Drejt përfundimit ujësjellësi i ri i Rrogozhinës, Balluku: Furnizon 24 orë me ujë të pijshëm 13 mijë banorë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/07/2021

Drejt përfundimit ujësjellësi i ri i Rrogozhinës, Balluku: Furnizon 24 orë me ujë të pijshëm 13 mijë banorë

Në Bashkinë e Rrogozhinës janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do të furnizoj me ujë të pijshëm 24 orë 13 mijë banorë. Aktualisht janë realizuar 98% e punimeve, ndërsa po vijon puna për montimin e kasave të matësave si dhe po bëhen provat hidraulike, për të bërë të mundur që vepra të vihet në funksion brenda pak javësh.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Administratorin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Trajtimit të Mbetjeve, Ceno Klosi inspektuan punimet ku u njohën me ecurinë e tyre.
“Punimet kanë ecur me ritëm, madje edhe pak para afatit. Me realizimin e këtij investimi, që pritet të përfundojë pas pak javësh, qyteti i Rrogozhinës konsiderohet një qytet i cili arrihet të furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm”, u shpreh Klosi teksa bëri të ditur detaje të këtij investimi i cili është i ndarë në tre faza, ku dy fazat e para kanë përfunduar në vitin 2017.
Ujësjellësi i ri i Rrogozhinës i jep zgjidhje një problematike shumëvjeçare të banorëve të këtij qyteti. Mungesa e investimeve kishte sjellë amortizim të rrjetit shpërndarës duke ndikuar kështu jo vetëm në sasinë e furnizimit të banorëve, por edhe në cilësinë e furnizimit.
“Unë e kam vizituar në fillimet e tij këtij projekt dhe mbaj mend kur ende gërmonim. Është kënaqësi që t’a shikoj sot totalisht të përfunduar. Ky është një projekt, i cili do t’i japë zgjidhje një problematike shumë të madhe, që qyteti i Rrogozhinës ka pasur. Këtu rrjeti është ndërtuar në vitin ’67, ka pasur një ndërhyrje në ‘88 dhe është ndërtuar për rreth 4800 banorë, ndërkohë që sot që flasim kemi të regjistruar 13 mijë banorë, pra trefishin e popullsisë që është parashikuar për t’u shërbyer nga rrjeti ekzistues”, u shpreh ministrja Balluku
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se këto investime, të cilat ju ofrojnë qytetarëve një shërbim, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe se të ardhurat të cilat vijnë si rezultat i pagesës së faturave të ujit, shkojnë në këtë drejtim.
“Po investohet shumë në sektorin e ujit, por problemi është që akoma nuk kemi një mentalitet të qartë dhe një mirëkuptim të qytetarëve përsa i përket pagesave të ujit. Uji është një e drejtë bazike dhe ne nuk duam thjesht të çojmë ujin nëpër rubinetat e qytetarëve, por duam të çojmë një ujë cilësor, ndaj dhe të gjitha depot tashmë dizenjohen dhe ndërtohen sipas të gjitha parametrave teknike për të pasur ujë cilësor. Por nga ana tjetër këto investime dhe shërbime duhen të paguhen dhe është detyrë e pushtetit vendor, të paktën për momentin dhe më pas me të gjithë reformën, që do të bëjmë në sektorin e ujit, sigurisht do të jetë një bashkëpunim dhe një kontroll më i madh nga AKUM-I, për të mbledhur detyrimet”, nënvizoi Balluku.
Duke folur për reformën që pritet të kryhet në sektorin e ujit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri një paralelizëm me reformën e ndërmarrë në sektorin energjetik disa vite më parë, e cila vendosi në ligjshmëri këtë sektor.
Investimi për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Rrogozhinës përfshinë ndërtimin e tri depove të furnizimit, një kryesore dhe dy sekondare, ndërtimin e rrjetit të brendshëm si dhe linjat e dërgimit.