Balluku në Kuvend: Segmenti shqiptar i Korridorit Blu do të ndërtohet me standardet më të larta europiane - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 09/07/2020

Balluku në Kuvend: Segmenti shqiptar i Korridorit Blu do të ndërtohet me standardet më të larta europiane

Segmenti shqiptar i Korridorit Blu, Milot-Fier, do të ndërtohet me standardet më të larta europiane dhe në bashkëpunim të ngushtë me konsulentët ndërkombëtar të mbështetur nga Bashkimi Europian.

Kjo ishte deklarata e bërë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga foltorja e Kuvendit, ku ripërsëriti sërish detaje lidhur me këtë projekt, të cilin e cilësoi si një ndër më të rëndësishmit sa i takon infrastrukturës në vend.

Balluku bëri të ditur se i gjithë procesi i deritanishëm është zhvilluar në bashkëpunim me “Hill International” – lideri i konsorciumit me Deloitte dhe LDK Consultant, e cila ka asistuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në hartimin e studimit të fizibilitetit dhe paketës së dokumenteve për këtë projekt.

I gjithë investimi për këtë vepër, e cila arrin në shumën 1 miliard e 188 milionë euro do të bëhet nga privati, ndërsa ministrja shtoi se tarifa që do të aplikohet do të jetë 0.075 euro për kilometër.

“Kjo autostradë do të kushtojë 0.075 euro për kilometër ose ndryshe 7.5 euro për 100 kilometra. Asnjë lekë më shumë. Autostradat me pagesë janë autostrada evropiane, janë autostradat e shpejtësisë. Po e di çfarë do të bëjmë ne tjetër ndryshe nga ju, përveç këtyre rrugëve evropiane? Ne do të bëjmë rrugët dytësore të detyruara. Është detyrim i çdo garuesi që të ofertojë për rrugët dytësore që do t’i bëjë në këtë koston e përgjithshme, sepse çdo qytetar do të ketë të drejtë të zgjedhë rrugën me pagesë me shpejtësi nga 90 në 130 km ose rrugën pa pagesë”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë duke theksuar se në të gjithë botën autostradat paguhen me segmente.

Në 63 kilometrat e kësaj rruge është vendosur që të përdoret gjurma ekzistuese e rrugës, me qëllim për të mos rritur kostot e shpronësimeve për shkak se në këtë pjesë të segmentit po ushtrojnë aktivitetin e tyre një numër i madh biznesesh, por rehabilitimi i kësaj pjese të këtij segmenti do të jetë i thellë duke garantuar një rrugë me standarde të larta.

“Ajo që ne do të ndërtojmë, segmenti shqiptar i Korridorit Blu, se kështu është emri i vërtetë, është ëndrra e çdo shqiptari, i cili jeton në viset e veriut dhe dashuron perlat e jugut. Është ëndrra e çdo shqiptari që jeton në viset e jugut dhe dashuron madhështinë e bukurisë së veriut. Dhe ne do ta ndërtojmë dhe do ta ndërtojmë me konsulentët tanë, të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Do ta ndërtojmë sepse projekti, që ne kemi në dorë është i njëjti projekt me atë të WBIF”, theksoi ministrja Balluku.

Segmenti rrugor Milot-Fier parashikohet që në vitin e parë të përpunojë një volum mesatar prej 32 mijë automjetesh, për të arritur në vitin 2055 një numër të dyfishuar, 62 mijë automjete. Shpejtësia maksimale në këtë segment do të jetë 130 km/orë dhe i gjithë ky aks do të përshkruhet për një kohë prej 1 orë e 15 minuta.