Prononcim i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Kënaqësi që nënshkruam tre marrëveshje qeveritare me ambasadorin gjerman me një rëndësi specifike, në fakt edhe me një vlerë të rëndësishme rreth 90 milionë euro hua dhe rreth 24 milionë euro grant.
Marrëveshja e parë lidhet me efiçencën e energjisë në sistemin e transmetimit. Bëjmë digjitalizimin e të gjithë sistemit të transmetimit, duke dhënë mundësi që të automatizojmë edhe të gjitha proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik.
Marrëveshja tjetër lidhet me rehabilitimin e hidrocentralit të Vau të Dejës, një nga veprat tona energjetike publike më të rëndësishme, e cila përsëri, me ndihmën e KfW-së dhe qeverisë gjermane, ka angazhimin për t’u rehabilituar dhe tashmë kjo marrëveshje është në vijim të punës së mirë që është bërë deri më tani, përsëri me qeverinë gjermane dhe me KfW-në, për rehabilitimin e këtij hidrocentrali.
Dhe marrëveshja e fundit, marrëveshja që lidhet me qytetin ‘Studenti’ dhe me rehabilitimin nën kuadrin e efiçencës së energjisë të konvikteve për studentët. Ka një grant 24 milionë euro nga qeveria gjermane me anë të KfW-së, për sa i përket këtyre ambienteve, që përsëri shkojnë në të mirën publike, shkojnë për studentët, për një jetë më të mirë, edhe proces të të nxënit më të mirë, por edhe për sa i përket kursimit energjetik, pasi të gjitha ambientet aty janë me efiçencë energjie.
Kështu që edhe një herë, ambasador, faleminderit, qeverisë gjermane, por edhe KfW-së për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur deri tani, por edhe për të gjitha këto projekte me interes publik në Shqipëri. Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë