Pjesë e rëndësishme e investimeve për Aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës janë edhe 4 vendqëndrimet e reja të avionëve dhe zbatimi i teknologjisë digjitale në leximin e pasaportave.
Kryeministri Edi Rama së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inspektuan në terren, këto investime.
“Jemi në Aeroportin e Rinasit, në zonën fundore, pra në veri të tij, ku koncesionari ashtu sikundër ishte angazhuar ka ndërmarrë një investim të rëndësishëm për ndërtimin e katër vendqëndrimeve të reja. Aeroporti i Tiranës ka pasur 17 të tillë, por edhe për shkak të rritjes së numrit të fluturimeve gjatë vitit 2022, një rekord mbi 48% më shumë se në vitin 2019 që klasifikohet viti më i mirë para pandemisë. Për këtë arsye janë përshpejtuar të gjitha investimet, e gjitha puna që u desh bërë për ta dorëzuar sa më parë e për ta pasur gati të muajin gusht që shënon edhe pikun e numrit të avionëve dhe pasagjerëve në aeroport. Tashmë ka një fluks, i cili qëndron gjatë gjithë 24 orëshit. Nuk kemi më orare më të ngarkuara apo më pak të ngarkuara kështu që shtimi i këtyre 4 vendqëndrimeve, i jep një zgjidhje shumë të rëndësishme, jo vetëm për këtë sezon, por gjatë gjithë kohës dhe gjatë gjithë vitit.” – shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku, e cila shtoi se ka nisur puna për zgjatjen e pistës. “Do zgjatet në anën jugore, po mundohemi që të akomodojmë spostimin e tyre pa krijuar problematika përsa i përket shpërndarjes së ujit apo disa pjesë që kemi atje edhe të tensionit të lartë dhe OSHEE.” – tha ajo.
Po ashtu, Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se nga dita e sotme, janë në gatishmëri dhe gati për operim e-gatet, ku i gjithë procesi për leximin e pasaportës zgjat nga 15 në 30 sekonda.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë