Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi: Jemi mbledhur sot këtu bashkë me administratorin e OSSH për planin e masave që kemi marrë për fundvit.
Dua të theksoj së pari 2-3 elementë të rëndësishëm. E kemi mbyllur vitin 2025 me një rezultat shumë të mirë, si nga pikëpamja financiare, por dehe teknike. Kemi vazhduar me uljen e humbjeve me 1% në krahasim me vitin e shkuar dhe parashikojmë që vitin 2025 ta mbyllim brenda targetit të vendosur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në nivelin 16.9%. Në 2025 kemi arkëtime mjaft të larta rreth 100% dhe për këtë është shumë e rëndësishme që të falenderojmë gjithë punonjësit e grupit OSHEE për punën e palodhur dhe të përditshme për të arritur këtë indikator.
Ne parashikojmë që në vitin 2025 ta mbyllim vitin me një performancë financiare rreth 70 mln euro fitim, që është një rezultat shumë i mirë për kompaninë dhe patjetër që do të na ndihmojë ne që gjatë vitit 2026 të implementojmë disa gjëra që tashmë i kemi premtuar.
Kemi premtuar që do të kemi një indeksim 6.1 % të pagave për të gjithë punonjësit e OSHEE-së, kemi premtuar që do të kemi një rritje page specifike për elektricistët e terrenit dhe për inxhinierët elektrikë, të cilat do të fillojnë të implementohen që nga janari. Këto rezultate kanë ardhur si rrjedhojë e punës shumë të mirë të secilit nga ju që jeni pjesëmarrës në këtë mbledhje, por dhe e gjithë stafit tuaj të varësisë.
Për tu rikthyer tek plani i masave, ne jemi në periudhë festive, ku prej datës 20 dhjetor gatishmëria jonë është rritur dhe kemi hartuar një plan specifik për këto ditë. Kemi konstatuar rritje konsumi të jashtëzakonshëm. Vetëm ditën e djeshme kemi kaluar rreth 22.9 mln kilovatorë dhe është dita më e ngarkuar e vitit dhe patjetër ne e dimë që konsumi do vijë duke u rritur, duke kulmuar në datën 31 dhjetor.
Me uljen e temperaturave është rritur konsumi, nuk kemi patur problematika të theksuara përsa i përket rrjetit dhe mungesës së furnizimit. Patjetër që qëllimi ynë numër një është që në këto ditë festive, shqetësimi më i vogël që të kenë qytetarët në këto ditë festive është mungesa e energjisë elektrike.
Me planin e masave që ne kemi vënë në punë, mendoj se do ja dalim që të jemi të suksesshëm në të gjithë Shqipërinë. Janë rreth 1600 punonjës të terrenit që janë 24 orë në punë të ndarë në grupe, të cilët kanë në dispozicion bazën materiale për çdo defekt apo avari të mundshme. Po ashtu dhe call center është i hapur dhe do të jetë i hapur edhe në datën 31 dhjetor 24 orë, për të marrë çdo shqetësim në kohë reale.
Administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi: OSSH funksionon në terren nëpërmjet 4 njësive kryesore që menaxhojnë dhe administrojnë linjat e TL dhe nënstacionet, gjithashtu ka 11 rajone të tjera që funksionojnë në rrjetin e TM-TU, struktura që janë sa më afër konsumatorit përgjatë gjithë vitit.
Tashmë siç e tha dhe administratori i OSHEE, ne kemi arritur dje pikën e ngarkesës sa i takon vitit 2025 kemi arritur 22.9 mln kilovatorë konsum, por piku i konsumit kapet në datën 31 dhjetor.
Por rritja e kërkesës dhe konsumit e energjisë së hyrë në rrjet është tashmë një trend për më shumë se 2 vjet. Dhe konkretisht vetëm për 2025, konstatojmë një rritje të energjisë së hedhur në rrjet jo më pak se 7%.
Kjo do të thotë që përveçse energjia që konsumohet tashmë vit pas viti është në rritje, tregon dhe ngarkesë të madhe për rrjetin dhe kërkon kapacitete të shtuara.
Dhe në investimet që ka kryer OSSH në gjithë rrjetin e shpërndarjes, ne kemi bërë të mundur që jo vetëm në zonat që kanë specifika të veçanta për zhvillimin e rrjetit por në gjithë Shqipërinë të kemi rrjet të sigurt.
Konsumatorët e vënë re se në shumë zona, që kanë patur probleme me furnizimin sot nuk i kanë më. Kemi ndërhyrë në 12 nënstacione që garantojnë kapacitete të shtuara, 6 prej tyre kanë përfunduar implementimi i zbatimit të projekteve siç është ai i Pogradecit, Zogut të Zi, Lezhës, Çorovodës dhe Kafaraj. Vazhdon investimi në nst e Velipojës, është shumë afër përfundimit, po mbyllim linjë 110kv bashkë me OST. Kemi përfunduar 95% të punimeve në NST e Fierit, kemi filluar punimet në nst Akërnisë, Piqerasit e Xarrës dhe jemi në 2 pika të rëndësishme të shpërndarjes në fazën e implementimit të procesit në atë të Bogës dhe Thethit, dy zona të nxehta që kanë mbetur tashmë në rrjetin tonë për garantimin e furnizimit me energji. Kemi ndërtuar 667 km linja të reja ajrore dhe kabllore, 661 kabina të reja ajrore dhe muraturë dhe ajo që është më e ndjeshme 1306 km linjë e tensionit të ulët që garantojnë cilësi në parametrat e nivelit të tensionit dhe siguri sa i takon numrit të avarive.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë