Balluku në DRSHTRR-në Tiranë: Kemi transformuar rrënjësisht cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 18/05/2021

Balluku në DRSHTRR-në Tiranë: Kemi transformuar rrënjësisht cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve

Në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Tiranë, investimet e realizuara kanë transformuar cilësinë e shërbimeve që ju ofrohet qytetarëve. Ndërhyrjet, si për përmirësimin e hapësirave dhe godinës, por edhe investimet në sistemet,  garantojnë kushte më të mira pritëse si dhe një shërbim më të shpejtë për qytetarët duke shmangur radhët e pritjes.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të DPSHTRR, Blendi Gonxhja, ndoqën nga afër punimet e realizuara dhe efektin të cilat ato kanë sjellë.

Në drejtorinë e Tiranës gjatë vitit të kaluar janë ofruar 767078 shërbime për qytetarët, ndërsa investimet e realizuara i përgjigjen fluksit gjithmonë e në rritje të qytetarëve të cilët paraqiten pranë sporteleve.

“Për Tiranën dhe për DPSHTRR-n se puna është e tillë që nuk ndalet sepse rritja është shumë dinamike. Kemi vetëm në Tiranë 20 mijë mjete më shumë në vitin 2020 dhe 20 mijë drejtues të rinj mjetesh në vitin 2020. Pra, vetëm kjo shifër na bën të kuptojmë sesi veprohet me shërbimin çdo vit”, u shpreh drejtori Gonxhja.  Drejtori i DPSHTRR shtoi më tej, se “po punojmë për zgjerimin në pjesën e jashtme dhe pse jo qytetarët mund të vijnë edhe pasdite, pas pune, për të kryer shërbimet e ndryshme me automjetin dhe ne t’i përshtatemi atyre”.

Ofrimi i shërbimeve online, është një tjetër risi, e cila ju ka kursyer qytetarëve kohë dhe pritje në radhë dhe në këtë drejtim DPSHTRR është një ndër drejtoritë me numrin më të madh të këtyre shërbimeve që tashmë qytetarët i aksesojnë përmes internetit pa qenë e nevojshme të paraqiten pranë sporteleve ashtu sikundër ka ndodhur vetëm pak kohë më parë.

“Synimi i qeverisë është që të kalojmë online sa më shumë nga shërbimet. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka qenë e para që ka nisur procedurat për t’i kthyer një pjesë të shërbimeve online. Disa nga shërbimet do të ofrohen gjithmonë fizikisht pasi është e nevojshme që të jetë të pranishëm, por pjesa më e madhe e shërbimeve tashmë kryhen online”, theksoi ministrja Belinda Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shtoi më tej se falë ndërhyrjeve të bëra dhe mirë menaxhimit të kësaj drejtorie, përmirësimet janë të dukshme pasi sot volumi i punës është shumë herë më i lartë, krahasuar me pak vite më parë, por njëkohësisht cilësia dhe standardi ka ardhur duke u përmirësuar jo vetëm sa i takon kushteve dhe ambienteve, por edhe organizimit dhe shpejtësisë me të cilën shërbimi ofrohet, madje me tarifa edhe më të ulëta.

“Drejtoria është më e shëndetshme nga ana financiare. Për shkak të këtij përmirësimi financiar kemi pasur mundësi të investojmë në të gjitha drejtoritë rajonale, jo vetëm në ndërtesa dhe pajisje, por edhe në burime njerëzore duke i mbështetur punonjësit tanë më mirë dhe ata funksionojnë më mirë.  Në 2 vite e pak kemi arritur që të ndryshojmë mentalitetin e operimit në këtë drejtori duke e sjellë atë  në parametrat e një drejtorie për të qenë shembull për të tjerat”, shtoi Balluku.

Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë është drejtoria më e madhe në shkallë vendi, me një fluks shërbimesh për qytetarët në rreth 35% të të gjitha shërbimeve që ofron DPSHTRR.