Bashkëbisedim me furnizuesit e naftës në vend - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 18/03/2026

Bashkëbisedim me furnizuesit e naftës në vend

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi:

Patjetër që një ndër masat kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është elementi i sigurimit të produktit dhe pasjes së produktit hidrokarbur në treg. Për këtë qëllim, patjetër siç ju e dini, kemi në fuqi ligjin për Rezervën e Sigurisë Hidrokarbure. Tashmë secilës nga kompanitë hidrokarbure që operojnë në Shqipëri i është dërguar njoftimi për detyrimin e rezervës hidrokarbure që duhet të mbajë në vitin 2026, që është e përllogaritur në bazë të xhiros ditore të vitit të shkuar.

Po ashtu, grupet në terren të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, tashmë janë njoftuar edhe subjektet për të bërë të gjitha verifikimet e nevojshme brenda datës 31 mars. Patjetër subjektet e dinë që kanë detyrimin që të mbajnë 30 ditë rezervën hidrokarbure në Shqipëri të patur në vend dhe pjesën tjetër të 60 ditëve të kontraktuar në mekanizma të ndryshëm. Ky është një proces të cilin Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, sidomos edhe në kushtet aktuale në të cilët gjendemi, e bën në mënyrë shumë të kujdesshme, në mënyrë që të jetë gjatë gjithë kohës e siguruar që produkti hidrokarbur të mos mungojë.

Padashur të përsërisë fjalët e Ministres së Ekonomisë, së cilës ne e dimë edhe nga komunikimi me subjektet hidrokarbure, që bllokimi i ngushticës së Hormuzit nuk ka impaktuar qarkullimin hidrokarbur në vendin tonë, pasi kanalet e furnizimit janë me anë të mekanizmave të tjerë apo rrugëve të tjera detare ndërkombëtare të njohura.

Ndërkohë dua të theksoj dhe dy elemente që tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka si rrjedhojë e një plani afatgjatë. Ka mbi dy vite që punon për Ligjin e ri të Rezervës së Sigurisë Hidrokarbure, i cili është konsultuar me publikun para disa muajsh dhe tashmë është në fazën përmbyllëse për miratim. Është një projektligj i ri, i cili përmbush plotësisht nevojat e direktivës së Bashkimit Europian, por edhe nevojat e vendit. Ne besojmë që brenda dy-tre javësh këtë projektligj do ta kemi të miratuar në qeveri. Parashikon krijimin e një agjencie të posaçme dhe tashmë rezerva e sigurisë hidrokarbure nuk do mbahet më nga subjektet tregtare hidrokarbure, por do të mbahet nga agjencia shtetërore, e cila do ta depozitojë në depozitat e sajë apo të marra me qera, duke krijuar kështu një depozitë 90 ditore, minimale, të produktit në vend për të patur siguri hidrokarbure të plotë dhe totale.

Ndërkohë për ta përmbyllur, patjetër struktura e çmimit të karburantit në pikën fundore në Shqipëri është e tillë që vlera e importit zë pjesën më të madhe. Ne e dimë që tashmë vlera e importit ka luhatshmërinë e vet për shkak të situatës së krizës, por edhe e dimë që modeli i biznesit i ndërtuar nga ana juaj është i tillë që nuk keni produkt afatgjatë, por i keni me kontrata të cilat paguhen në momentin e marrjes në dorëzim të produktit hidrokarbur, sipas ditës përkatëse dhe çmimit në bursë të ditës përkatëse.

Patjetër, kjo e bën të luhatshëm çmimin në Shqipëri, ku pjesën më të madhe, siç e thashë e zë vlera e produktit dhe pjesa tjetër, diku tek 147 lekë pa tvsh, ka qenë kosto reale e produktit javën e kaluar, pa tvsh. Ndërkohë çmimi mesatar i shitjes me pakicë javën e kaluar ka qenë rreth 161.67 lekë pa tvsh, në pikën fundore. Kjo tregon që ka një fitim bruto rreth 13-14 lekë në të gjithë zinxhirin e tregtimit të karburantit në Shqipëri, që është një marzh i pranueshëm. Nuk hyjë në diskutimin që bordi i transparencës, e kemi eksperiencën e para dy-tre viteve dhe bazën ligjore për ta ngritur këtë bord, vazhdon të jetë në fuqi dhe miratohet me një vendim të Këshillit të Ministrave nëse do ishte e nevojshme.

Faleminderit!