Fjala e Ministrit, Enea Karakaçi, në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm:
E nderuar kryetare,
Të nderuar deputetë,
Faleminderit për mundësinë që më jepni ditën e sotme për të parashtruar buxhetin e vitit 2027 dhe në fakt edhe parashikimin 3 vjeçar, 2027-2029, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Pavarësisht se ju më sqaruat edhe faktin që në parim është miratuar në këtë komision, unë e vlerësoj faktin e mundësisë për të dhënë disa parashtrime se ku konsiston kryesisht buxheti i vitit 2027.
Do ndalesha tek fakti që së pari projektligji akordon një vlerë buxheti total për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2027 në vlerën 75.45 miliardë lekë, nga të cilat shpenzime korrente janë në vlerën 7.4 miliardë lekë dhe shpenzime kapitale në vlerën 68 miliardë lekë. Nga të cilat shpenzimet kapitale ndahen në financim i brendshëm rreth 76% që janë pothuajse në vlerën 51.43 miliardë lekë dhe financim i huaj rreth 24%, 16.61 miliardë lekë.
I rëndësishëm fakti që financimi i huaj për ministrinë tonë është në nivele kaq të larta, pasi siç edhe do e shpjegoj në vijimësi ne kemi një pjesë shumë të madhe të projekteve që bashkëfinancohen nën kuadrin e kornizës së investimeve për Ballkanin Perëndimor, WBIF për të cilën për çdo komponent përfitohet grant përkatës, por do kem mundësinë që ta shtjelloj më tutje.
Ndërsa për vitin 2028 buxheti i akordon ministrisë 73.7 miliardë lekë, ku përsëri shpenzimet kapitale dua ta theksoj janë në vlerën e 65.96 miliardë lekë. Ndërsa për vitin 2029 buxheti është 69.5 miliardë lekë, nga të cilat shpenzime kapitale janë 61.9 miliardë lekë.
Pse theksova faktin e shpenzimeve kapitale, pasi siç do e shikoni projektligji i buxhetit 2027, konfirmon një orientim shumë të qartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë drejt investimeve dhe zhvillimit. Pothuajse 9 në çdo 10 lekë të buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë orientohet drejt shpenzimeve kapitale, duke garantuar vijimësinë e projekteve strategjike, hapjen e investimeve të reja dhe modernizimin e infrastrukturës së vendit. Ky orientim ruhet përgjatë gjithë periudhës afatmesme ‘27-‘29, ku në vitin 2027, 90.2% e buxhetit është në shpenzime kapitale, ndërsa në vitin 2028 dhe 2029 është 89.5% dhe 89.1% respektivisht.
Kjo tregon se buxheti i ministrisë nuk është thjesht një buxhet administrimi, por një buxhet që investon drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, lidhjen e territorit, sigurinë, shërbimet publike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Siç e theksova, një rol gjithnjë e më të rëndësishëm e merr financimi i huaj, i cili rritet nga viti 2028 në vitin 2029, ku shikojmë që në vitin 2028 është 15.26 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2029 është 18.07 miliardë lekë, pra tregon maturimin e projekteve me financim të huaj. Dhe rritja e këtij financimi dëshmon shumë qartë aftësinë e vendit për të mobilizuar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe për ta kombinuar atë me burimet e Buxhetit të Shtetit në funksion të projekteve strategjike.
Financimi i huaj orientohet kryesisht drejt transportit hekurudhor, furnizimit me ujë dhe kanalizime, energjinë dhe transportin rrugor. Në këtë mënyrë financimi kombëtar dhe ai ndërkombëtar nuk trajtohen si portofole të ndara, por janë burime plotësuese të së njëjtës politikë zhvillimi.
Qasja jonë për periudhën 2027-2029 është kalimi nga projekte të veçuara drejt sistemeve të integruara, korridoret rrugore dhe hekurudhore, porteve dhe lidhje aeroportuale, sisteme të plota ujësjellës-kanalizimeve, një sektor energjetik më modern dhe më efiçent, administrim më i mirë i burimeve natyrore dhe infrastrukturë digjitale me shtrirje më të gjerë. Siç do e shikoni kryesisht për sa i përket korridoreve rrugore, hekurudhore dhe portuale, të gjitha projektet tona janë të integruara me ato që quhen rrugët transeuropiane TEN-T të Komisionit Europian dhe të Bashkimit Europian.
Ky është një buxhet që investon jo vetëm në zhvillimin e vendit, por edhe në të ardhmen europiane të Shqipërisë, investimet në infrastrukturë, transport, energji, ujësjellës-kanalizime dhe digjitalizim mbështesin modernizimin e ekonomisë dhe përmbushjen e standardeve që i duhen Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Për realizimin e këtyre objektivave, Ministria e Infrastrukturës administron 11 programe buxhetore:
Transporti Rrugor, Detar, Hekurudhor dhe Ajror.
Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime.
Mbështetja për Energjinë.
Mbështetja për Burimet Natyrore.
Mbështetja për Industrinë.
Mbështetja për Rrjetet e Komunikimit.
Planifikimi Urban.
Planifikim, Menaxhim dhe Administrim.
Këto janë 11 programet buxhetore që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbulon.
Do fillojmë me Programin e parë, të Transportit Rrugor dhe pastaj dhe me programet e tjera.
Për sa i përket objektivit strategjik të programit të transportit rrugor është krijimi i një sistemi rrugor modern, të sigurtë, të qëndrueshëm dhe të integruar me rrjetet rajonale dhe europiane të transportit, në funksion të rritjes ekonomike, zhvillimit territorial dhe forcimit të konkurrueshmërisë së vendit.
Prioritetet e financimit 2027-2029 në këtë program lidhen së pari me garantimin e vijueshmërisë së projekteve strategjike në zbatim, me fokus të veçantë në akset e Korridorit VIII dhe Korridorit Blu, të cilët përbëjnë elemente kyç të lidhjes së Shqipërisë me rrjetet europiane të transportit.
Së dyti, ruajtja dhe rritja e vlerës së aseteve publike.
Së treti, mbështetja e projekteve të reja infrastrukturore që synojnë përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit kombëtar, eliminimin e pikave problematike të trafikut dhe rritjen e standardeve të shërbimit për përdoruesit e rrugës.
Për vitin 2027, projektligji i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë program, një buxhet total në vlerë 35.15 miliardë lekë. Ky buxhet përbëhet nga shpenzime korrente 4.28 miliardë lekë dhe shpenzime kapitale 30.87 miliardë lekë. Ndërsa financimi i brendshëm këtu në këtë program është 90%, në vlerën 27.93 miliardë lekë dhe financimi i huaj 10%, në vlerën 2.94 miliardë lekë.
Në vitin 2028, projektligji i akordon ministrisë një buxhet prej 36.5 miliardë lekë, ku përsëri shpenzimet kapitale janë në vlerën 31.92 miliardë lekë dhe në vitin 2029, 34.7 miliardë lekë ku shpenzimet kapitale janë në vlerën 30.27 miliardë lekë. Përsëri edhe në këto dy vitet pasuese, ndarja midis financimit të brendshëm dhe financimit të huaj është diku në nivelin 90% me 10%.
Nuk do ndalem tek shpenzimet korrente, pasi sigurisht kemi të bëjmë me pagat dhe me administrimin e personelit dhe shpenzimet administrative.
Do ndalem për sa i përket shpërndarjes së shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm. Sigurisht projektligji i buxhetit të vitit 2027 për programin rrugor, ka këto zëra për sa i përket financimit të brendshëm.
Së pari, për projektet koncesionare PPP është në vlerën 5.2 miliardë lekë. Ndërtim dhe sistemim rrugësh në vlerën 19.85 miliardë lekë. Projekte të sigurisë rrugore në vlerën 472 milionë lekë. TVSH dhe kosto lokale 1.2 miliardë lekë. Mbikëqyrje punimesh dhe pastaj studim-projektim.
Nuk do ndalesha tek projektet koncesionare. Vlera e buxhetuar 5.2 miliardë lekë është nëpër tre rrugë, Rrugën e Arbrit, për autostradën Milot-Morinë dhe për rrugën Porti i Jahteve – Bypass Orikum -Dukat, që është detyrimi i shtetit shqiptar, janë rrugë me formën e PPP, në të cilën shteti shqiptar bën pagesat përkatëse në bazë të afateve të caktuara.
Nuk janë të përfshira këtu projektet e reja koncesionare, si Milot-Balldren, Kashar-Lekaj apo Lekaj-Fier, pasi ato janë në një model zhvillimi koncesion dhe si i tillë Buxheti i Shtetit nuk ka të parashikuara në buxhet financim për sa i përket këtyre tre projekteve shumë strategjike për zhvillimin rrugor.
Do ndalesha tek projektet e reja me financim të brendshëm për vitin 2027, ku prioritet do kenë Elbasan-Qafë Thanë, segmenti Ura e Grykshit-Peqin, fazat e reja të Tiranë-Durrës, vijimi i aksit Kombinat-Ndroq-Plepa, Qendra e Monitorimi të Trafikut, si dhe ndërhyrjet për stabilizimin e aksit Librazhd-Qafë Thanë.
Ky portofol synon të rrisë lidhshmërinë ndërmjet qendrave ekonomike, të përmirësojë standardin dhe sigurinë e rrjetit kombëtar dhe të krijojë vazhdimësi fizike ndërmjet investimeve ekzistuese dhe atyre të reja.
Për sa i përket projekteve të reja për vitin 2028, kemi përsëri vazhdimin e zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës, rrugët lidhëse Tiranë-Elbasan me Korridorin VIII, faza tretë, apo siç quhet ndryshe by-passi i Elbasanit, pra vazhdojmë përsëri me projektin me financim të brendshëm për sa i përket by-passit të Elbasanit. Hyrja Verilindore e Tiranës, apo rruga lidhëse ndërmjet daljes nga Tirana me Rrugën e Arbrit. Ndërtimi i rrugës hyrëse Veriore që anashkalon Kamzën, duke lidhur autostradat e veriut drejtpërdrejtë me Unazën e re të Tiranës, Qendra e Monitorimit të Trafikut, Studim-Projektimi, etj.
Ndërsa në fazën vijuese, kemi po ashtu aksin e ri Berat-Skrapar, si dhe dy fazat e segmentit Peqin-Lekaj(Lindje), si dhe Faza e X e zgjerimit të Tiranë-Durrës.
Në qoftë se do shikonim projektbuxhetin afatmesëm në Programin e Transportit Rrugor, do ndalesha në faktin që ky program buxheton plotësisht zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, deri në Fazën e X të tij të zhvillimit, që të çon deri tek ura e Dajlanit në Durrës.
Kemi financim dhe angazhim buxhetor për vazhdimin e bypassit të Elbasanit. Dua të theksoj faktin që ishte një angazhim i qeverisë për të marrë financim të huaj me bypassin e Elbasanit. Patjetër, për shkak edhe të shqetësimeve të krijuara në trafikun, aty ku mbaron sot Tiranë-Elbasan, tashmë është angazhimi i Buxhetit të Shtetit për të vazhduar me fondet e brendshme buxhetore për financimin e bypassit të Elbasanit, sipas fazave përkatëse të financuara në këtë PBA.
Kemi financimin dhe mbylljen e ndërtimit të Kombinat-Plepa, që është një aks alternativ për të shkuar në Durrës, si dhe konsolidimin e projekteve Elbasan-Qafë Thanë apo hapjen e disa projekteve të reja, siç është Berat-Skrapar apo hyrja Verilindore e Tiranës, apo hyrja Veriore e Tiranës që bën shmangien e Kamzës.
Për sa i përket shpenzimeve kapitale me financim të huaj, kemi vijueshmërinë dhe përmbylljen e projektit për përmirësimin dhe rehabilitimin e urave të qëndrueshme, po ashtu përmbylljen e segmentit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, si dhe në politikat e reja, të cilat pritet të fillojnë në vitin 2027 janë ndërtimi rrugor i bypassit të Tiranës. Bypassi i Tiranës është i financuar, pjesa e parë që është rreth 10 km nga Buxheti i Shtetit, e cila është duke u zhvilluar aktualisht dhe punimet kanë ecur mirë, ndërkohë vijimi i bypassit të Tiranës është angazhuar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe pritet finalizimi i marrëveshjes së financimit brenda këtij viti, për të vijuar pastaj me fazat ndërtimore.
Për sa i përket Programit të Transportit Hekurudhor, do ndalesha tek fakti që në vitin 2027 kemi një buxhet total rreth 9.49 miliardë lekë. Ky buxhet përbëhet nga shpenzime kapitale në vlerë 8.95 miliardë lekë. Financimi i huaj është në nivelin 73%. Siç e shikoni në transportin hekurudhor, ne jemi bazuar kryesisht në financimin e huaj, me anë të kredive dhe granteve të marra nën kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor, WBIF.
Ndërsa për vitin 2028, përsëri kemi shpenzime kapitale në vlerën 9.5 miliardë lekë, ku përsëri financimi i huaj përbën rreth 70% të kësaj vlere, apo 6.69 miliardë lekë. Për vitin 2029, projektligji i akordon ministrisë një buxhet total për hekurudhën në vlerën 9.54 miliardë lekë, ku përsëri shpenzimet kapitale janë në vlerë 8.89 miliardë lekë, 72% janë financim i huaj.
Nuk po ndalem edhe këtu tek shpenzimet korrente, pasi sigurisht që janë për sa i përket pagave dhe konsolidimit të strukturave hekurudhore.
Do ndalesha pak tek shpenzimet kapitale me financim të brendshëm, që lidhen me Terminalin e transportit publik Stacioni i Trenit, vijimi deri në qytetin e Tiranës. Baza mekanike depo, Tiranë-Durrës-Rinas, stacioni hekurudhor i aeroportit të Rinasit, implementimi i sistemeve të integruara të telekomunikacionit, investime për makineri-pajise, ndërhyje për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar në stacionet e segmentit Tiranë-Durrës-Rinas dhe financimi i detyrimeve për TVSH për projektet Durrës-Rinas, Durrës-Rrogozhinë dhe Vorë-Han i Hotit.
Cilat janë investimet e reja për vitet 2027-2029. Nuk po ndalem pasi janë kryesisht ndërtimi i zyrave, hartimi i projektit dhe projektimi dhe ndërtimi i mbikalimeve të këmbësorëve në linjën Durrës-Rinas.
Do ndalem pak më gjatë tek shpenzimet kapitale me financim të huaj, pasi këtu ka një karakter shumë të rëndësishëm. Investimet në transportin hekurudhor për periudhën 2027-2029 kanë një vlerë rreth 62.6 miliardë lekë dhe janë projekte të mbështetura nga IBRD, BEI, WBIF dhe fondet IPA. Prioriteti kryesor është rehabilitimi i korridoreve strategjike hekurudhore, Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë, krahas zhvillimit të korridorit Durrës-Tiranë-Rinas, elektrifikimit të tij dhe krijimit të infrastrukturës së stacioneve dhe mirëmbajtjes.
Siç e thashë, në periudhën 2027-2029 vetëm portofoli me financim të huaj parashikon rreth 19.6 miliardë lekë financime. Kush janë investimet strategjike në këtë sektor.
Rehabilitimi i linjës Vorë-Hani i Hotit, i cili është një investim i strukturuar me kredi në masën 50% nga EBRD dhe BEI, dhe ku kemi një grant nga WBIF po në masën 50%, me vlerë totale 293 milionë euro. Pra nga 293 milionë euro, 153 milionë euro janë të përfituara në formë granti nga Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër është kredi nga BEI dhe BERZH.
Rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë. Edhe ky është një investim i strukturuar me kredi në masën 50% nga EBRD dhe grant WBIF është po ashtu në masën 50%. Granti është 60 milionë euro, huaja është 60 milionë euro po ashtu.
Dua të theksoj edhe faktin që për të dy këto projekte hekurudhore, të cilat tashmë janë në fazën përfundimtare të tyre të tenderit, projektet janë të plota. Pra janë me stacione dhe janë edhe me pjesën e elektrifikimit të përfshira.
Programi i Transportit Ajror do të ndalesha vetëm në një aspekt, pasi sigurisht këtu jemi në vlera më të vogla dhe do të ndalesha vetëm në faktin që në transportin ajror në vitin 2027 hapim një perspektivë të re zhvillimi për jugun e vendit, duke financuar me 230 milionë lekë studimin e fizibilitetit për aeroportin e Gjirokastrës. Ky është hapi i parë për të vlerësuar në mënyrë të plotë projektin dhe për të krijuar bazën për vendimmarrje me një investim të ardhshëm aeroportual në këtë zonë.
Po ashtu do ndalesha shumë pak tek Programi i Transportit Detar, ku siç do e shihni, vazhdon të jetë i financuar ose i mbështetur me buxhet porti i ri tregtar i integruar në Porto-Romano, Faza 1, çka dëshmon vullnetin e plotë dhe qasjen e plotë të Qeverisë për ta zhvilluar këtë port të ri tregtar në Durrës. Nuk kemi qenë të suksesshëm në dy fazat e para të procesit të prokurimit, siç e kemi thënë në vazhdimësi, ky vazhdon të jetë vizioni i Qeverisë Shqiptare për të vijuar me zgjerimin, të një porti të ri në Porto-Romano dhe fakti që në buxhetin e ministrisë është angazhuar mbështetje buxhetore tregon qartë që vizioni është aty dhe vullneti për ta çuar para është aty.
Do ndalem tek Programi i Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime, që hyn edhe ndër programet më sensitive të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Projektligji i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Programin e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime një buxhet total në vlerën 15.25 miliardë lekë.
Ky buxhet përbëhet nga shpenzime kapitale në vlerën 14.67 miliardë lekë. Financimi i brendshëm është në nivelin 69%, ndërsa financimi i huaj në nivelin 31%.
Në vitin 2028 buxheti për këtë Program është 13.34 miliardë lekë, nga i cili shpenzimet korrente janë në vlerën e 12.84 miliardë lekë. Financimi i brendshëm është në nivelin 77%, ndërsa financimi i huaj në nivelin 23%.
Për vitin 2029 buxheti për këtë Program është 13.61 miliardë lekë, nga të cilat shpenzimet kapitale janë 13.11 miliardë lekë. Financimi i huaj në vitin 2029 parashikon rritje, në nivelin 41% apo 5.33 miliardë lekë, ndërsa financimi i brendshëm është në nivelin 59% apo 7.78 miliardë lekë.
Çfarë nënkuptojnë shpenzimet kapitale në këtë program. Së pari, në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime po kalojmë nga ndërhyrjet e fragmentuara dhe lokale drejt investimeve të integruara që trajtojnë të gjithë ciklin e shërbimit të furnizimit me ujë, kanalizimet, trajtimin e ujërave të ndotur dhe efiçencën energjetike.
Ky transformim reflektohet në investime që shtrihen në 12 qarqet e vendit, duke adresuar nevoja të ndryshme të zonave urbane, rurale, bregdetare dhe turistike.
Në Tiranë dhe Durrës investimet lidhen kryesisht me modernizimin e sistemeve të mëdha urbane, kanalizimet, trajtimin e ujërave të ndotur dhe zgjerimin e kapaciteteve të furnizimit me ujë.
Në Shkodër dhe Lezhë, fokusi përfshin ujësjellës, kanalizime dhe investime në zonat bregdetare dhe turistike.
Në Fier, Berat dhe Elbasan programi ndërthur rehabilitimin e rrjeteve ekzistuese me zgjerimin e furnizimit me ujë dhe kanalizime.
Ndërsa në Vlorë dhe Gjirokastër një peshë e rëndësishme u jepet zonave bregdetare dhe turistike, furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të ndotur.
Në të njëjtën kohë investimet në Dibër, Kukës dhe Korçë zgjerojnë ndërhyrjen drejt bashkive dhe zonave më të vogla duke financuar ujësjellës, kanalizime dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotur.
Nuk do ndalem shumë tek investimet me financim të brendshëm, pasi secili nga ju mund ta shohë, ka investime në të 12 qarqet e vendit, por doja të ndalesha më shumë tek ndërthurja me investimet me financim të huaj, ku në këtë sektor janë shumë të rëndësishme.
Kemi projektin e rikonstruksionit të rrjetit të brendshëm të ujësjellësit për bashkinë Durrës, nëpërmjet rehabilitimit të linjës së transmetimit nga puset e Fushë Kuqes, që është një kredi 60 milionë euro. Kemi përmirësimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur në Durrës dhe rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve dhe ujërave të përdorur në zonën historike të qytetit Durrës, ku këtu kemi grantin më të madh të dhënë për Qeverinë Shqiptare nga WBIF, që është në vlerën 84.5 milionë euro, ndërsa kredia është në vlerën 34.5 milionë euro. Pra siç e shihni, 2/3 e këtij projekti shumë të rëndësishëm për qytetin e Durrësit mbulohen nga grant nga korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Pse i theksoj të gjitha këto? Sepse të gjitha këto grante janë si paketë e masave mbështetëse që jepen në kuadër të gjithë punës që Republika e Shqipërisë po bën për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe sigurisht këto financime do vijnë duke u rritur në çdo vit.
Kemi program për Infrastrukturën Bashkiake V, që është në vlerë kredie 80 milionë euro dhe grant 65.6 milionë euro, ku ka të përfshira këto projekte.
Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve të qytetit të Elbasanit, i cili tashmë është i përfunduar dhe kemi vetëm dorëzimin e tij në momentet e fundit.
Rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve të qytetit të Fierit, që edhe ky është duke u përfunduar.
Kemi rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës të qytetit të Vlorës, i cili parashikon të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2027.
Rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve të qytetit Lezhë, që përfundon në vitin 2027.
Rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës të qytetit të Shkodrës, i cili përfundon brenda këtij viti.
Ndërtimi i kolektorit kryesor dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur të qytetit të Shkodrës, që është në proces prokurimi dhe fillojnë punimet në vitin 2027.
Rehabilitimi i rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur të qytetit të Beratit, është përmbyllur procesi i prokurimit dhe nisin punimet shumë shpejt.
Po ashtu në kuadër të projekteve me financim të huaj kemi përsëri kanalizime dhe zgjerim deri në 80.000 banorë e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur në Sarandë; ujësjellës në qytetin e Shkodrës dhe rrjetit të kanalizimeve dhe kanalizime dhe zgjerim deri në 80.000 banorë i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur në Lezhë-Shëngjin, që është përsëri zonë turistike.
Dhe me këtë evidentim përmbyllim Programin e Sektorit të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve.
Ndalemi pak te Programi i Mbështetjes për Energjinë. Nuk doja të ndalesha shumë, pasi kryesisht shpenzimet kapitale janë më të vogla. Pse janë më të vogla këtu? Sepse kompanitë e sektorit energjetik janë të afta vetë të marrin kredi dhe të mbështesin nevojat për financime në këtë sektor. Sigurisht që transformimi që është bërë në sektorin energjetik është kolosal dhe është i dukshëm.
Ne sot në gjithë sektorin energjetik kemi projekte me financim të huaj, duke filluar nga OSHEE, ndërtimin e një nënstacioni të ri në qendër të Tiranës, merret leja e ndërtimit shumë shpejt dhe është përmbyllur tashmë faza e procedurës konkurruese, është shpallur dhe fituesi dhe në vitin 2027 fillojmë investimin. Investim shumë i rëndësishëm për qytetin e Tiranës, ku kemi edhe zhvillimin më të madh në Shqipëri, në kryeqytet. Po ashtu në vitin 2027 kemi program me Agjencinë Franceze të Zhvillimit për instalimin e rreth 300 mijë matësave të rinj smart meter.
Po ashtu investime në transmetim, për sa i përket zgjerimit të rrjetit të transmetimit, por edhe digjitalizimit të rrjetit të transmetimit që është me Bankën Gjermane KfW, përsëri e mbuluar nga fondet e veta nga Qeveria Gjermane, por edhe e mbështetur nga Qeveria Shqiptare për sa i përket garancive sovrane.
Ndërsa element që financohet nga buxheti i brendshëm i shtetit, janë një sërë investimesh për rinovimin energjetik të ndërtesave në Fier, Lushnjë, Divjakë, Lezhë, Kukës dhe Berat, që janë në vitin 2028. Dhe me vazhdimin e tyre për rinovimin përsëri të ndërtesave shumëfamiljare në Malësi të Madhe, Shkodër, Pukë, Klos, Kavajë, Librazhd, Peqin dhe Belsh.
Të gjitha këto janë investime shumë të rëndësishme, pasi jo vetëm që i rrisin vlerën e pronës, por ndikojnë edhe në marrjen e angazhimeve ose shteti shqiptar është angazhuar në kuadër edhe të Bashkimit Europian për të rritur fondin e ndërtesave të rehabilituara në kuadër të efiçencës energjetike dhe mbështetja me Buxhet të Shtetit në këtë sektor tregon qartë vullnetin dhe vizionin që ka Qeveria Shqiptare.
Jemi tek Programet e fundit, nuk do ndalesha shumë, pasi Programi pasues është Mbështetja për Burimet Natyrore. Këtu kemi të bëjmë kryesisht me rolin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe Qendrën Rajonale të Inovacionit dhe të Institutit Evropian të Teknologjisë për Lëndët e Para, ajo që quhet Raw Materials, që është në Elbasan dhe mbështet disa masa dhe iniciativa për disa programe të këtyre institucioneve.
Mbështetja për Industrinë është kryesisht mbështetje për sa i përket institucioneve përkatëse të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, siç është Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, apo Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme dhe për të vazhduar funksionimin e tyre të përditshëm.
Do ndalesha vetëm pak tek Programi i Mbështetjes për Rrjetet e Telekomunikacionit. Këtu kemi një zë të ri buxhetor të përfshirë dhe kemi të bëjmë me një projekt shumë të rëndësishëm në këtë sektor, që ka të bëjë me zgjerimin e planit të broadbandit në Shqipëri. Jam i bindur që edhe ju si deputetë të zonave ku jeni të deleguar, e dini që ka disa zona, janë ato që quhen black spots, që janë zona për të cilat nuk ka shumë banorë dhe nuk ka patur shumë nevojë për të investuar. Ne, dhe ky është një program që është i zhvilluar dhe në vende të tjera, jemi duke finalizuar projektin për të bërë marrëveshjen përkatëse për shtrirjen e infrastrukturës së komunikimit në territore që kërkojnë mbulim të ri.
Është një financim në vlerën rreth 100 milionë euro, i financuar me BEI, i cili do ofrojë zhvillimin e broadbandit dhe shërbimet e komunikimit me shpejtësi të lartë në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Berat, Fier, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, ku me anë të këtij programi do jetë mundësia që të vendosen pikërisht infrastruktura përkatëse që e bën të mundur këtë shtrirje të telekomunikacionit.
Dhe mendoj që është një zhvillim shumë i mirë. Ne kemi finalizuar në këto ditë planin me BEI se si do të vijohet dhe është një nga ato masat që pritet që të njoftohet në vitin 2027 procedura e prokurimit edhe të gjitha rregullat përkatëse.
Dy programet e fundit janë Programi i Planifikimit Urban, i cili ka vlerën përkatëse të buxhetimit që e shikoni,
Dhe sigurisht Programi i Planifikimit, Menaxhimit dhe Administrimit, jo i fundit për nga rëndësia, sepse në fund të ditës ai siguron kapacitetet administrative, organizative dhe financiare të nevojshme për hartimin, koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e politikave publike në sektorët e infrastrukturës, energjisë dhe transportit, komunikimeve elektronike, burimeve natyrore dhe zhvillimit territorial. Është ajo që e bën të mundur funksionimin e të gjitha politikave, reformave dhe investimeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dhe ky është programi i fundit që unë ju paraqes për sot. Shpresoj shumë që të isha sa më i përmbledhur.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë