Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, për projektin e rrugës Milot-Balldren
Përshëndetje,
Që prej momentit që kemi shpallur fituesin e projektit për ndërtimin e rrugës Milot – Balldren, kam vënë re me keqardhje një tendencë për dezinformim lidhur me kostot e ndërtimit të kësaj rruge, që vjen si nga krahu i opozitës, ashtu edhe nga disa media të painformuara siç duhet.
Është e pajustifikueshme që ata të cilët përfaqësojnë publikun apo informojnë publikun, të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë prej vitesh e vitesh, duke e trajtuar kilometrin e rrugës si një metër stofi apo pëlhure. Nuk është një gjë e gatshme që shkojmë e marrim në dyqan. Është territor, i cili nuk është askund i njëjtë, ka fushë, ka mal, ka gjeologji të ndryshme dhe, sipas karakteristikave të territorit, ndryshojnë edhe kostot. Rruga nuk është një vijë e drejtë, si metri i stofit, është një vepër që ka karakteristika të ndryshme, ka ura, ka tunele, ka ngjitje malore etj.
Po pse kostoja e përgjithshme e ndërtimit të kësaj rruge nuk matet vetëm me kilometrat?
Në një kontratë koncesionare, pagesa përfshin edhe operimin, mirëmbajtjen rutinë, sistemet inteligjente, tarifimin elektronik për një periudhë 35-vjeçare dhe mirëmbajtjen e thelluar.
Çfarë është mirëmbajtja e thelluar? Nënkupton që pas një periudhe të caktuar rruga do të rivishet edhe një herë me asfalt për të ruajtur standardin e kërkuar.
Shifra e përgjithshme prej 364.7 milionë euro është vlera totale e kontratës koncesionare 35-vjeçare, e cila përfshin:
Projektimin; Ndërtimin; Sistemin elektronik të tarifimit; Operimin dhe mirëmbajtjen. Ndërkohë që kostoja e ndërtimit të autostradës është 182 milionë euro.
Autostrada Milot – Balldren do të ketë një gjurmë tërësisht të re dhe projekti përfshin:
Një tunel në mal me dy tuba 850 metra,
Një urë të re 620 metra mbi lumin Mat;
Një urë të re 223 metra mbi lumin Drin;
5 nyje në disnivel;
Rreth 9.5 kilometra rrugë dytësore;
Sistem elektronik monitorimi dhe tarifimi.
Të gjitha këto elemente kanë kosto të konsiderueshme në çdo projekt autostrade.
Nuk bëhet fjalë për një rrugë fushore, por aksi kalon në një zonë aluvionale pranë bregdetit Adriatik. Kjo kërkon:
Stabilizim të terrenit; Mbushje të konsiderueshme të terrenit; Drenazh; Masa kundër uljeve diferenciale.
Të dashur qytetarë,
Autostrada Milot – Balldren, një vepër e shumëpritur, sidomos nga banorët e qarqeve Shkodër dhe Lezhë, është një projekt me rëndësi strategjike, pjesë e rrjetit evropian të transportit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe më tej me rrjetin TEN-T. Si e tillë, realizimi i saj ka një rëndësi madhore dhe Qeveria Shqiptare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe unë personalisht, jemi të angazhuar maksimalisht për ta realizuar sa më shpejt këtë projekt.
Faleminderit.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë