Kuvend, fjala e Ministrit Karakaçi - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 21/05/2026

Kuvend, fjala e Ministrit Karakaçi

Fjala në Kuvend e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Për mua siç e thashë është një kënaqësi e veçantë të prezantoj sot para jush këtë projektligj, i cili lidhet drejtpërdrejt me realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme zhvillimore për veriun e vendit, projektin “Porta e Alpeve”.

​Përmes këtij projekti, ne i hapim rrugë realizimit të një investimi strategjik për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë së veriut, forcimin e infrastrukturës publike dhe mbështetjen e turizmit malor dhe gjithëvjetor, duke u theksuar kryesisht në qarkun e Shkodrës. Projektligji që paraqesim sot synon ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, përmes së cilës do të akordohet një hua në vlerën 50 milionë euro për financimin e punimeve të infrastrukturës bashkiake në kuadër të projektit “Porta e Alpeve”.

​Vlera totale e projektit parashikohet të arrijë në 100 milionë euro, ndërsa për pjesën tjetër të financimit prej 50 milionë eurosh Qeveria Shqiptare tashmë ka marrë angazhimin zyrtar me KfW për sigurimin e plotë të mbështetjes financiare. Ky projekt përfaqëson një investim strategjik me ndikim afatgjatë në përmirësimin e ndërlidhjes territoriale, zhvillimin e turizmit të integruar dhe krijimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi për veriun e vendit.

​Në këtë kuadër, projekti synon ndërtimin për herë të parë të një korridori të integruar që do të lidhë Alpet Shqiptare me bregdetin Adriatik, me liqenin e Shkodrës, me lumin Buna, Velipojën dhe Shëngjinin. Ky koncept synon të krijojë një zinxhir të integruar ekonomik dhe turistik, duke lidhur turizmin malor me turizmin bregdetar dhe kulturor, si dhe duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi për komunitetet lokale.

​Të nderuar deputetë,

Rëndësia e këtij projekti bëhet edhe më e madhe në kushtet kur veriu i Shqipërisë ka njohur vitet e fundit një rritje të jashtëzakonshme të fluksit turistik, falë politikave të ndjekura nga Qeveria Shqiptare për promovimin e turizmit, investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe rritjes së interesit ndërkombëtar për alpet shqiptare.

​Qeveria Shqiptare në vitet e fundit ka pasur një fokus të veçantë në veriun e vendit, duke investuar në sektorë strategjikë, kryesisht në infrastrukturë dhe turizëm me synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të zonës. Vetëm në qarkun e Shkodrës janë investuar rreth 1.3 miliardë euro gjatë një dekade dhe janë ndërtuar ose rikonstruktuar rreth 315 km rrugë të brendshme. Ndër investimet më të rëndësishme do ndalesha te rruga e Valbonës, rruga e Vermoshit, aksi Shkodër-Velipojë, rruga e Dukagjinit, investimet në zonat e Pukës dhe Thethit.

​Në sektorin energjetik, gjatë periudhës 2023-2026, vetëm OSHEE ka investuar 32 milionë euro në katër qarqet e vendit të veriut Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër.

​Këto investime kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e turizmit, ku vlen të përmendet transformimi i Tamarës, Valbonës, zonave alpine dhe qytetit të Shkodrës. Sigurisht ne jemi të ndërgjegjshëm se ka ende shumë punë për të bërë për veriun e vendit dhe për qarkun e Shkodrës dhe se kjo zonë meriton vëmendje të plotë nga Qeveria Shqiptare. Rritja intensive e turizmit ka sjellë edhe nevojën për investime të reja në infrastrukturë, mobilitet, ujësjellës-kanalizime, menaxhim mjedisor dhe shërbime publike, në mënyrë që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe në harmoni të mbrojtjes së natyrës dhe trashëgimisë kulturore.

​Pikërisht këtu qëndron rëndësia e projektit “Porta e Alpeve”. Ky projekt nuk fokusohet vetëm te infrastruktura rrugore, por parashikon një qasje të integruar territoriale, duke parashikuar ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturën rrugore dhe ndërlidhjet territoriale për të përmirësuar aksesin ndërmjet Alpeve, zonave liqenore dhe bregdetit Adriatik, ndërmjet Velipojës dhe Shëngjinit. Hapësirat urbane dhe shërbimet publike me synim rritjen e zhvillimit ekonomik dhe kapaciteteve turistike. Transportin publik dhe mobilitetin e qëndrueshëm. Infrastrukturën ujore dhe mjedisore me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve. Monumentet natyrore dhe historike, si dhe krijimin e produkteve të reja turistike përfshirë shtigjet e strukturave turistike, infrastrukturë biçikletash dhe valorizim të trashëgimisë kulturore.

​”Porta e Alpeve” është konceptuar si një projekt me shtrirje të gjerë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të veriut të vendit. Ai synon jo vetëm të përmirësojë infrastrukturën dhe aksesin, por edhe të krijojë kushtet për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor, zgjerimin e sezonit turistik dhe rritjen e investimeve private në rajon.

​Projekti është menduar gjithashtu për të krijuar akses të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në qarkun e Shkodrës, duke mbështetur zhvillimin e turizmit si një sektor prioritar për ekonominë shqiptare. Ky projekt kontribuon drejtpërdrejt edhe në realizimin e objektivave të programit “Shqipëria 2030” për zhvillimin e qëndrueshëm, përmes investimeve në infrastrukturë publike, ujë dhe mjedis, mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si dhe masa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimaterike.

​Zbatimi i këtij projekti pritet të sjellë përmirësim të cilësisë së jetës për komunitetet lokale, rritje të investimeve publike dhe private në veri të vendit, zhvillim të turizmit gjithëvjetor, rritje të lidhshmërisë infrastrukturore, mbështetje për zhvillimin ekonomik rajonal, përmirësim të shërbimeve bazë dhe mobilitetit, si dhe kontribuon në mënyrë të rëndësishme në mbrojtjen e mjedisit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

​Për t’ju rikthyer edhe njëherë projektligjit që kemi sot për miratim, dua të theksoj se financimi nga Banka Europiane e Investimeve garanton jo vetëm mbështetje financiare me terma shumë të favorshëm krahasuar me financimet tregtare bankare, por edhe me standarde të larta të transparencës, monitorimit dhe zbatimit të projektit. Ratifikimi i kësaj marrëveshje përfaqëson një investim me ndikim afatgjatë në zhvillimin e Shqipërisë së veriut duke forcuar kohezionin territorial, zhvillimin ekonomik dhe potencialin turistik të vendit.

Ndaj ftoj të gjithë deputetët që ta miratojnë projektligjin.

Faleminderit!