Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, prezantimi i projektligjit “Për shërbimet digjitale në Republikën e Shqipërisë”
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile, përfaqësues të akademisë,
Përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian,
Të dashur miq dhe të ftuar,
Është kënaqësi e veçantë për mua sot që të mblidhemi për të diskutuar mbi një projektligj shumë të rëndësishëm në fakt, projektligjin “Për shërbimet digjitale në Republikën e Shqipërisë”, që ka një karakter shumë të rëndësishëm pasi nga njëra anë bën rregullimin e një sektori shumë të rëndësishëm siç janë shërbimet digjitale në Shqipëri, por edhe është një proces shumë i rëndësishëm në kuadër të integrimit të Bashkimit Evropian të Shqipërisë.
Ky projektligj është bazuar mbi një akt të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, Akti i Shërbimeve Digjitale dhe projektligji që ne diskutojmë sot me ju bën përafrimin e plotë të këtij akti.
Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të angazhuar për transformimin digjital dhe përmbushjen e objektivave të integrimit evropian në kuadër të strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim dhe agjendës së reformave. Dhe kur flas pjesën e agjendës së reformave për t’ju konkretizuar, hyn ndër ato akte të Bashkimit Evropian mbi të cilën Qeveria Shqiptare dhe Bashkimi Evropian po ashtu kanë atashuar dhe kanë rënë dakord për t’u atashuar dhe një masë mbështetëse për qeverinë shqiptare me miratimin e këtij akti.
Përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe mjedisi online sot janë masivë dhe gradualisht është një mundësi e madhe për të gjithë, si për biznesin, konsumatorin dhe individin. Shërbimet digjitale dhe zhvillimet digjitale janë një realitet i prekshëm për cilindo individ dhe përdorimi i instrumenteve digjitale, përfshirë dhe inteligjencën artificiale, janë pjesë e përditshmërisë sonë.
Zhvillimet e avancuara, transformimi digjital kërkon dhe përshtatjen e një kuadri ligjor bashkëkohor, siç është ky që në fakt ne propozojmë për ju, gjithëpërfshirës, që promovon si zhvillimet inovatore, por që garanton gjithashtu respektimin e të drejtave themelore dhe parimet e mbrojtjes së konsumatorit, marrësit e shërbimeve digjitale kundrejt rregullave dhe vendosjes së rregullave të qarta, objektive, jo diskriminuese dhe proporcionale për ofruesit e shërbimeve digjitale dhe një mbrojtje më të mirë për konsumatorin në mjedisin digjital.
Projektligji “Për shërbimet digjitale në Republikën e Shqipërisë”, që tashmë është në konsultim publik dhe kushdo nga ju apo nga çdo qytetar apo grup interesi ka të drejtë të japë komente apo sugjerime përkatëse, të cilat ne do t’i vlerësojmë dhe do t’i shikojmë me shumë kujdes, ka për qëllim të kontribuojë në mirëfunksionimin e shërbimeve ndërmjetëse në Republikën e Shqipërisë, duke vendosur rregulla të harmonizuara për një mjedis online të sigurt, të parashikueshëm dhe të besueshëm, që i përgjigjet zhvillimeve teknologjike dhe përdorimit masiv të teknologjisë digjitale dhe shërbimeve online, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave themelore, si dhe mbrojtjen më të mirë të konsumatorit, marrësit të shërbimeve të ndërmjetme.
Projektligji përcakton rregulla për ofrimin e shërbimeve ndërmjetëse në Republikën e Shqipërisë, të harmonizuara me praktikat e Bashkimit Evropian dhe krijon një veçanti një kuadër përjashtimi të kushtëzuar nga përgjegjësia për ofruesit e shërbimeve të ndërmjetme, rregulla dhe detyrime specifike për kujdesin e duhur në mjedisin online, të përshtatura sipas kategorive të ofruesve të shërbimeve ndërmjetëse dhe rregulla për zbatimin dhe garantimin e zbatimit të këtij ligji, përfshirë ato të lidhura me bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet autoriteteve kompetente të Shqipërisë dhe me ato të Bashkimit Evropian.
Dhe në fakt këtu ndoshta nuk është tryeza për ta saktësuar se çfarë, kur ne flasim në këtë ligj, se çfarë janë shërbimet të ndërmjetme, po ndoshta edhe për publikun, kur flasim për shërbime të ndërmjetme kemi të bëjmë që nga shërbimet e Internet Service Provider deri te faqet e hostimit, siç janë cloud apo dhe platformat online apo platformat online të mëdha.
Dhe përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga procesi evropian përmes hartimit të një ligji të ri për shërbimet digjitale në Republikën e Shqipërisë është i nevojshëm dhe i shërben krijimit të një kuadri ligjor gjithëpërfshirës që rregullon ofrimin e shërbimeve ndërmjetëse në mjedisin digjital, garanton mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve, rrit transparencën dhe përgjegjësinë e platformave online, forcon mbrojtjen e konsumatorëve dhe mundëson trajtimin efektiv të aktiviteteve dhe përmbajtjes së paligjshme.
Projektligji për shërbimet digjitale hartohet në kuadër të Kapitullit 10 të Bashkimit Evropian, “Shoqëria e Informacionit dhe Media”, agjendës së reformave dhe integrimit gradual në tregun e vetëm digjital të Bashkimit Evropian.
Dua të theksoj disa elemente, sepse ndoshta edhe mund të ketë diskutime mbi përmbajtjen e projektligjit. Nga 61 nene që ka ky ligj, 60 janë përafrim i plotë me aktin e Bashkimit Evropian që unë citova. Dhe po ashtu dua të theksoj dhe faktin që projektligji, si çdo nismë tjetër në kuadër të integrimit evropian, do i dërgohet Komisionit Evropian për vlerësim dhe do vijohet me miratimin e tij vetëm pasi Komisioni Evropian të japë pëlqimin dhe dakordësinë e tij për miratimin.
Projektligji sigurisht adreson problematika që lidhen me mungesën e një kuadri të posaçëm për rregullimin e shërbimeve digjitale, mungesën e detyrimeve të harmonizuara për platformat online, si dhe nevojën për mekanizma më efektivë për transparencën, mbrojtjen e përdoruesve, të dhënave personale të tyre dhe trajtimin e përmbajtjen e paligjshme të këtyre platformave.
Efektet pozitive priten në aspektin juridik, institucional dhe ekonomik, duke përmirësuar standardet e sigurisë dhe besueshmërisë online, duke rritur mbrojtjen e përdoruesve, duke nxitur zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe të një tregu digjital më të besueshëm dhe konkurrues, si dhe duke kontribuar në avancimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë.
Objektivat kryesore të këtij projektligji janë:
Krijimi i një mjedisi digjital më të sigurt në Shqipëri;
Rritja e mbrojtjes së të drejtave themelore të përdoruesve;
Rritja e transparencës dhe e llogaridhënies së ofruesve të shërbimeve ndërmjetëse online;
Vendosja e detyrimeve për ofruesit e shërbimeve ndërmjetëse;
Forcimi i mbrojtjes së konsumatorit në tregtinë elektronike;
Krijimi i një sistemi efektiv mbikëqyrjeje dhe zbatimi;
Përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian.
Nga pikëpamja ekonomike dhe rregullatore, projektligji pritet të harmonizojë kuadrin ligjor me atë të Bashkimit Evropian, duke rritur sigurinë juridike, duke nxitur besimin në tregun digjital dhe lehtësuar integrimin e Shqipërisë në tregun e përbashkët digjital evropian.
Në aspektin institucional, projektligji do të mundësojë forcimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes dhe koordinuese të autoriteteve kompetente shqiptare, si dhe krijimin e mekanizmave të nevojshëm për bashkëpunim me autoritetet homologe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në fushën e shërbimeve digjitale.
Të nderuar pjesëmarrës, në fund të kësaj fjale përshëndetëse, sigurisht dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet që kanë qenë pjesë e këtij procesi dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në hartimin e projektligjit me konsulentë të Bashkimit Evropian, por kryesisht edhe gjithë stafin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që kanë ndjekur dhe drejtuar këtë nismë shumë të rëndësishme.
Kjo është tryeza e parë e konsultimit publik, por kam dëshirë të theksoj që nga ana tjetër ne i vendosim një theks shumë të rëndësishëm këtij projektligji, por edhe të gjitha ligjeve që lidhen me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe para këtij takimi konsultativ janë bërë tre tryeza teknike ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe përfaqësuesve të grupeve të interesit apo shoqërisë civile.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si institucion lider në Kapitullin 10 dhe përgjegjëse për politikat në fushën digjitale, ka bindjen se në bashkëpunim dhe bashkërendim me të gjithë ju, për të gjitha aktet e agjendës së transformimit digjital nën këtë kapitull, do të sigurojmë avancimin maksimal të agjendës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në fushën digjitale, si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare.
Me falënderim dhe vlerësim për çdo kontribut që si deri më tani do të vijoni të jepni në procesin e transformimit digjital të vendit, përfshirë finalizimin e punës për miratimin e projektligjit për shërbimet digjitale.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë