Normalizohet qarkullimi në aksin Vlorë-Orikum - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/06/2021

Normalizohet qarkullimi në aksin Vlorë-Orikum

Përfundon rehabilitimi i rrëshqitjes së ndodhur në aksin Vlorë-Orikum dhe tashmë qarkullimi i automjeteve në këtë segment është kthyer në normalitet. Brenda një kohe rekord, nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar, u bë i mundur riparimi i rrëshqitjes së ndodhur si pasojë e punimeve të realizuara nga një prej subjekteve që operojnë në këtë zonë, e cila shkaktoi edhe dëmtimin e rrugës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e ARRSH, Evis Berberi inspektuan punimet e realizuara për rehabilitimin e  kësaj pjese të këtij segmenti.

“Puna ka ecur me ritme shumë të shpejta. Kemi bërë pilotimin e të dy brezave me nga 15 dhe 18 metra. Mbi to është ndërtuar një bazament betoni dhe më sipër një mur mbajtës prej tre metrash. Është vazhduar me mbushjen me stabilizant dhe çakëll”, sqaroi drejtori i ARRSH referuar punimeve të realizuara në këtë pjesë të rrugës.

Nga ana e saj, ministrja Balluku tha se falë angazhimit, duke punuar ditë dhe natë, u bë e mundur që ky segment të kthehet në normalitet teksa shtoi se në sajë të bashkëpunimit me Policinë Rrugore u bë e mundur menaxhimi i trafikut në këtë pjesë të segmentit.

“Tashmë aksi kthehet i plotë, pra kemi dy kalime duke filluar nga ky moment. Do të vazhdojnë punët që janë jashtë shtratit të rrugës. Këtu do ketë kalim në të dyja anët e rrugës dhe më pas, ditën e  hënë do përfundojmë të gjithë shtresën asfaltike edhe në anën tjetër. Ishte një punë që duhet të përfundonte brenda 30 ditëve dhe për këtë është punuar ditën dhe natën”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se kthimi në normalitet i qarkullimit të automjeteve në këtë segment do të lehtësojë lëvizjen, e cila kryesisht gjatë fundjavës ka një fluks të shtuar për shkak të sezonit veror, teksa njoftoi gjithashtu se në datën 15 korrik do të hapet për qarkullimin e automjeteve edhe bypass-i i Vlorës, i cili do të lehtësojë edhe më qarkullimin drejt bregdetit të jugut.

“Duhet të theksojmë të gjithë punën që po bëhet në këto momente në bypass-in e Vlorës, duke qenë se në datën 15 korrik, ashtu siç kemi premtuar, do të hapet ai segment rrugor i shumëpritur. Trafiku atje do të jetë i monitoruar nga forcat e Policisë Rrugore  për të përmbushur të gjitha kushtet e sigurisë rrugore. Puna po ecën mirë dhe ky është një lajm i mirë.”, nënvizoi Balluku.

Dëmtimi i rrugës, në këtë pjesë të aksit Vlorë-Orikum, erdhi si pasojë e punimeve të realizuara nga ana e një subjekti privat që operon në zonë. Për këtë rast ARRSH ka dorëzuar edhe një kallëzim penal në Prokurori.