Ka përfunduar ndërtimi i urës së re të Tapizës, e cila tashmë është e hapur për qarkullimin e automjeteve. Ura e vjetër ishte ndërtuar në vitin 1973. Për shkak të amortizimit ndër vite dhe dëmtimeve të shumta që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit, kjo urë paraqiste rrezikshmëri për lëvizjen e mjeteve. Pas evidentimit të problematikave, në mars të vitit të kaluar nisi puna për ndërtimin e urës së re dhe brenda 11 muajsh, u bë i mundur ndërtimi i saj.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi kanë inspektuar nga afër përfundimin e punimeve për ndërtimin e urës së re si dhe hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve.
“Projekti konsiston në ndërtimin e një ure prej betonarmeje me gjatësi 120 metra, gjerësi 12 metra nga të cilat ka dy karrexhata me nga 3.75 metra, bankinë të asfaltuar nga 1.5 metra për secilin krah dhe trotuarë 1.3 metra. Është e përbërë nga tre hapësira drite nga 40 metra secila dhe. Është ndërtuar një urë e re mbi gjurmën e vjetër, por kemi rritur kuotën për shkak të përballimit të prurjeve që mund të ketë në vitet e ardhshme”, informoi tha gjatë inspektimit drejtori i ARRSH.
Ministrja Belinda Balluku theksoi se ndërtimi i urës së Tapizës është pjesë e projektit të ndërhyrjes emergjente në 9 ura, një projekt me Bankën Botërore për ndërhyrjen në 100 ura në të gjithë vendin.
“Kemi nisur një skanim të gjithë sistemit të urave në Republikën e Shqipërisë. Fatkeqësisht 70% e këtyre urave janë ndërtuar, rreth viteve ‘60-‘70 dhe duke mos pasur një mirëmbajtje të duhur. Veçanërisht ato që ndodhen në zona të largëta kanë pasur një amortizim nga koha e gjatë. Për shkak të këtij amortizmi dhe për shkak të tërmeteve të ndodhura në 21 shtator dhe 26 nëntor të 2019-ës na është dashur që këtë skanim ta përshpejtojmë dhe kemi marrë të gjitha të dhënat e këtij projekti, duke klasifikuar 9 urat e para si ato më në rrezik dhe më të domosdoshme dhe kemi nisur me urën e Tapizës”, tha Balluku.
Duke vlerësuar faktin se ndërtimi i urës së Tapizës u bë i mundur edhe para afatit të parashikuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se ndërhyrje të tilla përmirësojnë dhe rrisin sigurinë rrugore ne akset e vendit.
“Ja dolëm që të dorëzojmë dhe një tjetër punë të rëndësishme, para afatit, ashtu dhe siç tashmë e kemi dhe moton, jo vetëm punë të mira, por edhe para afatit, që të gjithë përdoruesit e akseve rrugore në Republikën e Shqipërisë të kenë mundësi për të kaluar në rrugë cilësore, sepse siguria rrugore është ajo e cila ne na drejton në të gjitha projektet tona”, u shpreh ministrja Balluku.
Pas përfundimit të punimeve për urën e Tapizës do të nisë puna për urën e Viroit në zonën e Gjirokastrës, një nyje e rëndësishme e cila ka një fluks të lartë lëvizjes automjetesh për shkak të edhe të pikës kufitare të Kakavijës.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë