Në bypass-in e Vlorës punimet janë drejt fundit për të bërë të mundur që ky segment të hapet për qarkullimin e automjeteve në afatin e premtuar. Po punohet me tre turne, ku krahas asfaltimit të rrugës, është duke u vendosur edhe sinjalistika, si dhe të gjithë elementët e tjerë sa i takon sigurisë rrugore.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ndoqi nga afër punimet duke u ndalur në disa prej segmenteve të bypass-it ku është përqendruar edhe volumi më i madh i punimeve.
Drejtori ARRSH sqaroi se në këtë vepër po punohet 24 orë dhe me forca të shtuara për të garantuar hapjen për qarkullimin e automjeteve të segmentit duke lehtësuar kështu lëvizjen e mjeteve drejt bregdetit të jugut.
“Jemi duke i dhënë dorën e fundit mbrojtjes së skarpateve. Gjithashtu do të fillojë puna për mbrojtjen me barrierat rrugore. Ky do jetë një segment i cili për nga siguria do të respektoj të gjitha standardet. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë Rrugore, kemi pasur disa takime dhe kemi pasur një vizitë në terren nga të cilat kemi nxjerrë pikat e para ku do të fokusohemi për të rritur sigurinë e trafikut. Në javën që vjen ne do bëjmë edhe disa inspektime të tjera”, u shpreh Berberi.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se ashtu sikundër është premtuar, bypass-i i Vlorës do të hapet provizorisht për qarkullimin e automjeteve gjatë periudhës së verës dhe më pas do të vazhdojë sërish punimet deri në përfundimin e plot të projektit. Balluku theksoi se siguria rrugore në të gjithë gjatësinë e bypass-it do të ketë një vëmendje të veçantë dhe në bashkëpunim me Policinë Rrugore do të hartohet një plan konkret masash i cili do të hyjë në fuqi në momentin e hapjes së qarkullimit në këtë segment.
“Fakti që siguria rrugore po përmbushet dhe nuk do të kemi çështje të cilat do të na shqetësonin është shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër, ne i kemi kërkuar edhe Policisë së Shtetit, si zakonisht Policia Rrugore ka qenë në mbështetje dhe ka qenë një nga bashkëpunëtoret tona më të ngushta në të gjitha projektet e reja, kemi kërkuar edhe kësaj radhe që të vijë para se të dorëzohet vepra, pra ne së bashku me ta gjatë javës së fundit do të inspektojmë të gjithë rrugën, do të presim nga ta sugjerimet që do të na japin se çfarë duhet të bëjmë, çfarë duhet të ndryshojmë, ku duhet të ketë ndërhyrje të tjera, për t’i aplikuar”, nënvizoi Balluku duke bërë të ditur gjithashtu se efektivë të Policisë Rrugore do të jenë të stacionuar në disa prej pikave kyçe të bypass-it gjatë gjithë sezonit.
Në datën 15 korrik parashikohet të mbyllen të gjitha punimet në vepër dhe menjëherë pas kolaudimit të saj, në datën 16, drejtuesit e automjeteve mund ta aksesojë atë.
“Në 15 korrik ne mbyllim të gjitha punimet në këtë rrugë. Do të punojmë me Policinë Rrugore gjatë mbrëmjes së 15 korrikut për ta kolauduar dhe më pas me përfaqësuesit e Delegacionit Europian, të cilët kanë dhe një pjesë të mirë të fitores në këtë projekt, pasi ata janë mbështetësit financiarë dhe unë gjej rastin t’i falënderoj. Ata do të jenë prezent gjatë momentit të hapjes së kësaj rruge, së bashku me kryeministrin, pasditen e datës 16, pra e premte, pikërisht kur njerëzit do të fillojnë të aksesojnë jugun për të kaluar fundjavën apo për të kaluar 15 ditëshin e dytë të korrikut të pushimeve që është edhe zyrtarisht piku i sezonit. Në datë 16, pasdite, së bashku me kryeministrin dhe së bashku me përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Europian ne do të hapim zyrtarisht këtë rrugë për kalim”, theksoi Balluku.
Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash. Hapja e këtij segmenti do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve drejt bregdetit të jugut.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë