Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, nga aeroporti i Rinasit:
Kënaqësi të isha sot në aeroportin e Rinasit, ku një nga operatorët më të rëndësishëm low cost ka njoftuar shtimin e linjave ajrore, por edhe shtimin e flotës së vet në këtë aeroport.
Sigurisht ky është një sinjal shumë i mirë për aviacionin në Shqipëri, pasi vazhdojmë me rritjen e tij dhe kjo është falë edhe gjithë punës që ka bërë Qeveria Shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve. Sigurisht kemi ecur me liberalizimin e linjave, duke futur tashmë dhe linjat që quhen low cost.
Po ashtu kemi ulur tarifën për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro, që sot aktualisht është ndër më të ulëtat në rajon dhe në Europë. Dhe sigurisht të gjitha këto kanë bërë të mundur që aeroporti i Rinasit të jetë më i madhi në rajon. Shifrat tregojnë që trafiku ajror i vitit 2026 parashikohet të jetë rreth 18.3% më i madh se viti 2025. Ne nuk krahasohemi fare me shifrat e vitit 2019, siç bëjnë shumë shtete të tjera, pasi në krahasim me vitin 2019, ne jemi mbi trefish të trafikut ajror.
Sigurisht për të bërë të mundur kontrollin dhe navigimin e trafikut ajror nga ana e Albcontrol, shoqërisë shtetërore të trafikut ajror, janë bërë të gjitha investimet e nevojshme, si nga ana e kapitalit njerëzor, por edhe nga ana e teknologjisë që ky trafik të vazhdojë dhe të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe sigurisht për mua ishte shumë kënaqësi të flisja me përfaqësuesit e linjës ajrore, por edhe të aeroportit dhe për të dëgjuar të gjitha planet e zgjerimit.
Dhe një lajm tjetër po ashtu domethënës për trafikun ajror në Shqipëri është që këto nivele që ne parashikojmë të mbyllim në vitin 2026 me përpunimin e mbi 13.5 milionë pasagjerësh, janë bërë pa asnjë incentivë mbështetëse financiare nga ana e Qeverisë Shqiptare, siç ka ndodhur dhe në shtetet e tjera.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë