Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Këshillin Ministerial të Komunitetit të Transportit, që u zhvillua në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Një takim në të cilin u mblodhën në një tryezë Ministrat e Transportit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të Komisionit Europian.
Nevoja për hartimin e projekteve, të cilat afrojnë vendet e rajonit duke nxitur qarkullimin e qytetarëve dhe rritur shkëmbimet tregtare ishte në fokus të diskutimeve të zhvilluara në këtë takim. Linjat hekurudhore, si dhe ndërtimi i korridoreve infrastrukturore kanë qenë dhe mbeten një prioritet për zhvillimin e mëtejshëm të të gjithë rajonit.
Ministrja Balluku pati një takim dypalësh edhe me Zëvendëskryeministrin, njëherësh Ministër i Investimeve Kapitale në Qeverinë e Malit të Zi, z.Ervin Ibrahimović. “Diskutuam për projektin e korridorit Adriatiko-Jonian, një projekt europian, i cili kalon përmes dy vendeve tona dhe për të cilin jemi të vendosur për ta çuar përpara. Diskutuam gjithashtu edhe mbi një sërë projektesh të tjera me interes të përbashkët”, u shpreh Balluku pas takimit me Ibrahimović.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë Balluku zhvilloi një takim edhe me Ministren e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli, me të cilën ka shkëmbyer mendime sa i takon masave të marra nga të dyja Qeveritë për përballimin e krizës energjetike, e cila ka prekur të gjithë botën.
“E njoha me projektin e Qeverisë Shqiptare për portin e lundrueshëm të gazit në Vlorë, duke ftuar që pjesë e këtij projekti rajonal tashmë të bëhet edhe Kosova, si dhe me projektin për ndërtimin e HEC Skavicës. Dy vepra të rëndësishme me impakt jo vetëm në Shqipëri, por edhe me gjerë. Shprehëm angazhimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, jo vetëm në energjetikë”, bëri të ditur Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë