurt për të gjithë. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për organizmin e takimeve të tjera në javët e ardhshme