Konferenca për media e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi
Përshëndetje të gjithëve.
Faleminderit që erdhët sot në këtë konferencë për media periodike që Qeveria Shqiptare dhe të gjitha ministritë po bëjnë me gazetarët për të pasqyruar punët e secilës ministri, në kuadër edhe të funksionit tonë të transparencës.
Para se të fillonim që të merrnim pyetje nga ana juaj, do të dëshiroja që të shfrytëzoja këtë rast për të adresuar një nga çështjet më sensitive të ditëve të fundit që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe për këtë qëllim do të doja që të referoja qëndrimin e ministrisë përsa i përket kësaj situate deri në këto ditë.
Së pari, normalisht është e rëndësishme të theksojmë faktin që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një prej projekteve infrastrukturore më të rëndësishme të dekadës së fundit në Shqipëri. Ka një pistë 3.2 kilometër dhe me një kapacitet fillestar prej 2 milionë pasagjerësh në vit dhe një pozicion unik në hyrje të rivierës shqiptare. Aeroporti i Vlorës përfaqëson pikë kritike të sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, objekt ndaj të cilit shteti ushtron kompetenca të plota, mbikëqyrëse dhe rregullatore.
Mosoperimi ose bllokimi i tij nuk është thjesht çështje biznesi privat, është çështje e interesit publik dhe shtetëror. Operimi i plotë i Aeroportit të Vlorës do të mundësojë lidhje direkte me tregjet europiane dhe rajonale, zgjatje të sezonit turistik dhe rritje të fluksit të vizitorëve dhe lehtësim të investimeve të huaja në infrastrukturën bregdetare. Çdo ditë vonesë ose bllokim përkthehet drejtpërdrejt në humbje ekonomike të matshme për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit.
Pamundësia për të ofruar infrastrukturë ajrore funksionale në jug të vendit dëmton reputacionin kombëtar dhe dërgon mesazhe negative tek investitorët e mundshëm. Shqipëria nuk mund të paraqitet jo serioze para partnerëve të saj për shkak të mosmarrëveshjeve private mes aksionerëve. Shteti shqiptar, në bazë të kornizës kushtetuese dhe ligjore, është i detyruar dhe plotësisht i angazhuar të garantojë funksionimin e infrastrukturave të rëndësisë së veçantë.
Çdo infrastrukturë koncesionare me karakter publik dhe strategjik mbahet nën kujdesin e vazhdueshëm të shtetit, i cili vepron si garantues i fundit i operacionalitetit të tyre. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës me vëmendje të plotë dhe rigorozitet institucional. Ministria ka siguruar që të gjitha proceset të jenë në përputhje me detyrimet kontraktore, kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar. Të drejtat dhe detyrimet e të gjitha palëve janë respektuar në mënyrë të plotë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Megjithatë, Ministria vëren me shqetësim të thellë se sjellja e deritanishme e palëve zhvilluese, bllokimi fizik i kantierit, konfliktet gjyqësore ndërmjet aksionerëve, shkeljet kontraktore, akuzat penale, kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të garantuar respektimin e detyrimeve kontraktore.
Konflikti që po pengon realizimin e Aeroportit të Vlorës, duhet të kuptojmë që është në thelb një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes dy palëve private. Kjo mosmarrëveshje ka kaluar në disa faza eskalimi, nga debat i brendshëm aksioner, në beteja gjyqësore dhe deri në hapjen e procedurave penale. Është thelbësore të kuptohet që Ministria nuk është palë në këtë konflikt dhe nuk ka interes të favorizojë asnjërën palë aksionere, siç tregon shumë qartë edhe qëndrimi i mbajtur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në të gjitha proceset gjyqësore të zhvilluara deri tani mes palëve, dhe këto janë të gjitha publike.
Shteti shqiptar ka dhënë koncesionin sipas procedurave ligjore, ka mbikëqyrur zbatimin e kontratës dhe ka ndërhyrë vetëm atëherë kur mbrojtja e interesit publik dhe e të drejtës kontraktore e ka kërkuar. Konflikti aktual mes dy subjekteve tregtare në asnjë rast nuk do të tolerohet që të sjellë pasojat e tij mbi shtetin, ekonominë dhe qytetarët.
Pozicioni i qartë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është si vijon. Pavarësisht natyrës private të mosmarrëveshjes, asnjë nuk ka të drejtë të mbajë peng një infrastrukturë me rëndësi kombëtare. Zgjidhja e konfliktit është detyrë e palëve dhe e gjykatave kompetente, por subjektet duhet të jenë të qartë që asnjë mosmarrëveshje mes tyre nuk përbën shkak për moszbatimin e detyrimeve kontraktore dhe garantimin e operacionalitetit të aeroportit, që janë detyrime të shoqërisë, të cilat aktualisht janë të papërmbushura.
Ministria ka ndjekur hapat e nevojshëm ligjorë për garantimin e të drejtave të saj kontraktore dhe është e përgatitur të përdorë instrumentat e mëvonshëm kontraktorë, përfshirë aktivizimin e çdo klauzole në kontratë për të siguruar që Aeroporti i Vlorës të hapet dhe të operojë sipas afateve të detyrueshme, duke mos legjitimuar asnjë mosmarrëveshje si pengesë për ndërtimin e kësaj vepre.
Pyetje-përgjigjet
Një pyetje për aeroportin, çështje për të cilën ju sapo sqaruat opinionin publik. Kur thoni klauzolat e kontratës, çfarë nënkuptoni dhe cilat janë disa nga hapat që mund të përfshijnë këto klauzola për zgjidhjen e konfliktit në mënyrë që të mos bllokohet vepra aeroportuale?
Dhe ndërkohë, një pyetje për një vepër tjetër infrastrukturore që ka të bëjë me infrastrukturën hekurudhore. Afati i fundit, të paktën i deklaruar, për vënien në operim të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe degëzimit të ri drejt Rinasit është tremujori i parë i vitit 2027. A është ky afat i arritshëm apo kemi një afat të ri se kur do të udhëtojmë me tren, të paktën në këtë linjë hekurudhore që unë përmenda? Faleminderit.
Përsa i përket klauzolave të kontratës, siç unë e theksova gjatë fjalës sime, Aeroporti i Vlorës është një vepër infrastrukturore shumë e rëndësishme, do të thoja ndër më të rëndësishmet në dekadën e fundit. Nuk bëhen aeroporte në Europë dhe në botë në mënyrë të përvitshme. Ka shumë vite që edhe në vende më të zhvilluara nuk zhvillohen më aeroporte dhe si e tillë, ne e njohim shumë mirë rëndësinë infrastrukturore që ka ky aeroport.
Patjetër, siç unë e theksova, aeroporti nuk është akoma operacional, ku klauzolat e kontratës parashikojnë, së pari, vendosjen e penaliteteve, për të cilat patjetër Ministria, në varësi të të gjithë vonesave përkatëse dhe në bazë të kushteve të kontratës, do vijojë me përcaktimin e tyre. Dhe pastaj vijojnë, që nga dërgimi i një plani mitigues për rregullimin e pasojave të kontratës, që mund të rezultojë në shtyrje të afatit të kontratës koncesionare, apo deri edhe në zgjidhje të njëanshme të kontratës koncesionare, në varësi të argumenteve ligjore përkatëse sipas rastit.
Ndërsa përsa i përket afatit të vënies në punë të hekurudhës Tiranë-Durrës, besoj secili nga ju, edhe nga publikime të infrastrukturës, vepra aty për bërjen e shinave kryesore ka përfunduar. Ai është një projekt me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Patjetër ka pasur vonesa përkatëse, për shkak se projekti i hekurudhës kur është marrë kredia e parë, ka qenë i paplotë. Pra, në rastin konkret, nuk kishte akoma fazën e elektrifikimit dhe nuk kishte dhe stacionet përkatëse dhe për të cilat, fatmirësisht, tashmë janë ezauruar.
Ne sot kemi edhe procedurë prokurimi përsa i përket elektrifikimit, që është faza përmbyllëse e kësaj procedure hekurudhore. Ndërkohë, element i rëndësishëm është edhe fakti që Hekurudha Shqiptare, pasi e ka maturuar projektin me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka vendosur, sepse shqetësim kryesor ishte që pika fundore e hekurudhës ishte në Kashar, dhe tashmë Hekurudha Shqiptare ka njoftuar fillimin e procedurave të prokurimit për të bërë dhe përmbylljen e 4 kilometrave të fundit për ta sjellë hekurudhën Tiranë-Durrës në pikën e vet ku ka qenë gjithmonë, te Stacioni i Trenit në Tiranë. Edhe kjo procedurë tashmë është nisur dhe është e publikuar edhe nga ana juaj.
Në këtë kuptim, unë vlerësoj që viti 2027 është tërësisht i realizueshëm dhe do stepesha për të dhënë një afat fundor, sepse duke qenë se, siç iu referova, edhe elektrifikimi, edhe përfundimi i 4 kilometrave të fundit është në fazë prokurimi publik, dhe ju e dini që në faza prokurimi gjërat mund të shkojnë mirë dhe gjërat mund të ecin sipas procedurës, por mundet edhe të ketë ndonjë vonesë. Por ajo që unë mund të thënë është që brenda vitit 2027 patjetër që do të kemi vijën e parë hekurudhore funksionale në Shqipëri.
Zoti Ministër, sa i takon çështjes së Aeroportit të Vlorës, kur duhet të nisnin fluturimet në Aeroportin e Vlorës dhe nëse është shkelur ky afat, a gjykon Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që mund t’i vendosë edhe një kushtëzim që brenda këtij afati duhet të jetë aeroporti operacional?
Dhe një pyetje të dytë sa i takon tenderit të anuluar të portit të ri tregtar në Durrës, në Porto Romano. Ju mendoni se, ose a e keni gati zgjidhjen që do t’i jepni këtij projekti? Sepse kur tenderi u anulua u tha që do të dilni shumë shpejt me një zgjidhje tjetër.
Dhe një pyetje të tretë ka të bëjë me një kërkesë që ka ardhur nga Shoqata e Transportit, të cilët kërkojnë një zgjatje të rimbursimit që ju keni miratuar për naftën deri në shtator. Faleminderit.
Përsa i përket Aeroportit të Vlorës, patjetër, siç unë e referova në fjalën time publike, aeroporti nuk është operacional. Dhe duhet të kuptojmë diçka, që kur flasim me operacionalitet në kuptim të kësaj kontrate koncesionare, por edhe në kuptim të aeroporteve, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e veprës civile, por bëhet fjalë edhe për marrjen e të gjitha certifikatave përkatëse për bërjen e mundshme të operimit ajror. Dhe kjo është fakt publik që nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur as përfundimi total i infrastrukturës civile dhe nuk ka ndodhur as operacionaliteti. Në bazë të kontratës, këto duhet të kishin ndodhur në momentin që jemi duke folur dhe unë prandaj referova që patjetër penaliteti do t’i vendoset subjekteve, le të themi, tregtare.
Dua të theksoj dhe faktin që mosmarrëveshja në të cilën ju e keni parë gjatë gjithë kësaj kohe dhe ka pasur vëmendje publike gjatë gjithë kësaj kohe është një mosmarrëveshje private ndërmjet dy shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre të lirë në garën e Aeroportit të Vlorës. Dhe kjo mosmarrëveshje, e cila ka shkuar tani që nga mosmarrëveshjet civile në gjykatat civile deri në mosmarrëveshje penale, po bëhet shkak për vonesat e mëtejshme të operacionalitetit të Aeroportit të Vlorës, por jo vetëm, por po bëhet shkak edhe për prishjen e reputacionit të Aeroportit të Vlorës.
Të gjitha ato ngjarje që ne kemi parë ditët e fundit, patjetër janë të papëlqyeshme, së pari për qytetarët shqiptarë, ajo vepër infrastrukturore është për qytetarët dhe pastaj edhe për qeverinë dhe për shtetin shqiptar që kishte për të përfituar një zhvillim të mëtejshëm të turizmit në atë zonë. Dhe prandaj unë iu referova që patjetër ne si Ministri e dimë që patjetër ne do të zbatojmë të gjitha klauzolat përkatëse që njeh kontrata e koncesionit, në mënyrë që të realizojmë operacionalitetin e tyre, pavarësisht mosmarrëveshjes që kanë palët.
Përsa i përket Porto Romanos. Po, siç e referoni, edhe gara e dytë e shpallur për Porto Romanon nuk rezultoi e suksesshme. Ofertuesi i fundit që ishte i shpallur i suksesshëm nuk arriti që të sillte kontratën e tij financiare. Dhe bëri një komunikim zyrtar me Autoritetin Portual të Durrësit, duke e informuar që e kishte të pamundur të sillte një ofertë financiare për shkak të rritjes së kostove.
Porti i Porto Romanos është një port në nyje strategjike në kuptim të portit të Korridorit VIII, në kuptim të lëvizjes së portit të mallrave jashtë qytetit të Durrësit, por edhe në kuptim të mbrojtjes, pasi ka dhe interes nga NATO për të qenë pjesë e të gjithë Korridorit VIII.
Siç unë e kam theksuar, ne jemi në komunikim të brendshëm të vazhdueshëm. Do t’i japim një zgjidhje në mënyrë shumë të shpejtë. Jemi duke bërë bashkëpunim përsëri shumë intensiv me konsulentin Royal Haskoning, që është ndër konsulentët më të mirë në botë përsa i përket porteve dhe po vlerësojmë të gjitha masat që mund të merren në mënyrë që ta rivitalizojmë atë projekt sa më shpejt. Do ju informojmë sapo të kemi një përgjigje definitive për mekanizmin e zgjedhur.
Përsa i përket Shoqatës së Transportit, po. Në fakt, unë para dy-tre javësh njoftova vendimin e Këshillit të Ministrave që miratonte subvencionimin me 50 lekë për litër. Dua të theksoj faktin që ky subvencionim erdhi dhe si rrjedhojë e uljes sime, edhe kolegëve të tjerë të Ministrisë, Ministres së Ekonomisë, por edhe Ministrit të Financave, me Shoqatat e Transportit në kuadër të detyrës sonë për t’u ulur për masat menaxhuese dhe mbështetëse që mund t’i jepeshin dhe mund t’i jepen për subjektet dhe grupet e interesit, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës.
Ne u angazhuam në atë kohë që të kishim një masë mbështetëse, e cila u miratua. U angazhuam që kjo masë mbështetëse të ishte 50 lekë për litër, e cila u miratua dhe u angazhuam që pavarësisht kohës së miratimit, që u miratua në maj në fakt masa mbështetëse, ne do e kishim fillimin e aplikimit që nga muaji mars kur filluan efektet e krizës. Ajo çfarë unë mund të them në këtë moment është që patjetër ne do ulemi përsëri me Shoqatat e Transportit, do shikojmë si do vazhdojnë dinamikat e kësaj situate edhe në ditët e para të qershorit, pasi shikojmë që ka një relaksim të çmimeve në bursa, por edhe në pikat fundore të karburanteve. Megjithatë, situata është shumë dinamike dhe e ndryshueshme dhe patjetër ne do t’i gjendemi pranë Shoqatës së Transportit për çdo kërkesë që do ketë.
Zoti ministër, çfarë po ndodh me projektin e rrugës Milot – Balldren? Duke qenë se jemi dhe në nisje të sezonit veror dhe siç dihet, kjo periudhë e vitit shoqërohet dhe me trafik të rënduar, sidomos përsa i përket qëllimeve për turizëm në zonat bregdetare të veriut. Pra, kur nisin punimet për këtë projekt?
Dhe së dyti, trafiku vijon edhe në Tiranë – Durrës, pavarësisht se kishim zgjerimin për 6 kilometrat e parë të autostradës. Sa zgjidhje jep zgjerimi i pjesshëm i autostradës?
Dhe një pikë të tretë për këtë çështje të autostradës Tiranë – Durrës. Kohë më parë u përfol që kjo autostradë mund të ishte me pagesë në momentin që merrte pamje të plotë zgjerimi i saj. Ka ndërmend qeveria që t’i rikthehet idesë të tarifimit të autostradës Tiranë – Durrës? Faleminderit.
Para se të ndalesha te Milot – Balldreni, e para njëherë kam nevojë që të ritheksoj vendimmarrjen shumë të rëndësishme që mori dje Parlamenti Shqiptar për miratimin e marrëveshjes së financimit “Porta e Alpeve”, që është një marrëveshje financimi e dedikuar për qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës.
Dhe kjo gjë nënkupton angazhimin maksimal që ka Qeveria Shqiptare për veriun e Shqipërisë dhe konkretisht për qarkun e Shkodrës ka projekte shumë të rëndësishme që ndërlidhin Alpet me gjithë bregdetin e Adriatikut. Investime infrastrukturore në bashkitë kryesore, në Shkodër, në Malësi të Madhe, investime që ndërlidhin pikat turistike si Liqeni i Shkodrës, lumi i Bunës, në Velipojë dhe Adriatik dhe është një masë investimi që nuk e ka patur deri tani asnjë qark tjetër në Shqipëri. Që nënkupton shumë qartë misionin, vizionin, por dhe angazhimin e qartë që Qeveria Shqiptare ka për veriun e Shqipërisë dhe kryesisht për qarkun e Shkodrës.
Dhe patjetër, problematikë që banorët ngrenë, kryesisht në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës, është rruga Milot – Balldren. Rruga Milot – Balldren ka kaluar në disa etapa jo të suksesshme. Ka qenë vullneti i Qeverisë Shqiptare prej vitesh për ta zhvilluar si një autostradë të kategorisë A dhe që do bënte një shfryrje të trafikut që ndërlidhte edhe Kosovën, por edhe pjesët e veriut me pjesën e qendrës dhe jugut të Shqipërisë dhe për t’i dhënë dhe një shfryrje zonave turistike të Shëngjinit dhe Velipojës.
Patjetër, si çdo projekt infrastrukturor, siç ka projekte infrastrukturore që ecin më shpejt në kohë ose në kohën e duhur e në ritmin e duhur, ky projekt infrastrukturor nuk ka ecur në ritmin e duhur. Ajo çfarë unë mund të them është që po, është një procedurë koncesioni e hapur, jemi në fazën e vlerësimit të ofertave. Në dijeninë time komisioni është në fazën përmbyllëse dhe pritet që shumë shpejt, brenda fundit të majit ose fillimit të qershorit, ne të shpallim një fitues për rrugën Milot – Balldren. Ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është që po, rruga Milot – Balldren do bëhet. Do jetë një rrugë e kategorisë A, do ketë dhe rrugë alternative që t’ju ofrojnë dhe qytetarëve kalimin sipas të njëjtave kushte që kalojnë aktualisht, po patjetër do eci sipas një rruge ligjore përkatëse siç e rregullon kuadri i koncesioneve në Shqipëri.
Përsa i përket Tiranë – Durrës. Po, ne hapëm korsitë në drejtim të Rinasit dhe në drejtim të Tiranës kur vjen nga Durrësi, që ishin 6 kilometrat e parë. Unë e di që patjetër hinka krijohet përsëri, por dhe unë si çdo qytetar tjetër kaloj në atë rrugë dhe mund të theksoj që trafiku është shumë i ndryshuar. Kishim një problematikë të një mbikalimi, i cili na detyroi që ta ngushtonim një korsi në rrugën që të çon për në Rinas, e cila u rregullua me ndërhyrjen e menjëhershme të Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke u liruar dhe një korsi shtesë dhe aty është zhbllokuar trafiku tanimë në dalje.
Patjetër, ne e dimë që është hinka që krijohet në mbikalimin e Rinasit. Ajo çfarë unë mund të them është që ne kemi kontratën në fuqi që është duke u zbatuar dhe çdo qytetar kur kalon në rrugën Tiranë – Durrës mund ta shikojë vazhdimin e punimeve pas mbikalimit të Rinasit. Pjesë e kësaj kontrate të lidhur është shembja e mbikalimit të Rinasit, krijimi i një mbikalimi të ri me katër korsi dhe vazhdimi edhe me 2 kilometra të tjerë i korsive shtesë, të cilat janë duke u punuar dhe kjo do i japë dhe një shfryrje edhe më të madhe trafikut të rrugës Tiranë – Durrës.
Përsa i përket çështjes që ju referoni me pagesë apo pa pagesë, për sa kohë që të gjitha këto financime janë duke u bërë nga buxheti i shtetit, për momentin patjetër ajo do vazhdojë të jetë pa pagesë.
Zoti Ministër, në skenarin më të keq a e keni parashikuar se cila do të jetë dita më e largët po themi, kur aeroporti i Vlorës të bëhet operacional? Pra në rast se konflikti mes palëve vazhdon dhe përfundon në dyert e gjykatave apo arbitrazhit?
Dhe një pyetje e dytë për furnizimet me naftë gjatë kësaj periudhe krize, a janë ato të qëndrueshme në Shqipëri? Sepse Europa ka dhënë edhe sinjale alarmi apo paniku se mund të reduktojë fluturime apo mund të vendosë kufizime në rast se lufta apo kriza ndërkombëtare e naftës vazhdon. Faleminderit!
Përsa i përket asaj çfarë më referoni për aeroportin e Vlorës, edhe njëherë dua ta theksoj që ky aeroport, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është shumë e qartë për rëndësinë strategjike që ka aeroporti i Vlorës dhe do marrë të gjitha masat e nevojshme, që pavarësisht çdo mosmarrëveshje civile që kanë dy palë private që janë pjesë e koncesionit, pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, Ministria do marrë të gjitha masat që lejon kontrata e koncesionit që ta bëjë operacionale në përputhje me kushtet e kontratës. Patjetër për këtë do veprojmë sipas asaj që referon legjislacioni në fuqi dhe kontrata koncesionare. E kam të pamundur në këtë moment që unë t’ju them një afat, pasi ne jemi në fazë vlerësimi të kushteve të kontratës koncesionare dhe nuk dua që të prononcoj një afat që mund të ishte i gabuar.
Ndërsa përsa i përket naftës dhe sigurisë së furnizimit me lëndë hidrokarbure, po situata në tregjet globale, siç unë e referova, është dinamike. Shumë shtete kanë hasur vështirësi, sidomos shtetet që lidhen me furnizimin e lëndëve hidrokarbure nga Ngushtica e Hormuzit. Siç e kemi theksuar edhe herë të shkuara, fatmirësisht Shqipëria nuk hyn në ato shtete që bazohet në furnizimin e produkteve hidrokarbure nga Ngushtica e Hormuzit. Mbi 90% të produkteve hidrokarbure vijnë në Shqipëri nga kanalet e tjera alternative.
Dhe në këtë sens, patjetër deri tani, Shqipëria ka qenë, të paktën përsa i përket sigurisë së furnizimit, ka qenë e garantuar dhe nga komunikimi që ne kemi me të gjithë subjektet tregtare të hidrokarbureve, por edhe nga vlerësimi që është bërë nga grupet e punës të ngritura për qëllimin e mbajtjes së rezervës hidrokarbure, nuk cenohet siguria e furnizimit me nënprodukte hidrokarbure në Shqipëri. Gjithsesi, kjo është një çështje që Ministria dhe Qeveria në tërësi e ka në vëmendje.
Dhe këtu ndalemi te fakti që masat që janë marrë herë pas here, siç ishte ulja e akcizës, apo masa e mbështetjes për kompanitë e transportit dhe çdo masë tjetër që mund të lindi e nevojshme gjatë kësaj periudhe. Po për momentin ne nuk shikojmë që të jemi në ato kushte.
Ju faleminderit! Faleminderit për kohën dhe për të gjitha pyetjet që patëm mundësi sot t’i trajtonim bashkë. Faleminderit dhe ditë të mbarë!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë