Aksi Kardhiq-Delvinë hapet për qarkullimin e automjeteve në 2 korrik - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/06/2022

Aksi Kardhiq-Delvinë hapet për qarkullimin e automjeteve në 2 korrik

Punimet për ndërtimin e tunelit të Skërficës, pjesë e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë, janë drejt përfundimit. Duke nisur nga data 2 korrik parashikohet që ky aks të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht po betonohen metrat e fundit të tunelit, ndërsa paralelisht po vijon puna edhe për sistemin e ndriçimit dhe atë elektro-mekanik. Ndërkohë, në të gjitha lotet e tjera të këtij aksi, pothuajse ka përfunduar edhe elementi i fundit, ai i vendosjes sinjalistikës horizontale dhe vertikale të nevojshme.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndoqën nga afër punimet dhe ecurinë e tyre në tunelin e Skërficës.

Drejtori Berberi bëri të ditur se kanë mbetur për t’u betonuar 200 metrat e fundit të tunelit. Krahas rrugës Kardhiq-Delvinë do të bëhet e mundur edhe ndërtimi i dy rrugëve, asaj të Fushëbardhës dhe Senicës, për t’i lidhur këto dy fshatra me rrugën kryesore.

“Tuneli është në fazën e fundit të betonimit. Jemi në proceset e vendosjes së rrjetit elektrik, ndriçimit, vendosjes së sistemit elektro-mekanik që janë ventilatorët. Na kanë ngelur jo më shumë se 200 metra  për të dalë në anën tjetër të tunelit, i gjithi i betonuar. Është një tunel me gjerësi 11 metra, me lartësi 5 metra dhe ka dy korsi nga 3.75 metra të asfaltuara, plus pankina 1.25 metra të asfaltuara dhe ato me dy trotuare anësore me 0.75 metra”, tha Berberi.

Ministrja Balluku vlerësoi punën e bërë deri më tani duke shtuar se ndërtimi i këtij segmenti rrugor, jo vetëm shkurton distancën drejt bregdetit dhe rrit sigurinë rrugore, por t’i japë një zhvillim akoma edhe më të madh turizmit, si për zonën e Sarandës ashtu edhe atë të Gjirokastrës.

“Me përfundimin e këtyre metrave të fundit që kanë mbetur për betonim ne kalojmë në pjesën tjetër, atë të asfaltimit të aksit hyrës dhe aksit dalës të këtij tuneli dhe të të gjithë tunelit, vijëzimin dhe gjithçka tjetër do të duhet. Ka pasur një pritje shumë të gjatë nga të gjithë qytetarët, të gjithë vizitorët, bizneset, kompanitë turistike për këtë aks lidhës, kështu që çdo ditë që dorëzohet para aftit do jetë shumë e vlerësuar nga të gjithë”, u shpreh Balluku.

Pavarësisht vështirësive, të ndikuara nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e materialeve të ndërtimit kanë pësuar një rritje të madhe, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se projektet infrastrukturore kanë vijuar me ritëm të kënaqshëm.

“Me të vërtetë ecuria e punimeve të infrastrukturës është e mirë. Të gjitha projektet që kemi nisur po dorëzohen njëra pas tjetrës. Projektet që kanë nisur rishtazi po ecin ashtu siç duhet, por nuk duhet harruar që sot kostot e këtyre ndërtimeve kanë kapërcyer në shifra që nuk kanë qenë të parashikuara dhe kjo s’ka lidhje vetëm me Shqipërinë, por ka lidhje me mbarë botën duke nisur nga elementi më i rëndësishëm, lënda e parë më e rëndësishme që është ajo e hekurit dhe pastaj tek çimento dhe gjithçka tjetër që ne angazhojmë si material përsa i përket ndërtimit të veprave infrastrukturore. Por nuk duhen harruar dhe kostot shtesë përsa i përket karburantit apo gjithçka tjetër”, theksoi Balluku.

Për kryebashkiakun Golemi ndërtimi i aksit rrugor Kardhiq-Delvinë po pritet prej vitesh nga banorët e Gjirokastrës dhe operatorët turistikë pasi do të afrojë dy qytete që kanë një numër të konsiderueshëm vizitorësh, Sarandën dhe Gjirokastrën.