Shpallet kompania fituese për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, një projekt i rëndësishëm i cili pritet t’i jap një hov zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në prezencë edhe të kryeministrit, Edi Rama, njoftoi emrin e konsorsiumit fitues, i cili plotësonte kriteret teknike dhe financiare të garës ndërkombëtare të zhvilluar për këtë projekt.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e cilësoi si një moment të rëndësishëm shpalljen e konsorsiumit fitues për ndërtimin e aeroportit të ndërkombëtar të Vlorës pasi tashmë i hapet rrugë nisjes së negociatave. Sa i takon garës, Balluku tha se në garë ishin dy kompani, njëra e regjistruar në Londër dhe tjetra në Zvicër, ndërsa vlerësoi punën e bërë nga Komisioni për vlerësimin e ofertave të paraqitura për këtë projekt.
“Konsorsiumi fitues kryesohet nga Mabco Construction (Mabetex Group) i cili mban 50% të aksioneve dhe është i regjistruar në Zvicër, ndërkohë që operatori është YDA – Group me 48% të aksioneve, 2A Group me 2% të aksioneve. Vlera i investimit e ofruar nga ky konsorsium është 103.966.030 Euro. Eksperienca e konsorsiumit është e madhe, mbi 6 aeroporte të ndërtuara dhe të operuara nëpër botë dhe gjithashtu edhe fuqia financiare e treguar nga konsorsioumi është në përputhje të plot me kërkesat teknike, financiare dhe legjislative që ka pasur ky konkurs”, njoftoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se situata e krijuar nga pandemia bëri që procesi të shtyhej disi në kohë, por tashmë këto pengesa janë kapërcyer dhe për këtë vepër kemi një fitues. Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, tha Balluku, do të ofrojë standardet më të larta si dhe do të jetë shtëpia e kompanisë shqiptare të fluturimeve “Air Albania”.
“Kriteret teknike që kemi vendosur në aeroportin e Vlorës janë kriteret që duhet të përmbushen për të marrë kategorinë 4E, një nga kategoritë më të larta të aeroporteve ndërkombëtare duke nisur nga pista e cila duhet të akomodojë fluturimet transoqeanike, pra një pistë rreth 3.2 kilometra dhe deri tek sipërfaqet e terminalit dhe të gjitha facilitetet e tjera që ky aeroport duhet të ofrojë. Kemi dizenjuar që ky aeroport në të ardhmen të jetë edhe shtëpia e “Air Albania”, ashtu siç i përket Vlorës dhe flamurit që “Air Albania” mban, por gjithashtu ky aeroport do të ketë disa pjesë të reja të industrisë së aviacionit deri më sot jo ekzistuese në Shqipëri. Një industri e re ajo e mirëmbajtjes së avionëve, por tashmë është mundësia e vërtetë për të akomoduar atë në aeroportin e ri të Vlorës duke krijuar kështu një sektor të ri brenda industrisë së aviacionit”, u shpreh Balluku, duke theksuar se tashmë aviacioni në Shqipëri ka marrë një vëmendje të shtuar përmes investimeve që po realizohen dhe të tjera të cilët janë në proces.
Projekti për aeroportin e Vlorës do të jetë i organizuar në dy faza. Faza e parë përfshin ndërtimin e terminalit të pasagjerëve si dhe fillimin e operimeve brenda 36 muajve, ndërsa faza e dytë parashikon zgjerimin e terminalit, 4 vite pas fillimit të operimeve.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë