Aksion kundër ndërtimeve pa leje - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 08/09/2022

Aksion kundër ndërtimeve pa leje

Ka nisur në terren aksioni për ndëshkimin e ndërtuesve apo sipërmarrësve, të cilët kanë abuzuar duke ndërtuar pa leje apo duke mos respektuar lejen e ndërtimit përmes shtimit të kateve. Aksioni ka nisur nga Tirana, ku në zonën e Farkës është evidentuar një objekt, 9-katësh, i ndërtuar pa leje.

Një ditë pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave, Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtues të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit ka zbritur në terren nga ku ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerim për cilindo që ka shkelur ligjin.

Balluku risolli në vëmendje VKM-në, e sapo miratuar e cila parashikon se në të gjitha rastet e abuzimit do të jenë tre opsione të mundshme për zgjedhje. Së pari, parablerja me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut për ndërtuesit, së dyti mundësia që ata t’i dhurojnë sipërfaqet e paligjshme, për t’u përdorur si apartamente për strehim social apo mjedise pune për institucionet dhe së treti në rast të mos dakordësimit me ndërtuesit do të jetë konfiskimi nga ana e shtetit të këtyre sipërfaqeve të paligjshme dhe ndjekja penale sipas ligjit për ndërtuesit. Për të gjitha rastet ka edhe një gjobë për çdo metër katror.

“Sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm. E kemi nisur nga Tirana që është kryeqyteti, por kjo do të shtrihet në çdo qytet dhe në çdo vend, vetëm për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi. Nuk bëjnë pjesë në këtë aksion ato ndërtesa që janë të paligjshme, por qytetarët i kanë ngritur për veten e tyre për të strehuar familjen. Kjo është diçka që duhet ta sqarojmë dhe të mos ketë abuzime në të ardhmen”, sqaroi Balluku.

Zëvendëskryeministrja theksoi se aksioni do të shtrihet në të gjithë vendin dhe se para ligjit do të jenë të gjithë të barabartë.

“I gjithë synimi i aksionit tonë është që të dekurajojmë investitorët, zhvilluesit, pronarët e këtyre veprave. Është e pamundur në vitin 2022 që në Republikën e Shqipërisë të marrësh një leje për 7 kate dhe ta bësh atë 15 kate. Apo të mos marrësh leje fare dhe të kesh guximin të ndërtosh në mes të qytetit një ndërtesë 9 katëshe pa pyetur as për ligjin dhe as për askënd. Ligji është i barabartë për të gjithë, kështu që ne do vijojmë me këtë aksion”, u shpreh Balluku.

Në mbledhjen e së mërkurës Këshilli i Ministrave miratoi vendimin i cili parashikon konfiskimin e objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimi.