Punimet në Unazën e Madhe të Tiranës po përparojnë me intensitet ditë pas dite. Tashmë i hapur për qarkullimin e automjeteve është një tjetër segment i kësaj vepre. Pjesa Lindore e Unazës, që nis nga mbikalimi i Farkës dhe deri tek Materniteti i Ri është në dispozicion të automjeteve duke nisur nga data 28 tetor.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ndoqën nga afër punimet e realizuara në këto dy lote të këtij segmenti.
Drejtori Berberi sqaroi se në këtë pjesë të Unazës së Madhe ka pasur dy problematika kryesore që lidhen me gjeologjinë, si dhe me ndërtimin e një viadukti me një gjatësi prej 240 metrash. Në një pjesë të këtij segmenti, afërsisht 300 metra, është duke u punuar ende dhe në këtë pjesë qarkullimi do të kryhet vetëm në një krah. Këto punime pritet të përfundojnë plotësisht brenda 30 ditëve.
“Drejtuesit e automjeteve duhet të bëjnë kujdes. U bëjmë thirrje sepse kjo është një rrugë, e cila të tërheq për të ecur shpejt dhe normalisht duke qenë se jemi në një zonë kantieri u rekomandojmë që të vazhdojnë të ecin me shpejtësi të reduktuar, të respektojnë të gjithë sinjalistikën si horizonte ashtu edhe atë vertikale që të shmangim çdo lloj aksidenti. Brenda 30 ditëve do të dorëzohet pjesa e mbetur e punimeve”, sqaroi Berberi.
Një hyrje të re për Tiranën, e cilësoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfundimin e këtij segmenti të Unazës së Madhe, ku pjesë e projektit nuk është vetëm ndërtimi i rrugës së automjeteve, por edhe plotësimi i saj me të gjithë elementët e një zone urbane.
“Kjo vepër ka edhe detaje urbanistike, pra vepra arti, gjelbërim, ndriçimin si një zonë urbane, pra nuk është e trajtuar si një autostradë jashtë qytetit. Këtu kemi një hyrje të re në qytetin e Tiranës, është hyrja e krahut të Shkozës. I gjithë ky segment është i përfunduar, kështu që mbetet që të gjitha forcat të përqendrohen në segmentin e mëparshëm për të zgjidhur ato dy kompleksitete që kemi dhe që shpresojmë të mbyllen brenda 30 ditëve dhe më pas i gjithë segmenti i unazës, pra nga “Pallati me Shigjeta” deri në Shkozë do të jetë i përfunduar dhe duke qenë optimist, që edhe pjesa nga “Shqiponja” deri tek “Pallati me Shigjeta” është shumë pranë përfundimit”, u shpreh Balluku duke shtuar se edhe për lotet e tjera të Unazës së Madhe do të nisë puna shumë shpejt.
Ministrja Belinda Balluku theksoi se të gjitha problematikat e hasura për zbatimin e këtij projekti në këtë segment, tashmë janë kapërcyer dhe punimet kanë ecur me ritëm të lartë për të mbajtur premtimin që ky segment të ishte brenda një kohe sa më të shpejt në funksion.
“Ne tashmë jemi gati për të lidhur 2 lotet, lotin e 2-të dhe lotin e 3-të. Sigurisht duhet ta shpjegojmë edhe njëherë është me vijë të verdhë pasi do të jetë kantier, ka akoma punime të vogla që duhen bërë, por duke qenë se pjesa kryesore ka përfunduar ne mendojmë që ta japim për funksion të qytetarëve, sigurisht nën mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, pasi është shumë e rëndësishme që në të gjitha pjesët ku edhe punohet pak, të ketë vëmendje edhe drejtuesi i automjetit, pra shpejtësia duhet të jetë e ulët”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi nga ARRSH që së bashku me Policinë Rrugore të marrin të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e qarkullimit në këtë segment të ri i cili do të jetë i hapur për automjetet.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë