Balluku inspekton punimet në aksin Korçë-Ersekë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 03/07/2021

Balluku inspekton punimet në aksin Korçë-Ersekë

Punimet në lotin 2 të aksit Korçë-Ersekë kanë avancuar me ritme të shpejta dhe deri më tani janë realizuar 57 % e punimeve. Krahas hapjes së trasesë, po punohet edhe për ndërtimin e mureve mbajtës, tombinove si dhe veprave të artit që janë pjesë e projektit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Kryetarin e Bashkisë Ersekë, Erion Isai inspektoi punimet që po realizohen në këtë kantier.

“Kompleksiteti i kësaj rruge ka qenë se duke qenë se shtrihet në një terren shumë të madh kodrinor, ka pasur gërmime të shumta. Si rrugë është një rrugë me gjerësi 11.5 metra nga të cilat 9.5 metra janë të asfaltuara, pjesa tjetër është një bankinë një metër nga një krah dhe një metër nga krahu tjetër. Me këtë kompleksitet që ka kjo rrugë ka dhe fatin e madh që na krijon një shpejtësi lëvizje shumë herë më të madhe seç kishte aksi tjetër pasi bëhet një shkurtim shumë i madh i rrugës nga Korça për në Ersekë”, sqaroi Berberi.

Aktualisht aksi Korçë-Ersekë ka një gjatësi prej afro 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkon në 35 kilometra, ndërkohë që edhe parametrat e rrugës krijojnë mundësi që lëvizja të jetë më e shpejt dhe më e sigurt.

Ministrja Balluku vlerësoi ecurinë e deritanishme të punimeve, ku brenda një harku kohor prej 8 muajsh, në muajin tetor të vitit të kaluar është lidhur kontrata, është avancuar me ritme të shpejta. Ky volum pune do të bëj të mundur që ky segment të dorëzohet para afatit të parashikuar në kontratë i cili është tetor 2022.

“Ecuria është shumë e mirë. Është një kantieri më të vërtetë i cili jep shpresa që do të mbyllet para afatit. Kjo është një kontratë e cila përfundon zyrtarisht në tetor të vitit 2022, sigurisht do të përfundojë para kohe për shkak se këtu puna ka ecur mirë”, tha Balluku.

Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë është jo vetëm një dëshirë e kahershme e banorëve të zonës, por edhe një aks i rëndësishëm sa i takon zhvillimit të turizmit, për shkak të potencialeve që vetë zona ofron. Me ndërtimin edhe të akseve të tjera si Qukës-Qafë Plloçë dhe bypass i Elbasanit, kjo zonë do të jetë shumë herë më lehtë e aksesueshme.

“Të gjitha këto rrugë të cilat ne po ndërtojmë këtu do të lidhen me akset kryesore kombëtare të cilat ne planifikojmë ti ndërtojmë apo një pjesë e tyre ka nisur nga puna, siç është aksi që ne do të rifillojmë me ritme shumë të shpejta pasi për lotin e tretë na është miratuar vazhdimi i kredisë nga Fondi Saudit, i referohem aksit të Qukës-Qafë Plloçës, gjithashtu për aksin e parë dhe lotin e parë edhe të dytë jemi në tratativa me Bankën Islamike dhe besoj që do të kemi sukses për ta realizuar. Sigurisht në planet tona në të ardhmen, t’i quajmë afatmesme, parashikohet edhe ndërtimi i bypassit të Elbasanit i cili do të shkurtojë kohën nga Tirana deri në Korçë apo Ersekë ndjeshëm. Të gjitha këto bashkë do të bëjnë që qoftë turizmi, qoftë bujqësia, por si rezultat final rritja ekonomike të jetë e rëndësishme edhe në këtë zone”, nënvizoi Balluku.

Për kryebashkiakun e Ersekës, zona e Kolonjës ka pasur një vëmendje të shtuar vitet e fundit, jo vetëm me investimin që po bëhet për ndërtimin e rrugës, por edhe me ndërtimin e ujësjellësave të cilët do t’i sigurojnë zonës furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.