Hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 5 në nyjen “Shqiponja” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 03/09/2021

Hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 5 në nyjen “Shqiponja”

Punimet për ndërtimin e nyjës “Shqiponja”, në hyrje të Tiranës janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt kjo vepër do të jetë plotësisht në funksion. Tashmë ka përfunduar edhe tuneli numër 5 i kësaj vepre e cila do të lehtësoj ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndoqën nga afër punimet, teksa njoftuan edhe devijimin që do të pësojë trafiku tashmë me vendosjen në funksion të tunelit numër 5.

Drejtori Berberi bëri të ditur se tashmë se tashmë hyrja për në Tiranë në drejtim të Unazës së Madhe të Tiranës do të realizohet nëpërmjet tunelit numër 5, ndërkohë që dalja nga Tirana me drejtim nga Unaza e Madhe drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet tunelit numër 3, i cili deri më tani ka shërbyer për automjetet të cilat hynin në kryeqytet me drejtim Unazën e Madhe. Ndërkohë, lëvizja e automjeteve nga autostrada në drejtim të rrugës “Dritan Hoxha” dhe anasjelltas do të realizohet përmes nivelit zero të parashikuar në projekt.

“Është bërë një punë shumë voluminoze në këto kohë. Kemi arritur në një kohë rekord të hapim tunelet dhe me hapjen e tunelit 5, i cili është 146 metra i gjatë, ne kthejmë gjithë skemën e qarkullimit në skemën fillestare që do jetë edhe përfundimtare. Gjithë fluksi i automjeteve që vjen nga Durrësi për në “Astir” kalon përmes tunelit numër 5. Ndërkohë tunelin numër 3, që sot e përdorim për t’u futur në zonën e “Astirit” do të kthyet për dalje nga zona e “Astirit”. Do ndryshoj sensin”, sqaroi Berberi.

Ministrja Belinda Balluku tha se për ndërtimin e nyjës “Shqiponja” është bërë një punë e madhe, ku është punuar pa pushim 24 orë për të bërë të mundur përfundimin e saj para afatit të parashikuar. Tashmë punimet për përfundimin e plot të veprës kanë hyrë në fazën finale dhe shumë shpejt do të jetë plotësisht në funksion.

“Kjo nyje, për shkak të kompleksitet të saj do ketë edhe një qendër të menaxhimit të trafikut dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi është pjesë e paketave shumë të rëndësishme që ne kemi përsa i përket sigurisë rrugore. Vazhdojmë dhe investojmë në sinjalistikë, por tashmë edhe në automatizim të pjesës së kontrollit për sigurinë rrugore dhe këtu do të kemi një nga qendrat e kontrollit më moderne, e cila do të menaxhojë të gjithë trafikun e nyjes “Shqiponja” dhe shpërndarjes në akset që janë të lidhura  me këtë pjesë”, u shpreh Balluku.

Pjesë e projektit të kësaj vepre, janë edhe elementët urbanë, gjelbërim, korsi biçikletash, trotuare, të cilët do të lehtësojnë lëvizjen e këmbësorëve. Me përfundimin e kësaj vepre, shtoi Balluku, i hapet rrugë nisjes së punimeve në pjesën tjetër të Unazës së Madhe nga nyja “Shqiponja” me drejtim zonën e Shkozës.

“Me përfundimin e lotit I, II dhe III të Unazës Perëndimore dhe shpresoj shumë shpejt, përfundimin e dy lotëve të cilat kanë ngelur vetëm për pak punë në zonën e Unazës Lindore, merr formë më shumë se gjysma e Unazës duke i lënë pastaj mundësinë e hapjes kantiereve të reja. Ne jemi në procedurë sot përsa i përket pjesës tjetër të lotëve nga sheshi “Shqiponja” në drejtim të Bulevardit të Ri, Paskuqan dhe më pas lidhjen me pjesën e Shkozës, deri aty ku vjen Unaza Lindore, duke i dhënë kështu Tiranës veprën infrastrukturore më të madhe, pasi kjo Unazë e Madhe do të lidhet me të gjitha hyrjet nga autostrada, duke nisur nga Rruga e Arbrit, autostrada Tiranë-Durrës apo edhe pjesët e tjera të autostradës që ne synojmë të ndërtojmë në 4-vjecarin e ardhshëm”, theksoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, kërkoi nga qytetarët të tregohen të kujdesshëm që të respektojnë sinjalistikën e vendosur deri në përfundimin e plot të gjithë veprës. Gjithashtu, së bashku me Policinë Rrugore janë marrë masat për menaxhimin e trafikut deri në funksionimin e plot të gjithë nyjes.