Balluku mbledh grupet e verifikimit në terren për dëmet e tërmetit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 23/09/2019

Balluku mbledh grupet e verifikimit në terren për dëmet e tërmetit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar sot se Qeveria është në krye të detyrës dhe po merr të gjitha masat për t’ju gjendur pranë familjeve të prekura nga tërmeti i dy ditëve më parë.

Gjatë një takimi të zgjeruar me inxhinierë të institucioneve shtetërore dhe kompanive private, të cilët do t’u bashkohen kolegëve të tyre të Institutit të Ndërtimit, në procesin e identifikimit dhe vlerësimit të dëmeve të tërmetit, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të bashkive më të prekura nga kjo situatë, ministrja Balluku ka qartësuar edhe një herë për publikun motivet e udhëtimit të kryeministrit Rama drejt SHBA.

“Kryeministri Rama u kthye nga një udhëtim shumë i rëndësishëm drejt OKB-së, pikërisht kur ka arritur në segmentin e parë në Frankfurt. Pasi është njoftuar për ngjarjen e tërmetit ai menjëherë ka marrë vendimin që të kthehet në Shqipëri dhe të anulonte dhe disa nga takimet shumë të rëndësishme që kishte në dy ditët e para. Kryeministri ka detyrë shtetërore të përfaqësojë shtetin shqiptar në Asamblenë e OKB-së dhe gjatë asaj periudhe për të qenë eficent të kryejë dhe takime të tjera shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës është shprehur se Kryeministri ka qenë në krye të gjithë operacionit të orëve të para i cili është menaxhuar me shumë sukses nga qeveria dhe bashkitë, por sigurisht dhe nga të gjithë njerëzit e përfshirë qofshin këta pjesë e shtetit shqiptar apo qofshin këto kompani private.

“Kemi qenë pranë qytetarëve, kemi mbuluar çdo nevojë dhe sot po marrim masa për zgjidhjen afatgjatë. Në krye të qeverisë, në momentet që kryeministri Edi Rama ndodhet për të kryer detyrën e tij si kryeministër në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara ndodhet zëvendëskryeministri, zoti Erion Braçe i cili është në terren, duke filluar nga 10 minutat e para pas rënies së tërmetit. Të gjithë ministrat kanë qenë dhe do të jenë në terren”, ka thënë ministrja Balluku.

Më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka falënderuar gjithë inxhinierët që i janë bashkuar thirrjes së qeverisë për t’u përfshirë në grupet e verifikimit në terren, për këtë shembull solidariteti të treguar. Balluku bëri të ditur se që prej ditës së djeshme grupet e verifikimit janë shpërndarë në Durrës, në Elbasan, në Tiranë dhe në Vorë, të cilat janë dhe zonat më prekura.

“Do vazhdojmë të jemi kështu çdo ditë derisa të përfundojmë dhe aktin e fundit të verifikimit për çdo banesë, për çdo institucion, për çdo qytetar i cili ndodhet i rrezikuar për të hyrë në shtëpinë e tij. Akti i verifikimit është ai akt i cili i jep sigurinë njerëzve, banorëve, punonjësve për të hyrë në ndërtesa dhe më pas do kalojmë në aktet e vlerësimit të cilët janë shumë të rëndësishme pasi shteti do të marrë përsipër të gjithë rikuperimin e dëmtimeve që kanë ndodhur nga ky tërmet”, theksoi Balluku.

Ministrja garantoi gjithashtu se të gjitha akset rrugore, edhe ato në zonat e prekura nga tërmeti, janë plotësisht të aksesueshme, ndërsa në situatë operimi normal janë edhe portet dhe aeroporti. Po kështu probleme nuk janë shfaqur as sa i takon furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në vend.

Nga ana e tij, kreu i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, duke ju referuar verifikimeve të bëra nga inxhinierët deri më tani, tha se janë konstatuar kryesisht dëmtime në rifinaturë dhe jo në konstruksionin e ndërtesave teksa bëri të ditur gjithashtu edhe mënyrën sesi do të operohet nga ana e grupeve të punës në terren.

“Në bashkëpunim me emergjencat civile dhe bashkitë përkatëse që mbulojnë territorin në të gjithë këto zona që janë prekur nga tërmeti ne do të caktojmë njerëzit dhe me programe të shpejta dhe të sakta duam vlerësimin dhe njëkohësisht qëndrueshmërinë e objektit nga ana juaj”, ju drejtua Hysenlliu inxhinierëve.

Në takim e kanë marrë fjalën edhe drejtuesit e bashkive Tiranë dhe Elbasan, të cilët janë angazhuar për një bashkëpunim sa më të ngushtë me grupet e verifikimit në terren, për t’u siguruar atyre kushtet që të përfundojnë në një kohë sa më të shkurtër vlerësimin e dëmeve dhe për t’i hapur rrugën më pas rikonstruksionit të shtëpive të dëmtuara.