Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave
Përshëndetje të gjithëve!
Sot kishim mbledhjen e qeverisë dhe përsa i përket Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kishim një akt shumë të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, një marrëveshje financimi me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe shoqërinë OSHEE Group, e garantuar me garanci sovrane nga Ministria e Financave, për rishikimin e marrëveshjes së financimit të nënstacionit të Qendrës.
Ky projekt dhe kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për vazhdimin e sigurisë së furnizimit të qytetit të Tiranës dhe për t’ju përgjigjur ritmit të zhvillimit të qytetit të Tiranës. Sot ka një nënstacion elektrik të Qendrës, i cili ka patjetër kapacitet të reduktuar tashmë me këtë zhvillim, që gjithsecili e di përsa i përket ndërtimit në Tiranë.
Kjo marrëveshje parashikon ndërtimin e një nënstacioni model, bashkëkohor, nëntokësor, në zonën mbrapa teatrit të Operas dhe Baletit. Nëntokësor siç e thashë, që është ndër të rrallët nënstacione që gjenden në Bashkimin Europian, sepse kanë specifikat e tyre teknike. Ne kemi vendosur që të jetë nëntokësor për shkak se jemi duke folur për në qendër të Tiranës. Ka 3 transformatorë. Projekti është në fazë goxha të avancuar, kemi mbyllur procedurën konkurruese, është aplikuar për leje ndërtimi. Me miratimin e këtij amendimi të marrëveshjesh së financimit bëhet menjëherë e aplikueshme dhe faza e fillimit të ndërtimeve.
Po ashtu edhe një vendim tjetër që do ta prezantoj që ka edhe një interes simbolik në pritje të së premtes së fundit të muajit të Ramazanit. Kemi një marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Myftinisë të Komunitetit Mysliman, që bëhet fjalë për një marrëveshje në kuadër të rindërtimit, për të rindërtuar Xhaminë e Shijakut. Kjo marrëveshje bëhet me fonde, donacione të të gjithë besimtarëve. Siç e thashë mendoj që është dhe një simbolikë rastësore, e këndshme, e fundmuajit të Ramazanit.
Faleminderit!
Përgjigje e pyetjeve të gazetarëve
Taksa e qarkullimit për tu ulur 45 lekë nënkupton që të jetë 45 lekë. Taksa e qarkullimit nuk është 45 lekë, së pari. Së dyti, ne kemi ndjekur një model tjetër. Taksa e qarkullimit është në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por është e ndarë. Disa e segmentojnë në pikat e karburanteve daljen e taksës së qarkullimit, disa e segmentojnë në pagesën e taksave të mjeteve. Ne kemi gjykuar dhe vlerësuar që marrja e taksës së qarkullimit në pikën e karburantit është mjeti më i mirë sepse paguajnë më shumë taksë ata që përdorin më shumë mjete. Pra ai që përdor më shumë litra në automjet paguan më shumë taksë. Ne jemi duke ndjekur dhe siç e kemi parë të gjitha këto ditë me të gjitha grupet e interesit të shoqërive hidorkarbure, jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve, çfarë po ndodh edhe në vendet e tjera të rajonit dhe të zhvilluara. Patjetër ka modele të ndryshme. Ajo që kemi ndjekur është që ndjekja e një modeli të vendosjes së një çmimi tavan në qoftë se do të vendoset miratimi dhe rifillimi i Bordit të Transparencës. Nuk kemi akoma një vendimmarrje të tillë, pasi po presim akoma dinamikat sesi do të jenë të tregut, patjetër ky Bord, siç u njoftua dhe ditën e djeshme që kishim takim me kryeministrin, ministrin e Financave, ministrin e Ekonomisë, me grupet e interesit, është aty dhe mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave.
Ne po e shikojmë në dinamikë. Ka dy elementë që shihen në kohën e krizës. Një, a ka mungesë produkti në treg, pra a ka mungesë produktesh hidrokarburesh, siç ne e njoftuam ditën e djeshme të gjitha komunikimet dhe informacionet që kemi ne ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet e furnizuesve shqiptarë sepse pjesa më e madhe e tyre, mbi 90% e furnizimit të lëndëve të produkteve të naftës vjen nga rrugët e tjera detare. Përsa i përket rritjes së çmimit, siç e thashë, mekanizimi është aty, mund të ngrihet menjëherë me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi vlerësuar që me anë të komunikimeve me grupet e interesit të shoqatave hidrokarbure ato ta kuptojnë edhe vetë rëndësinë në mënyrë që të mos e ngremë menjëherë Bordin e Transparencës. Është aty mund të ngrihet shumë shpejt, por akoma nuk është vendosur një gjë e tillë.
Faleminderit.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë