Ministri Karakaçi merr pjesë në Konferencën e FIAA - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 27/03/2026

Ministri Karakaçi merr pjesë në Konferencën e FIAA

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në Konferencën e FIAA:

 

Të nderuar kolegë,

Të nderuar të ftuar,

Marinela, më vure në siklet, sepse patjetër unë do ta filloja fjalën duke të falenderuar ty. Me të vërtetë është nevoja ti them dy fjalë për ty dhe për Shoqatën e Investitorëve të Huaj. Është e vërtetë që e kemi nisur këtë rrugëtim për këtë event para rreth 3 vitesh, ku në atë kohë kemi folur në mënyrë të ngushtë, afër, për mënyrën sesi ta paraqisnim Shqipërinë, për projektet që donim të bënim, për projektet që ishin bërë dhe sesi të përcillnim sa më mirë idetë që ne kishim dhe vizionin që kishim për sektorin energjetik.

Patjetër është një kënaqësi shumë e madhe që tani unë jam këtu për fjalën e hapjes dhe që shoh gjithë këto të ftuar dhe një event kaq të mirë me shumë përfaqësues dhe patjetër është shumë e domosdoshme që të të them faleminderit ty, faleminderit shoqatës, që ka arritur të krijojë këtë sinergji për të patur një event të tillë.

Kjo konferencë nuk është thjesht një platformë diskutimi. Ajo në vetvete është një dëshmi e transformimit të thellë që sektori energjetik ka përjetuar në këtë 5 vjeçar, duke vendosur themele të forta për të ardhmen tonë drejt vizionit të Shqipërisë 2030 dhe sidomos të sektorit energjetik.

Në këtë pikë është e pashmangshme që unë të ndalem pak edhe në dimensionin personal. Është e vërtetë që kur flasim për atë çka kemi bërë në 5 vitet e shkuara, unë kam patur fatin e mirë që të jem në cilësi të ndryshme pjesë e këtyre ndryshimeve. Kam qenë Drejtor i Përgjithshëm i energjisë dhe pastaj Administrator i OSHEE-së dhe kjo më krijon mundësinë që patjetër ta njohë sektorin thellë dhe jo vetëm në nivel politikbërje, por edhe në nivel operimi. Sfidat konkrete dhe të ardhmen, mendoj se i njoh mirë dhe mund të bëjë një analizë të gjërave që kanë ecur mirë, por edhe gjërave që duhet ti themi në mënyrë të drejtë dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, që kanë nevojë që të kemi një hap më të shpejtë.

Sektori energjetik është ndër sektorët më të ndjeshëm në zhvillimet gjeopolitike. U bë rutinë tashmë që kemi kriza globale gjeopolitike. Më kujtohet në vitin 2021, kur unë mora punën për herë të parë kishim krizën e çmimeve të energjisë elektrike, që vendosi gjithë sektorin në një stres të jashtëzakonshëm. Pastaj në vitin 2022 kishim një krizë përsa i përket hidrokarbureve që çmimet ishin shumë të larta dhe patëm një situatë, po ashtu të vështirë dhe përsëri sot gjendemi në një situatë ku për shkak të një lufte jashtë kufijve tanë dhe larg kufijve tanë, përsëri kemi një situatë që vendos sektorin energjetik dhe sektorin hidrokarbur në një situatë po ashtu stresuese dhe të vështirë. Patjetër kjo e vendos sektorin përballë sfidave të reja dhe kërkon vendimmarrje të shpejtë, koordinim të fortë dhe vizion afatgjatë për të garantuar siguri dhe qëndrueshmëri.

Çfarë ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve?! Patjetër përmes reformave të thella kemi ndërtuar një sistem të qëndrueshëm, të rregulluar dhe të harmonizuar me Bashkimin Europian. Kjo nuk vjen vetëm si nevojë e Shqipërisë për të qenë anëtare e Bashkimit Europian dhe si e tillë për të përafruar gjithë kuadrin ligjor rregullator me Bashkimin Europian, por vjen edhe si domosdoshmëri për të thithur investime, për ti garantuar investitorëve një kuadër të qëndrueshëm rregullator.

Kemi forcuar institucionet, kemi modernizuar prodhimin dhe kemi investuar në dixhitalizimin dhe inovacionin e tyre. Por, mbi të gjitha e dëshmon edhe ky event i tillë, kemi ndërtuar një partneritet real me sektorin energjetik. Kontributi i investitorëve vendas që janë shumë të rëndësishëm, por edhe të huaj, ka qenë vendimtar në këtë transformim. Pa këtë bashkëpunim do ishte e pamundur të arrinim progresin e sotëm.

Mendoj që viti 2019 ka qenë viti kyç për momentin e zhvillimit të sektorit energjetik, pasi nisëm strategjinë reale të diversifikimit të burimeve të energjisë. Nga një varësi pothuajse totale hidrike, e burimeve gjeneruese, sot kemi një portofol shumë më të balancuar, ku energjia diellore ka marrë një rol shumë të rëndësishëm. Projektet fotovoltaike të zhvilluara përmes ankandeve kanë sjellë jo vetëm investime cilësore, por dhe standarde të reja për Shqipërinë. Standarde, transparencë dhe konkurrueshmërie.

Paralelisht sektori privat ka avancuar edhe më tej. Ka marrë guxim dhe vizion duke investuar edhe përtej skemave mbështetëse. Sot është realitet që kemi projekte të ndërtuara, jo vetëm në letër, nga zhvillimi i ankandeve fotovoltaike, por kemi edhe projekte reale të ndërtuara nga investitorë privatë, pa mbështetje. Sot rreth 10% e prodhimit vendas vjen nga energjia diellore, duke krijuar kështu një pol të ri energjetik dhe duke ulur ndjeshëm varësinë nga kushtet klimatike.

Por transformimi, duhet ta themi, nuk ndalet vetëm tek prodhimi. Ngjarjet e fundit në Europë, kujtojmë që siguria energjetike nuk është e lidhur vetëm me prodhimin, por edhe me transmetimin. Kudo në Europë sot flitet për transmetimin, kudo në Europë sot flitet për kapacitetet. Në fund të ditës në qoftë se duam të ndërtohen kapacitete të reja gjeneruese është e rëndësishme që të ndërtojmë dhe kapacitete transmetuese. Kështu që patjetër ky është edhe fokusi jonë, Shqipëria është e fokusuar tashmë në fuqizimin e rrjeteve dhe lidhjeve ndërkombëtare.

Siç e thashë, investimi, çfarëdolloj investimi që duam të bëjmë tashmë në burime të reja gjeneruese dhe të rrisim kapacitetin prodhues është nevoja që të shoqërohet me investime në Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Dhe në këtë kuptim investimet në linjat ekzistuese, projektet e reja të interkonjeksionit dhe planet për ndërlidhjen me tregjet europiane, janë hapa strategjikë për ta kthyer Shqipërinë në një nyje kyçe të transmetimit energjetik në rajon. Këtu kuptoj projektet që kemi tashmë dhe që janë pothuajse të përfunduara për lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Projektin për dyfishimin e kapaciteteve me Greqinë, projektin shumë të rëndësishëm për lidhjen e Shqipërisë me Italinë, që janë të gjitha kapacitete të reja shfryrëse për burime të reja gjeneruese.

Histori tjetër suksesi. Mbaj mend para 4 vitesh themeluam ALPEX. Nisëm me vështirësi, kënaqësi të ishim aty, por kënaqësi edhe më e madhe kur shikon që ALPEX tashmë është një realitet. Para dy ditësh takova një nga investitorët, që në fakt është edhe këtu sot prezent, dhe po më tregonte që kapacitetin e tij gjenerues e kalon në ALPEX dhe jo vetëm që e kalon në ALPEX, por edhe është duke përmbyllur financimin me një nga financuesit ndërkombëtar që ekzistojnë këtu në Shqipëri, që nënkupton që ALPEX sot është një realitet, por jo vetëm aq, por krijon siguri për financimin e projekteve.

Patjetër, cili është objektivi jonë? Është shumë i qartë. Shqipëria nga një vend i varur nga importet të kthehet brenda vitit 2030 një vend eksportues dhe që të kemi mundësi të kemi një sovranitet energjetik. Një tjetër element i rëndësishëm është efiçenca e energjisë. Patjetër kemi pasur programe për mbështetjen e efiçencës së energjisë, por mendoj që këtu është vendi ku mund të bëjmë përsëri më shumë. Nuk ja kemi dalë aq sa duhet të kemi një fond të efiçencës së energjisë dhe për këtë jemi duke punuar shumë seriozisht me një nga financuesit ndërkombëtar që të krijojmë një fond financimi dhe fond efiçence energjie që të kemi mundësi që të kemi programe të vazhdueshme për efiçencën e energjisë.

Ndërkohë kemi pasur rezultate shumë konkrete përsa i përket rritjes së kapaciteteve prodhuese. Këtu kemi një masë mbështetëse shumë të mirë që ka lejuar dhe krijuar mundësinë që të kemi rreth 400 mega kapacitete vetëprodhuese në vend, pikërisht për shkak të masave dhe kuadrit rregullator shumë transparent dhe të thjeshtuar që i ka krijuar mundësinë bizneseve të vogla apo familjarëve që të kenë mundësitë për të pasur kapacitete gjeneruese për vetëprodhim. Janë marrë hapa konkretë ndërkohë për uljen e humbjeve, rritjen e arkëtimeve, krijimin e kompanive të sektorit energjetik që të jenë në një qëndrueshmëri financiare mos të jemi të varur, le të themi, nga ndërhyrjet shtetërore përsa i përket financimeve.

Por, të jemi edhe konkretë, për të vijuar dhe për të pasur këtë qëndrueshmëri është nevoja që të kemi edhe investime në burime njerëzore. Patjetër burimet njerëzore janë çelësi i sektorit energjetik dhe ne edhe këtu po marrim hapa konkretë. Kemi vendosur për krijimin e Akademisë së Energjisë. Edhe këtu kemi një sinergji shumë të mirë me financues ndërkombëtarë, me BERZH-in në rastin konkret, që na ka suportuar, me KfW që po na suporton. I përmend financuesit ndërkombëtarë jo për qëllim emocioni, se në fund të ditës ne e kemi shumë të qartë që të gjithë financuesit ndërkombëtarë janë këtu për të dhënë hua dhe për të ndihmuar sektorin me grante, por i përmend financuesit ndërkombëtar për një element kyç. Unë jam shumë i qartë që çdo projekt këtu, apo çdo politikë që ne mund të bëjmë është i suksesshëm vetë në qoftë se projekti është i financueshëm. Ju jeni të gjithë investitorë këtu, në fund të ditës kërkoni që të ndërtoni dhe të bëni projekte, por këto projekte janë të realizueshme vetëm në qoftë se janë të financueshëm dhe prandaj i përmend herë pas here.

Në fakt ne kemi projekte reale të cilat kanë interesin e financuesve dhe kemi edhe projekte të cilat janë duke u financuar nga institucionet më të rëndësishme financiare në botë dhe po ashtu element i rëndësishëm është që po ecim drejt inovacionit. Kemi projekte madhore të cilat e çojnë Shqipërinë një hap përpara përsa i përket të gjitha zhvillimeve energjetike të vendit, duke përfshirë edhe projekte të shoqërisë publike në lidhje me digat dhe me pump storage, por edhe investime private në këtë drejtim.

Për ta përmbyllur le të themi rrugëtimin tonë, patjetër element shumë i rëndësishëm është që nuk do ndalemi. Kemi në plan që në tre-mujorin e tretë të vitit 2026 të hapim një ankand të ri për prodhimin gjenerues të rinovueshme, patjetër përsëri me asistencën dhe në bashkëpunim me BERZH dhe garantojmë që do të ketë edhe një lloj fleksibiliteti përsa i përket sistemit energjetik të vendit në ditën e sotme.

Të nderuar pjesëmarrës, historia e sektorit energjetik shqiptar në këto vite është një histori transformimi, bashkëpunimi dhe vizioni, por ajo që është edhe më e rëndësishme është që kjo histori nuk ka përfunduar ende, jemi përsëri në zhvillim të kësaj historie. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide të reja, për investime të reja dhe për një dialog të hapur midis të gjithë aktorëve dhe ky forum është vendi i duhur për ta bërë këtë. Prandaj, duke qenë se sektori privat është shtylla kryesore e kësaj tryeze, e këtij forumi, do doja të ftoja të gjithë ju që të ndani perspektivat tuaja, arritjet dhe planet për të ardhmen, sepse suksesi i deritanishëm është rezultat i thellë i bashkëpunimit dhe suksesi i së ardhmes do të varet nga thellimi i tij.

Faleminderit.