Balluku inspekton punimet në pjesën Lindore të Unazës së Madhe të Tiranës: Kemi kapërcyer problematikat, po vijojmë punimet me ritëm të lartë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 23/12/2020

Balluku inspekton punimet në pjesën Lindore të Unazës së Madhe të Tiranës: Kemi kapërcyer problematikat, po vijojmë punimet me ritëm të lartë

Puna për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës po vijon me intensitet në çdo kantier që është hapur. Edhe në pjesën Lindore të kësaj vepre, ashtu sikundër edhe tek nyja “Shqiponja”, po punohet me tre turne me qëllim që kjo vepër të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër.

Problematikat e hasura në këtë kantier, për shkak të përbërjes gjeologjike të tokës, tashmë janë kapërcyer dhe punimet po avancojnë me ritëm të lartë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektuan punimet në këtë segment të Unazës së Madhe të Tiranës.

Ministrja Balluku e cilësoi ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës si një vepër tepër të rëndësishme jo vetëm për kryeqytetin, pasi zgjidh problematikën e trafikut në Tiranë, por edhe për vendin pasi kjo vepër do të lidhet me të gjitha rrugët hyrëse në Tiranë.

“Këtu punohet seriozisht, ditë e natë, dhe nuk kemi asnjë moment pauze dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi në të gjitha lotet e Unazës, apo edhe në planet që ne kemi për të vazhduar me pjesën e projektimit të loteve të tjera, asaj nga Paskuqani në Bulevardin e Ri dhe nga Bulevardi i Ri tek “Shqiponja”, unë kam kërkuar nga të gjitha grupet e punës, nga të gjithë kontraktorët, por edhe nga vetë ARRSH-ja, e cila po merret me proceset përsa i përket projektimit dhe procedurave të tenderimit, që duhet të jemi sa më të shpejtë”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe tek problematika që lidhet me shpronësimet, duke ju referuar faktit se zona të cilën ky segment përshkon është një zonë informale.

“Ne ndërtojmë sot rrugë të reja nga fillimi dhe kjo shpesh herë pengohet edhe nga zonat informale në të cilat këto rrugë kalojnë, sigurisht duke respektuar gjithë mundin dhe gjithë djersën që njerëzit në një farë mënyre gjatë spostimeve demografike në 30 vitet e fundit kanë bërë. Kështu që është një situatë e kuptueshme, na kushton kohë, por padyshim gjithçka ka zgjidhje, me dëshirën e mirë dhe bashkëpunimin shumë të mirë që kemi pasur me kontraktorin, por dhe me mirëkuptimin e komunitetit kemi arritur të kemi zgjidhje dhe për këto problematika”, nënvizoi Balluku.

Drejtori i ARRSH sqaroi detaje lidhur me këtë projekt teksa njoftoi se brenda disa ditëve do të hapet për qarkullimin e automjeteve loti 1 i kësaj vepre që nis nga rrethrrotullimi TEG deri në repartin e Helikopterëve.

“Kemi aplikuar sistemin e pilotëve dhe sistemin e mureve mbajtëse në të gjithë segmentin. Kemi një viadukt i cili shkon deri në 210 metra ku gjithë nën struktura ka përfunduar, shpatullat e këtij viadukti dhe trarët janë përfunduar tashmë në pritje për t’u vendosur. Janë 3 mbikalime, dy prej të cilave janë të përfunduar tashmë”, u shpreh Verdho.

Dy lotet e tjera të këtij segmenti, parashikohet të përfundojnë pranverën e ardhshme, disa javë para afatit të parashikuar në kontratë.